Opozita: 9 vjet me shumë dështime

Aktuale February 18, 2017 - 10:18

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të donte që 9-vjetori i Pavarësisë ta gjejë Kosovën si një vend të fuqishëm sikur brenda, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare por, sipas saj, fatkeqësisht është e kundërta.

“Fatkeqësisht për shkak të politikave të dobëta e nënshtruese Kosova sot ballafaqohet me probleme të mëdha. Së pari me mungesë të zhvillimit ekonomik, mirëqenies, barazisë e drejtësisë dhe nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së dyti, me mungese të shtrirjes së sovranitetit, pra ende 1/3 e territorit nuk kontrollohet nga institucionet tona, me ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë përbrenda territorit të vendit tonë. Pra, Mitrovica në njërën anë e ndarë dhe mbarë Kosova e papunë, në varfëri e mjerim”, është shprehur Haxhiu, shkruan "Zeri.info".

Më tej ajo ka thënë se Qeveria aktuale është Qeveri e dështimeve dhe se merr shumë kohë t'i numërohen të gjitha dështimet, sikurse, sipas saj, të merr shumë kohë duke u menduar ta gjesh një sukses të saj.

“Si dështime mund të konsiderohen mungesa e ushtrisë dhe pamundësia për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit, pra Mitrovica e ndarë, që janë pasoja direkte të një dialogu të padrejtë e të pabarabartë me Serbinë. Por, po ashtu mosrealizimi i premtimeve për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës që u premtuan gjatë fushatës e që ishin mbi 320.000 nga dy partitë. Sikurse edhe kapja e institucioneve në forma të ndryshme dhe shtrirja e klientelizmit në secilin institucion”, ka shtuar Haxhiu.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se dështimet e shtetit janë të shumta kurse sukseset janë të pakta.

“Gjatë kësaj periudhe, përveç individëve të caktuar, shumicës së popullsisë nuk i është ndryshuar jeta. Nuk ka zhvillim ekonomik, nuk janë hapur vende të reja të punës, nuk ka luftim të korrupsionit, nuk ka liberalizim të vizave e as formim të ushtrisë. Arsimi është në gjendje të rëndë, edhe shëndetësia është në gjendje të kolapsit. Dhe në këtë kohë nuk di se çka mund të veçohet si pozitive”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo më tej ka uruar që përvjetori i 10-të ta gjejë Kosovën në gjendje më të mirë në të gjitha fushat./Zeri/.