Bushati: Dialogu Kosovė-Serbi tė rivlerėsohet (Video)

Bushati: Dialogu Kosovė-Serbi tė rivlerėsohet (Video)

SHPËRNDARJE

17 Shkurt 2017 • 20:01 •

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati thotë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rivlerësohet sa i përket objektivave dhe çështjeve që duhet të diskutohen në Bruksel.

“Gjatë këtyre 9 viteve, Kosova ka bërë hapa përpara drejt procesit të shtetndërtimit demokratik dhe fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar në rast se do t’i referohemi njohjeve ndërkombëtare. Kosova është sot prezente në shumicën e forumeve rajonale dhe platformave më të rëndësishme. Por nga ana tjetër nuk mund të mohohet fakti që është i vetmi vend, shtetasit e të cilit nuk lëvizin dot pa viza në hapësirën Schengen. Sikundër, procesi i dialogut i nisur para pak vitesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, duket se ka ngecur dhe nuk ka prodhuar frytet që të gjithë do të dëshironin. Në këtë kontekst, mendoj se është e rëndësishme së pari të kemi një rivlerësim për sa i përket objektivave dhe çështjeve me të cilat do të duhet që të diskutohet në Bruksel. Sepse në Bruksel, nuk mund të diskutohet thjesht dhe vetëm Kosova. Dialogu duhet të jetë një proces i dyanshëm ku edhe Kosova do të duhet të ketë çështjet e saj konkrete përkundrejt Serbisë, në të cilat, Bashkimi Evropian do të duhet të luaj një rol më të përcaktuar dhe më të vendosur. Nga ana tjetër, mendoj se ky proces do të duhet të ketë një shpirt më të madh politik, t’i krijojmë një mundësi më të madhe Kosovës, për t’u anëtarësuar në disa prej organizmave ndërkombëtarë më të rëndësishëm në të cilët Kosova nuk është ende anëtare. Roli i Shqipërisë është i qartë, është konsistent, në mbështetje të dialogut, në mbështetje të procesit të shtet-ndërtimit, të shtet-konsolidimit të Kosovës dhe në mbështetje të stabilitetit demokratik në rajon. Mos të harrojmë se prezenca më e madhe e NATO's, sot për sot është në Kosovë, çka është dëshmi e rëndësisë që Kosova ka hapur përsa i përket stabilitetit rajonal dhe arkitekturës së sigurisë europiane”, tha Bushati.

Komentet

comments powered by Disqus