Pajtimi me serbët, vështirë i arritshëm
Ideja e presidenti Hashim Thaçi për të iniciuar pajtimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve u kundërshtua ashpër nga deputetët e dy taborëve, nga ish-guerilët e UÇK-së dhe familjet e të pagjeturve. Sipas tyre, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve kurrë nuk do të ketë pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Vetë Thaçi këtë iniciativë e quajti të vonuar
Iniciativa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ta themeluar një komision për të vërtetën dhe pajtimin mes shqiptarëve e serbëve konsiderohet i paefektshëm, sidomos pasi autoritetet serbe vazhdojnë t’i fshehin gjurmët për zhdukjen edhe të 1600 kosovarëve.
Po ashtu deputetë nga pozita e opozita, njëherësh ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vlerësuar se më mirë do të ishte të zbardheshin vrasjet e pasluftës sesa të themelohej komisioni në fjalë.
Ndërsa përfaqësuesit e familjeve të zhdukur thonë se kurrë nuk do të ketë pajtim me serbët pa u zbardhur fati i më të dashurve të tyre.
Këto reagime u dhanë vetëm dy ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë nismë e ka cilësuar si të vonuar, megjithatë, siç është shprehur ai, Republika e Kosovës është shteti i parë në Ballkan që ka ndërmarrë këtë iniciativë.
Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, njëherësh deputet i LDK-së, Anton Quni, ka vlerësuar se më mirë do të ishte sikur presidenti Hashim Thaçi të angazhohej në zbardhjen e vrasjeve sesa në themelimin e komisionit në fjalë.
“Në parim nuk mendoj se ka ndonjë të keqe këtu. Mendoj që do të ishte më e rrugës sikur presidenti fillimisht të ishte angazhuar kaherë për zbardhjen e vrasjeve politike të figurave kyçe të LDK-së, pra bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova. Mendoj që fillimisht do të duhej të fokusohemi në arritjen e një pajtimi të brendshëm si parakusht për iniciativa të tjera më të gjera”, ka deklaruar ai.
Andaj, sipas Qunit, një hap i tillë nuk do të rezultojë i efektshëm.
“Nuk mendoj që mund të ketë efekt. Zbardhja e fatit të të pagjeturve është një plagë e rëndë po aq sa edhe zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë. Një iniciativë për pajtim do të duhej të niste nga këto dy çështje që për mendimin tim janë bazë për një pajtim të brendshëm. Përndryshe, nuk e besoj që mund të arrihet një pajtim i qëndrueshëm përderisa plagët këtu kullojnë”, ka theksuar Quni në një bisedë për “Zërin”.
Qëllimi i komisionit ka të bëjë me agjendën e Thaçit
Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se komisioni për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve ka të bëjë me agjendën personale të presidentit të Kosovës.
“Krijimi i këtij ‘mekanizmi’ në fakt nuk e ka qëllim atë çka përshkruhet në titull. Qëllimi i atij mekanizmi ka të bëjë me një agjendë personale të Thaçit”, ka deklaruar ai.
Andaj sipas Selimit, assesi nuk mund të ketë pajtim pa u vënë në rend drejtësia.
“Ky komision nuk e ka qëllim as të vërtetën, as drejtësinë e as pajtimin. Në të njëjtën kohë nuk duhet as nuk mund të ketë pajtim pa drejtësi. I ashtuquajturi president ka kaluar në fazë të rrezikshme të veprimeve të tij, që në vazhdimësi janë anomali logjike e nganjëherë edhe psikike”, ka theksuar Selimi.
Ndërkohë, ka vlerësuar se synimi i komisionit në fjalë ka të bëjë me fshehjen e krimeve të Serbisë dhe të të pagjeturve.
Jakup Krasniqi, njëri nga themeluesit e UÇK-së, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të “Nismës”, ka vlerësuar se e vërteta dihet edhe pa komisionin në fjalë. Sipas tij, pajtimi duhet të bëhet te institucionet e të dyja palëve.
“Në fakt, konsideroj se as e vërteta e as pajtimi nuk janë çështje e komisioneve. Të dyja vendet i kanë institucionet përfaqësuese dhe aty duhet të bëhet pajtimi. Dhe pajtimi duhet të bëhet me vullnet të dyanshëm. Sa i përket të vërtetës, ajo dihet edhe pa komisionin”, ka deklaruar ai.
Andaj, sipas tij, ky komision nuk pritet të sjellë ndonjë mrekulli.
“Duke e njohur vullnetin e politikës serbe, nuk pres ndonjë mrekulli”, ka shtuar Krasniqi.
Ndërkohë, ka thënë se komisioni në fjalë është bërë vetëm për lajm.
“Mendoj se komisioni është themeluar për të bërë lajm. Ose siç thuhet: ‘Kur s’ke çka bën, luaje derën’”, ka shtuar ai.
Pa dalë e vërteta s’mund të flitet për “dorën e pajtimit”
Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Bajram Çerkini, ka vlerësuar se fillimisht do të duhej të zbardheshin krimet e luftës në Kosovë.
“Pa u ditur e vërteta dhe pa dalë e vërteta në shesh për krime të luftës nuk mund të flet kush për zgjatjen e dorës së pajtimit. Mirëpo, duhet të kuptohet e vërteta se çka po kërkohet në këtë komision të formuar. Kur të del e vërteta në shesh, ky komision ka shumë punë, ky komision nuk mund të themelohet aq shpejt”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka vlerësuar se para krijimit të komisionit duhet që të zgjidhet çështja e të pagjeturve.
“Në radhë të parë institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i kryejnë detyrat, kur dihet se ne ende kemi persona të zhdukur, të pagjetur, dhe mendoj se shteti i Kosovës është dashur të ngritë padi për të gjitha ato që i ka bërë Serbia në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, ka thënë se rreth këtij komisioni duhet të pyeten familjet e viktimave, invalidë të luftës e veteranë të luftës.
Kurse politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se komisione të tilla janë krijuar në shumë vende pas luftërave.
“Komisione të tilla të së vërtetës e pajtimit janë ngritur pothuajse në të gjitha vendet ku ka pasur luftë që i ka paraprirë një diskutim gjithëpërfshirës dhe gjithëpopullor. Efektet kanë qenë modeste por pavarësisht kësaj simbolika është e fuqishme”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ky këshill nuk është zëvendësim për punën institucionale të organeve e gjykatave e as të qeverisë e ministrive e të komisionit për të pagjeturit.
Nga ana tjetër, Komisioni në fjalë është përkrahur nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.