Drejtësi për viktimat e 10 shkurtit
Babai i Arben Xheladinit kërkon drejtësi për djalin e vrarë 10 vjet më parë. “Në qoftë se shteti dhe Qeveria i konsideron këta dy djem, Arbenin dhe Monin, si pjesëtarë të vet, si anëtarë të këtij shteti, ata duhet të gjejnë forma dhe të interesohen për të sjellë drejtësinë në vend”, thotë Shaban Xheladini, shkruan gazeta Zeri.
Dera është e hapur dhe shtëpia e mbushur plot miq. Dhe secili që shkon has në mikpritjen e familjes së Arben Xheladinit.
Në përvjetorin e dhjetë të vrasjes së tij, ndonëse të moshuar, prindërit e Arbenit, Shabani dhe Resmija, ngrihen e tregojnë respektin për ata që shkojnë t’i vizitojnë e të solidarizohen me dhimbjen e tyre.
Por, në këtë shtëpi nuk ka shkelur ndonjë këmbë udhëheqësish të shtetit. Për ngushëllime as para dhjetë vjetësh, as pas tyre Shaban Xheladini tregon se nuk i erdhi askush nga Qeveria.
Ai thotë se i biri i tij u vra në një protestë paqësore dhe të drejtë, dhe se biri i tij ndodhej në atë protestë për të mirën e vendin, paqësisht.
“Sjelljet e pushtetit brenda këtyre dhjetë vjetëve edhe më shumë na kanë prekur. Janë sjellë sikur Arbeni dhe Moni mos me qenë të Kosovës”, thotë Shabani, 82-vjeçar, babai i Arbenit.
Ai thotë se institucionet e Kosovës nuk janë angazhuar fare rreth zbardhjes së rastit dhe dënimit të kryerësve të vrasjes, sikurse nuk ka ndodhur kjo punë në Kosovë, apo siç shprehet ai, nuk ka ndodhur me banorë të Kosovës.
“Arbeni ka marrë pjesë në një protestë paqësore dhe të drejtë. Ka qenë protestë që është munduar të mbrohet Kosova”.
Xheladini shpreh bindjen e tij se protestat janë mbajtur për t’i ndihmuar Kosovës dhe popullatës së saj.
“Tek ne nuk vlerësohet ajo, tek ne në qoftë se nuk je me mua, je armik imi. Pa marrë parasysh a mundohesh për të mirën e Kosovës apo jo, nëse nuk pajtohesh personalisht me mua, armik je. Kjo po na kushton sot, do të na kushtojë dhe nesër”.
Babai i Arbenit apelon tek shteti për drejtësi.
“Në qoftë se shteti dhe Qeveria i konsideron këta dy djem, Arbenin dhe Monin, si pjesëtarë të vet, si anëtarë të këtij shteti, ata duhet të gjejnë forma dhe të interesohen për të sjellë drejtësinë në vend, qe dhjetë vjet nuk është bërë asgjë”, tha ai.
Shabani thotë se nëse nuk mund të identifikohen një ose dy veta që kanë shtënë nga policët rumunë, kërkon që të gjenden forma dhe të kërkohet përgjegjësi nga ta si grup.
“Këtë e ka kryer UNMIK-u, nuk e di pse këta (udhëheqësia) po frikësohen. Nuk mundesh të mohosh pjesëtarin tënd, të shtetit tënd, banorin tënd, nuk mund ta mohosh për hatër të UNMIK-ut, për hatër të askujt, Qeveria dhe shteti duhet mbrojtur anëtarët e vet”, thotë Shaban Xheladini në rrëfimin e tij për “Zërin”
Arbeni, djali që u rrit në protesta
Në familjen Xheladini tregojnë sesi Arbeni ishte djalë i rritur në protesta.
Në vitin 1989 Arbeni kishte qenë në rend të parë me protestues, ku kishte marrë një plumb gome në gjoks.
Por kjo iu ishte fshehur prindërve që të mos merakoseshin.
“Nga mosha tetë vjet e gjysmë, pra në vitin 1981, më 26 mars, kur kanë rrahur studentët në qendër të studentëve, ai ka parë kur kanë kërcyer djem e vajza nga dritaret prej katit të dytë e të tretë dhe ky si i vogël ka shkuar aty nuk është frikësuar , i ka parë duke rrahur vajzat e duke i shkelur në bark policia serbe...dhe pastaj me atë fizikun e 8-vjeçarit iu kishte bartur ujë e bukë, kishte blerë vezë, i kishte zier e pastaj ua kishte dërguar studentëve”, thotë Xheladini, duke rrëfyer sesi kur ishin kthyer me bashkëshorten në shtëpi nga një vizitë ku ishin, do ta gjenin të birin edhe me njolla balte e pluhuri në rroba, siç tregojnë se ua kishte dërguar bukën studentëve barkas duke u shtrirë për tokë.
Pas kësaj dite, ai thotë se nuk ka pasur protestë në të cilën Arbeni nuk kishte qenë pjesëmarrës.
“Ishte pjesëmarrës aty ku ia merrte mendja se po cenohet e drejta e shqiptarëve dhe e Kosovës. Nuk e donte të padrejtën”.
Gjithë familja thonë se dilnin vazhdimit në protesta.
“Iu thosha fëmijëve, Kosova është e juaja. Unë nuk dua ta lëshoni rastin, i porosisja që ta jepnin kontributin e tyre me ato mundësi që kishin për Kosovën me pjesëmarrjen e tyre, se do të pendohen kur të bëhen pleq si unë, pse nuk dhashë kontribut”, thotë ai, derisa mundohet të mbahet e mos të derdh lot. Në protestën e 1 tetorit të vitit 1997 Arbeni bashkë me motrat do të marrin pjesë në protestë.
Ndonëse humbja e të birit për 82-vjeçarin nuk zëvendësohet dot, ai thotë se po të ishte në moshën e të birit dhe të gjeneratës së re nuk e di çfarë do kishte bërë për të mirën e Kosovës.
“Prandaj është e domosdoshme që të rinjtë po se po, por dhe pleqtë, të mundohen për të mirën e Kosovës. Ata që e kanë radhën për të vuajtur sëmurën pa shkuar në protesta, thyejnë këmbë a kokë në akull, fati nuk dihet, por duhet mbrojtur e drejta e vendit”, thotë Xheladini.
E drejta e vendit thotë se mbrohet me vetësakrifikim.
“Edhe pasuri, shëndet dhe burg duhet sakrifikuar për këtë vend”, thotë ai, duke shtuar se gjeneratat e përparshme që e kanë sjellë gjendjen deri këtu, edhe ata kanë sakrifikuar.
“Asgjë Kosova nuk ka marrë në pjatë edhe përpara kanë luftuar, kanë vuajtur, janë burgosur e janë rrahur”, deklaroi babai i Arbenit.
Ai thotë se i biri i tij nuk kishte qenë me ndonjë parti politike.
“Por ka qenë adhurues i Albin Kurtit, në atë protestë ai ka qenë sepse e ka ditur që është e drejtë se dhe Plani i Ahtisarit është i dëmshëm për Kosovën”.
E ëma Resmija: Nuk po mund të pajtohem me humbjen e djalit
Ndërsa e ëma e tij, Resmija, e cila dha kontribut në arsim si mësuese, thotë se e ndjente sikur diçka do të ndodhte.
“Nuk pata fuqi as të dilja ta përcillja tek dera. Lutesha që protesta të përfundonte derisa ai të shkonte poshtë në shesh”, thotë ajo, derisa tregon se i ishte lutur të birit të mos dilte në protesta.
Edhe e ëma e Arbenit ndihet e prekur që nuk pati drejtësi për të birin tash e dhjetë vjet.
“Nuk po mund të gjej fjalë e të pajtohem. Kam punuar mësuese 46 vjet, 46 orë sikur të mbaja mësim është dashur të të vlerësoj dikush, udhëheqësia jonë nuk ka gjetur kohë as pesë minuta të vinte e të na vizitonte, a jeni gjallë, si po kaloni, ka ndodhur kjo? Por jo, kurrë nuk kanë qenë”, thotë ajo.
Arbeni ishte djalë i gjeneratës që në vitin 1991, detyroheshin të braktisnin vendin duke kundërshtuar pjesëmarrjen në ushtrinë jugosllave. Arbeni largohet përkohësisht nga Kosova për në Turqi, duke u strehuar në një familje të tij në qytetin Bursa.
Më 10 shkurt të vitit 2007, dita në të cilën Lëvizja “Vetëvendosje” kishte organizuar protestë për të shprehur pakënaqësinë me gjendjen në Kosovë, Arbeni Xheladini dhe Mon Balaj u vranë kurse dhjetëra të tjerë u plagosën.