'Heroi' i protestave, 30 herë i arrestuar

Aktuale February 11, 2017 - 08:25

I arrestuar mbi 30 herë nga policia, pjesëmarrës në dhjetëra protesta, pjesëtar i UÇK-së, UÇPMB-së..., i lënduar disa herë, një pjesë të kohës të kaluar nëpër burgje, Sali Zyba është i gatshëm sërish të protestojë, e edhe të luftojë për luftë çlirimtare, po që se e kërkon nevoja. Zyba njihet si heroi i protestave, shkruan sot, gazeta Zeri.

Sali Zyba, aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje” që nga themelimi i saj, tashmë drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, konsiderohet “heroi” i protestave dhe arrestimeve në Kosovë. Në një rrëfim ekskluziv për “Zërin”, Zyba sjell momente të vështira, të mira, mbi të gjitha të paharruara për kohën sa kaloi, më shumë se 30 herë, nëpër duar të policisë e nëpër burgje.

Më 2005, i ndaluar për herë të parë, Zyba nuk do që ta kujtojë herën e fundit kur është arrestuar, pasi që, sipas tij, hera e fundit ende nuk ka mbërritur.
“Për herë të parë në 2005-ën, në njërin prej aktiviteteve të “Vetëvendosjes”, e fundit nuk besoj që është ende e fundit. Kemi kohë për t’u arrestuar prapë, për të bërë aktivitete prapë, për të kontribuar prapë”, shprehet Zyba për gazetën “Zëri”.

E si i lënduar disa herë , ai thotë se pasojat afatgjate sa u përket lëndimeve kanë qenë të dukshme. Siç tregon Zyba, prejse e kishte lënduar boshtin kurrizor, edhe sot e kësaj dite ndihet efekti i këtij lëndimi. Porse, me bindje të thellë, ai thotë se do të vazhdojë tutje. Nuk do të ndalet.
“Po, një lëndim personalisht ka qenë në boshtin kurrizor, që ndoshta edhe sot pason kjo si vuajtje, por nuk e konsideroj se më ndal në aktivitet”, shton ai.
Përkundër asaj se ai përjetoi momente jo të lehta, arrestime, përjetime në burgje e lëndime, nuk ndihet i penduar për as edhe një veprim që e çoi shumë herë drejt prangave. Përkundrazi, ai thotë se me veprimet e tija ka kontribuar për vendin e tij.

 Një polic na solli molla nga shtëpia

Ndërkohë, gjersa kujton momentet që kaloi në burg, Zyba sjell në kujtesë momente të mira e të këqija. Me një nostalgji të dukshme, ai zbulon mirësinë e një polici të 50-tave, i cili para rreth 5 vjetësh u kishte sjellë të burgosurve molla nga shtëpia e tij, pasi ata nuk pranonin të hanin produktet e Serbisë. Porse, kishin vendosur të futeshin në grevë.
“Kur 3 racione u refuzuan, njëri prej policëve kishte marrë molla në xhep prej shtëpisë dhe erdhi me lot në sy e na dha nga një mollë, e tha: ‘ju siguroj që është e mollëve të mia, është e shtëpisë, mos e çoni veten poshtë’”, rrëfen Zyba.
Por, përpos momenteve të mira, ai tregon edhe momente të cilat i cilëson si negative. Gjersa po qëndronte në burg me aktivistë të tjerë, pas ankesave që kishin bërë për mosposedim të ujit, një zyrtar i një organizate që kishte ardhur t’i vizitonte i kishte “qortuar” për ankesat, pasi që siç tregon ai, zyrtari në fjalë u kishte thënë se ai burg nuk ishte asgjë në krahasim me atë të Serbisë.
“Në një vizitë që e kemi pasur këtu prej njërës organizatë, këshillit të të drejtave të njeriut, njëri prej zyrtarëve aty (ka pasur dy vjet që s’ka pasur ujë dhe një shqetësim i yni për kushtet e ujit), tha “more trusni se mirë jeni, se nuk e dini çka është burgu i Serbisë, domethënë ai e kishte vuajtur burgun e Serbisë, por gjeti një formë për të na poshtëruar, për të na thënë trusni”, vazhdon ai.

 Paqësore, aktive e masive ishte protesta e 10 shkurtit

Ndërkohë, teksa kujton protestën e 10 shkurtit, Zyba me dhimbje kujton dy aktivistët të cilët humbën jetën gjatë kësaj proteste, Mon Balajn e Arben Xheladinin. E edhe në këtë protestë, e cila tashmë ka mbushur 10 vjet prej se është mbajtur, Zyba nuk i kishte shpëtuar arrestimit. Paqësore, aktive e masive. Këto janë fjalët me të cilat Zyba fillimisht e përshkruan protestën në fjalë. Por, gjithçka ndërroi më tej, kur sipas tij, kjo protestë nisi të kthehej në dhunë nga të tjerët.
“Atë ditë ka pasur protestë paqësore, protestë aktive qytetare, ka qenë shumë masive, dhe ajo protestë, ajo energji, ai masivitet, u kthye në një dhunë të pushtetit, atëherë në përbërje të forcës që kanë qenë mekanizmat ndërkombëtarë, që e kanë mbështetur dhe ekzekutuar këtë dhunë”, shton ai.
Kurse, në mesin e 13 të arrestuarve, aq sa mban mend Zyba, kishte edhe nëna të të pagjeturve.  Ndërkohë, gjersa tregon se kishte vuajtur plot 32 ditë në burg, si pasojë e këtij arrestimi, ai thotë se ky dënim nuk ishte asgjë në krahasim me bilancin e të lënduarve e viktimave që pësuan atë ditë.
“Por vuajtja e burgut nuk ka qenë për t’u përmendur në raport me humbjet që kanë qenë, 2 të vdekur, mbi 33 të lënduar, 2 rëndë, Zenel Zeneli ka ende plumbin afër zemrës. Ata kanë vuajtje të rënda, të përjetshme”, shprehet ai.
Zyba më tej tregon sesi burgu ia kishte humbur dy ceremoni mortore të të afërmve. Ndonëse kishte ndier dhimbje, ai e kishte pasur të pamundur të ishte pjesë e këtyre ceremonive, pasi që as nuk kishte qenë i informuar se kishte humbur dy njerëz që i kishte njohur për kohë të gjatë, dy të afërm që nuk do t’i shihte më. Kurrë!
“Në vitin e kaluar sa isha në Gjilan kemi pasur dy vdekje për një ditë, për çka s’kam qenë i informuar, në seancë e kam kuptuar, ka vdekur prindi i së shoqes dhe një kushëri shumë i afërt. Për të dy kam ndier dhimbje. Është kryer ceremonia pa prezencën time, janë momente që nuk harrohen, por të kthyeshme më nuk janë”, tregon ai.

 Protesta, derisa ekziston “Vetëvendosja”

E por, pos momenteve të hidhura, Zyba thotë se burgu një aktivisti i shërben edhe për të mirë. Posaçërisht për t’iu kthyer leximit të zakonshëm. Kurse, pos këtyre, ai tregon se edhe në burgje ka pasur raste kur të burgosurit janë kthyer në Lëvizjen “Vetëvendosje”. 
“Po, sigurisht, ne nuk jemi “Vetëvendosje” vetëm në zyrat tona, ose vetëm kur jemi në tubim ose në shesh, por ne jemi çdokund me qytetarin”, është shprehur ai.
Ndërkohë, thotë se protestat nuk do të ndalen gjersa të ekzistojë “Vetëvendosja”.  E gjersa protestat nuk ndalen, as ai nuk ka për të pushuar. Aktiv në çdo protestë ka për të qenë. Kështu paralajmëron Zyba.
Kurse, gjersa tregon mbi atë se pse pikërisht ai është arrestuar mbi 30 herë, Zyba thotë se një gjë e tillë ka të bëjë për shkak të angazhimit permanent dhe “grupit të ngushtë të LVV-së”. “Nuk jam i vetmi, kjo për shkak të identifikimit si grup më i ngushtë i “Vetëvendosjes”, dhe për shkak të angazhimit që e kam pasur gjatë gjithë kohës, kemi qenë edhe të përcjellë”, rrëfen Sali Zyba i Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Si i arrestuar edhe për heqje të flamurit shtetëror para pak vitesh, ai nënvizon se ky flamur është i imponuar. I papranueshëm. Për të cilin nuk luftuan ata që luftuan. Andaj, ai dhe “Vetëvendosje”, thekson Zyba, do të angazhohen vazhdimisht për bashkimin kombëtar. Sot dhe nesër. Deri në arritje.