Koci: Për t'u ekstraduar Haradinaj në Beograd duhet edhe miratimi i Ministrit francez të Drejtësisë

Aktuale February 10, 2017 - 13:49

Edhe në rast se Gjykata në Colmar të Francës vendos për ta ekstraduar Ramush Haradinajn në Beograd, para se kjo të ndodh do të duhet që edhe Ministria e Drejtësisë së Francës ta miratojë një vendim të tillë. 

Kështu sqaron procedurat avokati i kreut të AAK’së në Kosovë, Arianit Koci. Megjithatë ai është i sigurt se çështja e ish-kryeministrit kosovar do të përfundojë me 2 mars, kur siç thotë ai gjykata franceze do të refuzojë ekstradimin e Haradinajt dhe do ta lirojë atë. 

“Por, në rast që gjykata në Colmar, vendos që ta ekstradoj z. Haradinaj, atëherë duhet edhe miratimi i Ministrit të Drejtësisë që të vendoset për ekstradim”, ka thënë për Gazetën Express, avokati Koci. 

Ai përsërit se kërkesa e Serbisë është politike, dhe riciklim i akuzave që janë trajtuar në Tribunalin e Hagës dhe thotë se Serbia, thjesht, po e keqpërdor të drejtën ndërkombëtare.

“Ndaj z. Haradinaj e kanë një inat të posaçëm. Nuk ja falin luftën për pavarësi dhe betejat e fituara kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ramushi është hero i gjallë, prandaj sulmi ndaj tij është sulm ndaj Kosovës”, tha tutje Ariani Koci. 

Sipas tij Serbia është duke e shantazhuar edhe Francën për rastin Haradinaj.

“Udhëheqësit në Beograd kanë thënë publikisht se nëse nuk e ekstradojnë z. Haradinaj në Serbi, atëherë as ata nuk do ta ekstradojnë askënd në Francë”, tregoi Koci të premten për Gazetën Express.