Kadaj- Bujupi flet lidhur me rastin e Haradinajt

Aktuale February 09, 2017 - 19:14

Gjykata franceze e Apelit ka shtyrë deri më 2 mars vendimin për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me kërkesën për ekstradimin e tij në Serbi.

Kjo shtyrje e vendimit ka ndodhur për arsye se prokuroria ka kërkuar informata shtesë nga Serbia për shumë çështje, ka bërë të ditur zëdhënësja e gjykatës, Sandra di Rosi.

E këtë vendim të gjykatës në Lëvizjen Vetëvendosje e cilësojnë të papranueshëm.

Deputetja e VV-së, Donika Kadaj- Bujupi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nënshtimi i qeverisë dhe dialogu pa parime, po prodhon goditje të vazhdueshme për Kosovën.

“Çdo arrestim i veteranëve të UÇK-së në këtë rast të komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit me urdhëresa të Serbisë së Millosheviqit dhe neomillosheviqëve, është i papranueshëm për ne si Vetëvendosje. Gjithashtu nënshtrimi i qeverisë në një dialog pa parime dhe pa kushtëzime për Serbinë prodhon padrejtësi dhe goditje të vazhdueshme për Kosovën, UÇK-në dhe luftëtarët”, ka thënë Kadaj- Bujupi.

Haradinaj është arrestuar me katër janar në aeroportin e Bazelit nga autoritet franceze, pasi Serbia si anëtare e Interpolit kishte lëshuar një flet-arrest ndërkombëtar për Ramush Haradinajn në vitin 2004.