'Ramush Haradinaj do të kthehet, asgjë s'e ndal'

Aktuale February 07, 2017 - 11:19

Arianit Koci, avokati i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar në Facebook për të treguar që të enjten do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë që ka të bëjë me ekstradimin e Haradinajt.

“Pasnesër prej orës 14.00 në Colmar, do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë, për ekstradimin e z. Haradinaj. Dua të theksoj që është evidente që kërkesa e Serbisë është politike. Pse duhet Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, në kontinuitet të deklarohen në media, për këtë çështje?

Mos të harrojmë se Aleksandar Vuçiq ka qenë ministër për informacion në kohën e Millosheviqit dhe Ivica Daçiq ka qenë zëdhënës i partisë SPS.

Pushtetarët serb nuk do t’ia falin kurrë z. Haradinaj, anagazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit.

Sidoqoftë, kërkesa për ekstradim është e pabazuar, madje, edhe është një keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë.

Haradinaj është liruar nga ana e Tribunalit të Hagës, dhe të gjitha pretendimet e Serbisë janë reciklim i atyre akuzave. Ramush Haradinaj do të kthehet.Asgjë s’e ndalë!”, ka shkruar Koci në Facebook.