Muri 'rrënoi' zotimet
Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është “rrënuar” të martën, pasi që serbët lokalë nuk e shembën murin në veri të Mitrovicës e as Qeveria nuk mori masa ndaj këtij ndërtimi ilegal.
Ekzekutivi i vendit përgjegjësinë për largimin e murit ia hedh Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. E këta të fundit edhe pse rikonstatojnë se muri në veri është ilegal, nuk kanë arritur ta rrënojnë të njëjtin. “Ne mbesim në gatishmëri dhe dispozicion për t’i përmbushur obligimet ligjore dhe kushtetuese ndaj vendit, por njëkohësisht lëmë të hapur që ky problem të gjejë zgjidhje përmes dialogut, për çka jemi në pritje”, thuhet në komunikatën e MMPH-së.
Ndërsa ministrja për Dialog me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se institucionet më të larta shtetërore po punojnë intesivisht në largimin e murit. “Sa i takon heqjes së murit, institucionet me të larta shtetërore po punojnë intensivisht për heqjen e tij dhe sigurimin e lëvizjes së lirë, sipas standardeve më të larta evropiane dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Tahiri..
Haliti: Pak rëndësi ka kur rrënohet muri, ruajtja e raporteve është e rëndësishme
Por, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, shprehet se prej fillimit ka qenë skeptik se muri do rrënohet brenda afatit të caktuar në Rezolutë. Ai thekson se largimi i murit me forcë do të ishte një përgjigje karshi provokimeve të Serbisë. “Nganjëherë ne po provokohemi nga situatat që po i krijon artificialisht Serbia dhe po përpiqemi të japim urdhra nga Parlamenti në variantin që kërkon shumë faktorë që t’i implikohen, dhe në këtë rast janë të implikuar shumë faktorë të cilët t’i bashkojnë mendimet”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, pak rëndësi ka se kur do të rrënohet muri, siç shprehet ai, më rëndësi është ruajtja e raporteve me Serbinë. “Nëse muri rrënohet edhe në mars nuk ka ndonjë rëndësi, me rëndësi është në këtë fazë të mos krijojmë situata konfliktuale në mes të shqiptarëve”, ka thënë Haliti.
Ai më tej shton se, edhe disa çështje si ajo e murit nuk zgjidhen me rezoluta, por me dialog. Haliti e vlerëson lart rëndësinë e dialogut në rrëzimin e murit, madje sipas tij, çështje e murit do të duhej të diskutohej edhe në Bruksel. “Unë besoj se dialogu duhet të shfrytëzohet maksimalisht në nivele normale pa presione do të thosha të përditshme politikanësh për interesa elektorale dhe pa presion të askujt tjetër, por në kushte të normalitetit duhet të bisedohet”, ka potencuar ai.
Opozita e bashkuar dëshiron rrëzimin e Qeverisë
Shkelja e Rezolutës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës ka ribashkuar tri partitë më të mëdha opozitare në vend. LVV-në, AAK-në dhe “Nismën për Kosovën”, përmes një takimi të iniciuar kanë kërkuar largimin e Qeverisë. “Zgjedhja më e mirë është që kjo Qeveri të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje pasi kjo është cenim i Kushtetutës së vendit, nuk ka kuptim që kjo qeveri të vazhdojë më tutje”, ka thënë Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Tutje subjektet opozitare në vend kanë bërë të ditur se në qoftë se gjendja në veri të vendit vazhdon dhe muri nuk largohet, do të ketë protesta ose demonstrata siç thonë ata, varësisht prej rrethanave. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së ka thënë se kur është puna tek çështjet nacionale, opozita është gjithmonë e bashkuar.
Haxhiu: Muri rrënohet kur Qeveria largohet
Ndërkaq në Lëvizjen “Vetëvendosje” deklarojnë se muri largohet vetëm me heqjen e Qeverisë. Deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Republika e Kosovës nuk mund të forcohet nëse vazhdon të qeveriset nga njerëzit e njëjtë. “Nuk mund të ketë forcim të Republikës përderisa në lejojmë që të qeverisemi nga këta njerëz të cilët po rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve dhe Republikës. Për ta hequr murin dhe për ta ndalur Serbinë duhet së pari të angazhohemi për heqjen e kësaj Qeverie”, ka thënë Haxhiu.
Më tej ajo tregon se subjekti që ajo përfaqëson ka qenë i vetëdijshëm se gjëra të tilla siç është ajo e murit do të ndodhin. “Ne kemi qenë të vetëdijshëm që kjo Qeveri nuk do ta ketë vullnetin dhe guximin për të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e vendit tonë, pikërisht për shkak të lëshimeve dhe nënshtrimeve të vazhdueshme karshi Serbisë.”, ka përfunduar Haxhiu.
“Nisma”: Nuk është hera e parë që injorohet kuvendi
Drejtues të “Nismës për Kosovën” e vlerësojnë si alarmante mosrespektimin e Rezolutës në Kuvend. Deputetja e këtij subjekti, Valdete Dushica – Bajrami, thekson se Kuvendi u injorua edhe një herë nga njerëzit udhëheqës të këtij institucioni. “Dua të theksoj se edhe kreu i Kuvendit e shkeli një vendim të parlamentit, të cilin ai edhe e udhëheq. Nuk është hera e parë qe Qeveria nuk i respekton vendimet e kuvendit por është shumë alarmante injoromi i tyre karshi situatës së krijuar në veri”, ka thënë Bajrami.
Sipas saj, me mosrespektim të rezolutës po konfirmohet ndarja e vendit. “Dje ka qenë dita e fundit kur është dashur të rrënohet muri, kjo për faktin se Parlamenti e ka kërkuar me anë të miratimit të Rezolutës”, ka përfunduar ajo.
Abazi: Premtimet e Qeverisë, të kota
Kurse, drejtori i “Rockefeller Brother” në Kosovë, Haki Abazi, i ka konsideruar si të kota premtimet për rrënimin e murit në veri të vendit. “Muri është mollë sherri dhe do të ketë pasoja në cilindo rast. Premtimet janë të kota dhe shënojnë fundin e një strukture politike, e cila tani është ekspozuar për paaftësinë që ka”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, bisedimet janë të dështuara, duke qenë kështu, Abazi vlerëson se dialogu në Bruksel ka sjellë dëme të jashtëzakonshme. “Dialogu është i dështuar, shterp dhe me dëme të jashtëzakonshme. Dialogu në përmbajtje ka ndalur procesin e shtetndërtimin dhe ka zhvendosur fokusin e institucioneve nga progresi në reaksion ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve”, ka përfunduar Abazi.
Në anën tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se ka qenë e pritur mosrespektimi i rezolutës për murin. “As që është pritur se Rezoluta do të zbatohet, siç nuk zbatohet zakonisht asnjë rezolutë që miratohet nga Kuvendi. Muri është ende ku ka qenë, ndërkaq për të do të diskutohet në Bruksel”, ka potencuar ai. Derisa thotë se inkuadrimi i murit në bisedime nuk duhet pranuar. “Kjo nuk do të duhej të pranohej nga udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, sepse çështja e murit është çështje e brendshme e Kosovës, e cila duhet zgjidhur bazuar në ligjet e Kosovës dhe nuk ka pse të bisedohet për të me Beogradin”, ka thënë Mushkolaj.
Ndryshe ai thotë se institucionet vetëm duhet ta zbatojnë ligjin dhe të veprojnë, duke e konsideruar murin një ndërtim ilegal.