'Vetëvendosja', e vetme në zgjedhjet e ardhshme

Aktuale February 03, 2017 - 08:05

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje” (LVV), Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e ardhshme subjekti që ai përfaqëson do të hyjë në koalicion me shoqërinë civile dhe me njerëz nga shkenca e historia, por jo me AAK-në dhe “Nismën”.

Sipas Konjufcës, AAK-ja e “Nisma” synim e kanë postin e kryeministrit, kusht ky i panegociushëm nga “Vetëvendosja”.

Ndryshe, Konjufca në një intervistë për gazetën “Zëri” ka deklaruar se pas shkeljes së rezolutës për rrënimin e murit në veri, LVV-ja dhe dy subjektet tjera opozitare do të vazhdojnë me protesta varësisht prej rrethanave që do vijnë në ditët në vijim. Ai më tutje i ka kritikuar takimet e nivelit të lartë të dialogut politik në Bruksel derisa ka theksuar se Gjykata Speciale është një gabim i madh dhe me tendenca raciste.

Ndërkohë, Konjufca e komenton edhe deklaratën e akademik Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh. Ai mendon se Kosova  në këto momente duhet angazhuar në ruajtjen e trojeve të vendit dhe duhet të ndalojë se maturi kufijtë sepse madhësia e tyre dihet. Për shqiptarët në Maqedoni Konjufca ka rekomanduar se duhet të jenë të bashkuar sepse pa ta rrëzohet qeveria maqedonase.

Zëri: Pas një viti Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e tani “Nisma” u bashkuan prapë si opozitë, kësaj radhe siç keni deklaruar për ta rrëzuar Qeverinë? Cilat janë planet juaja si opozitë?

Konjufca: Ka kaluar muaji janar, sot jemi më 2 shkurt dhe ka kaluar afati i kësaj rezolute. Tash ndodhemi në ditën e dytë të shkeljes së kësaj rezolute prej Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo nuk ishte thjesht një rezolutë e opozitës, kjo ishte një rezolutë e të gjitha subjekteve politike, të cilat u bashkuan përreth një qëllimi. Dhe vetë fakti që deputetët e pozitës trumbetuan me pompozitet atë ditë që do të rrënohet muri, që Qeveria është e vendosur, që nuk ka alternativë heqja e murit, në anën tjetër shohim Qeverinë e cila nuk e respekton vullnetin e Parlamentit të Kosovës.

Tash këtu rrjedhin ca probleme

I pari problem është se çfarë kuptimi ka Kuvendi i Republikës së Kosovës, sepse nëse ne kemi themeluar kuvend, nëse relacioni mes Kuvendit dhe Qeverisë definohet nga Kushtetua e Republikës së Kosovës, atëherë çfarë kuptimi ka të merren vendime kur ata nuk zbatohen. Kjo e dërgon Kosovën drejt një faze kritike politike, shqetësimi është që tash po instalohet si praktikë dhe po etablohet si mentalitet qeverisës.

Kjo që Kuvendi shpërfillet nuk ka kurrfarë rëndësie se çfarë merr vendim Kuvendi, në fund Qeveria e bën punën si do ajo. Për këtë arsye ne u takuam dje, mirëpo munguan shefat e grupeve të dy subjekteve më të mëdha politike, të cilat e përbëjnë edhe koalicionin qeverisës. Ishte vetëm opozita e pranishme, në fund të takimit ne nxorëm një deklaratë në të cilën e kritikuam Qeverinë dhe kërkuam ndërprerjen e dialogut.

Zëri: A planifikoni të organizoni protesta për rrëzimin e Qeverisë, nëse po, prej kur?

Konjufca: Protestat do të ndodhin sipas rrethanave, janë të kushtëzuar. Protestat nuk janë qëllim në vetvete, ato bëhen kur krijohen kushtet. Deri më tash nuk kemi ndonjë plan për të organizuar një protestë, tash së shpejti. Mirëpo, protestat janë gjithmonë si potencialitet i organizimit të opozitës së bashkuar, duke qenë që temat për të cilat ne kemi qenë shumë të vendosur dhe të organizuar që të mos i lejojmë të ecin përpara. Këtu e kam fjalën për Demarkacionin dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Rezistenca e opozitës i ka ndalë këto dy projekte, mirëpo unë nuk do të thosha që ato projekte kanë vdekur. Qeveria do të insistojë deri në fund t’i zbatojë këto projekte sepse figurat e caktuara politike udhëheqëse e kanë lidhur fatin e tyre personal edhe politik me zbatushmërinë e këtyre projekteve.

Zëri: A mund të ketë protesta dhe destabilizim të situatës së sigurisë në vend nëse Gjykata Speciale ngre aktakuza ndaj drejtuesve të UÇK-së?

Konjufca: Mund të ketë destabilizim, por ta kemi parasysh një gjë, destabilizimi ndoshta nuk do të mundë të vinte prej atyre që akuzohen, kurse këta që akuzohen janë ata që e kanë sjellë Gjykatën Speciale dhe e kanë votuar në Kuvend. Mirëpo tash të krijohet një gjykatë e karakterit ndërkombëtar dhe të thuhet që vetëm krimet e shqiptarëve duhet t’i gjykojmë, kjo menjëherë etablon një lloj të vërtete.

Nuk është shqetësimi më i madh dëmtimi i skenës politike, shqetësimi më i madh është dëmtimi i kombit dhe dëmtimi i shtetit, natyrisht skena politike vjen e treta me radhë, dëmi më i madh dot’ i shkaktohet kombit sepse po flitet për një gjykatë që ceket në emër të krimeve që ajo do t’i trajtojë. Kur thuhet krimet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja ia jep Gjykatës një dimension specifik të punës që do ta kryejë ajo.

Të krijohet një gjykatë që nuk është në kompetencë të Kosovës dhe të përjashtohet nëpunësi vetëm pse është shqiptar, pra nuk mund të punojë asnjë shqiptar në atë Gjykatë është e vendosur me Rregullore, ka premisa raciste për mendimin tim, sepse krijohet një lloj ideje sikur të jesh shqiptar automatikisht nuk mundesh të posedosh kapacitete të prodhosh drejtësi, nuk mundesh të jesh gjyqtar.

Kjo Gjykatë në të vërtetë ka elemente për ta refuzuar, por opozita nuk ka fuqi ta refuzojë. Forcën në dorë e ka Qeveria, kryeministri, presidenti.

Zëri: Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se do të ishte mirë të krijohej një listë parazgjedhore me subjektet opozitare dhe shoqëria civile në mënyrë që të arrihet pushteti në zgjedhjet e ardhshme. Sa gjen përkrahje ky propozim i Ahmetit?

Konjufca: Më duket se me “Nisëm” dhe AAK-në puna është larguar për mundësinë e krijimit të koalicionit qeveritar. Mua më duket mundësia e afrimit pak e largët, duke e marrë parasysh edhe qëndrimet zyrtare të këtyre dy partive. Prononcimi i z. Haradinajt dy javë para se të arrestohej në Francë, i cili thotë se qëndrimi zyrtar i bllokut AAK-“Nisma” është që të mos bëjë koalicion parazgjedhor me LVV-në.

Kështu që duke i marrë parasysh edhe qëndrimet zyrtare, kjo është pothuajse e pamundshme që të ndodhë. Rruga e LVV-së do të jetë që t’i afrojë të tjerët, të bëjë një koalicion me shoqërinë civile edhe me shoqata të ndryshme me njerëz intelektualë, të cilët kanë ndikim, analizat e tyre çojnë peshë dhe fjala e tyre është e rëndësishme.

Me njerëz të këtij lloji ne do të bëjmë marrëveshje, do ta krijojmë një listë të përbashkët. Kurse me AAK-në dhe me “Nismën” mua më duket një mundësi e largët sepse kemi provuar atëherë, ishte viti i kaluar, kanë qenë këto përpjekje dhe krejt kanë përfunduar me një pamundësi të marrëveshjes së përbashkët për t’i bërë më shumë trysni Qeverisë dhe për shkak të presionit të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Unë mendoj që ky bllok i cili është, AAK-ja dhe “Nisma”, ndonëse nuk e thonë publikisht, motivimi i tyre kryesor dhe motivimi i tyre objektiv është posti i kryeministrit dhe LVV-ja nuk është e gatshme.

Zëri: Nuk jeni të gatshëm për negocim të postit të kryeministrit?

Konjufca: Unë mendoj që s’do të ishte një ide e mirë, nuk mendoj që do të ishte zgjidhja e mposhtjes, por s’do ta ofronte mundësinë që të ishte një qeveri e udhëhequr nga LVV-ja. Mendoj se gjitha qeveritë dhe gjitha matematikat tjera Kosova i ka provuar deri më tash. Këta nuk e kanë provuar dhe kjo do të ndodhë në Kosovë.

Zëri: Të mërkurën në Bruksel u mbajt takimi i dytë i nivelit politik mes krerëve kosovarë e serbë në ndërmjetësimin e Federika Mogherinit për stabilizimin e marrëdhënieve në Ballkan, si i shihni këto takime të nivelit të lartë politik në Bruksel?

Konjufca: Por tash pas këtyre tensioneve të fundit sidomos pas ndërtimit të murit dhe arrestimit të z. Haradinajt në Francë, si dhe pas dërgimit të njësive të Policisë së Kosovës atje për t’u përballur me trenin, i cili dërgohej drejtpërdrejt nga Serbia, ka pasur një përpjeke unë do ta quaja protoganizëm të theksuar të presidentit Thaçi që të marrë dialogun nga duart e Isa Mustafës.

Unë mendoj që ka një garë mes Thaçit dhe Mustafës sa i përket se cili do të jetë më i afërt dhe cili do të jetë më i pranueshëm për Vuçiqin dhe presidenti ynë me veprimet e tij, të cilat i mbron si vendimmarrje, por të cilat nuk i përkasin presidentit, dëshiron që të tregojë njeriun pa të cilin marrëveshjet dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të bëhen.

Pra, e vendos veten si një njeri i pazëvendësueshëm i stabilitetit rajonal dhe kjo mendoj që është një skemë e projektuar nga vetë ai, nga vetë presidenti Thaçi.

Mua po më duket pak si e orkestruar kjo kur Vuçiq dhe Mustafa i shtrëngojnë duart dhe qeshin, kurse Nikoliqi me Thaçin përlahen, grinden edhe përfundojnë me qortimet e Mogerinit se kanë dalë jashtë kornizave të marrëveshjeve gjentilmene le të themi të cilat realizohen brenda takimeve të mbyllura në Bruksel.

Mua më duket se ky tension që është nxitur është duke e ushqyer presidenti Thaçi, uroj të mos ketë lidhje me atë që pritet të ndodhë prej Gjykatës Speciale. Sepse këtu ne po spekulojmë, sepse gjithmonë duhet ta shtrojmë pyetjen e duhur, këto veprime të Hashim Thaçit a janë për Kosovën dhe për mbrojtjen e sovranitetit apo janë për vete? Unë mendoj se nëse këto dyja ngarkohen dhe lidhen, ky nuk do të ishte lajm i mirë për Kosovën.

Zëri: Pas provokimeve të fundit nga Serbia, si e shihni situatën e sigurisë në veri të Mitrovicës? A vlerësoni se mund të nxisë konflikt mes palës serbe dhe asaj kosovare rrënimi i murit? A duhet përfshihej kjo çështje në dialog?

Konjufca: Unë nuk mendoj që provokimet e Serbisë janë rritur, unë mendoj që ato kanë qenë konstante. P.sh. nëse e krahasojmë me veprimet e Serbisë, si djegia e kufijve të Kosovës, shtënia mbi trupat e KFOR-it, në vitin 2009 vrasja e zyrtarit të KFOR-it ...etj. Pra, situata e tensioni diçka që ishte e natyrshme, pra duhet të jetë i natyrshëm zbatimi i ligjit. Këtu meqenëse Serbia e kontrollon plotësisht veriun e Kosovës një reagim sado i vogël i shtetit të Kosovës edhe që është zbatim i ligjit atje shkakton tronditje dhe tensione. Kjo ka ndodhur sepse ne kurrë s’kemi tentuar ta zbatojmë ligjin.

Zëri: A duhet diskutuar çështja e trenit dhe e murit në Bruksel?

Konjufca: Në asnjë mënyrë, muri i ndërtuar prej Serbisë është ilegal, por nuk është thjesht ndërtim pa leje se ndërtime pa leje ka me mijëra në veri të Mitrovicës, ky është mur politik. Ky është simbolizim i ndarjes fizike të shtetit të Kosovës prej anës së Serbisë dhe ndarja në mënyrë etnike është lumi, i cili e përcjell kufirin dhe pastaj muri simbol fizik, muri është figurë e ndalimit të shtetit të Kosovës, si një lloj stopi për Kosovën ka kuptim ai, nuk është vetëm një ndërtim pa leje. Ai duhet të trajtohet me prioritet nga ana e shtetit, edhe treni kështu mirëpo treni si një lloj objekti që do të hyjë brenda Kosovës për shkak se është ilegal. Dhe nëse duam zbatim të ligjit, atëherë duhet të tregohemi si shtet.

Zëri: Shefi i Qeverisë ka ripërsëritur se liberalizimi i vizave mund të mos bëhet as sivjet nëse nuk kalon Demarkacioni. Sipas juve, edhe për sa vite mund të mbesin kosovarët pa viza?

Konjufca: Unë mendoj që nëse nuk luftohet korrupsioni kot është që të thirremi në demarkacion. Kjo është vetëm si një alibi për institucionet e Kosovës për t’u justifikuar për mosveprimet e tyre, për mosluftimin e korrupsionit, veprime që ata duhej t’i ndërmerrnin në fushim e luftimit të krimit të organizuar.

Zëri: Si e vlerësoni formimin e Komisionit për Matjen e Territorit nga ana e kryeministrit Mustafa?

Konjufca: Shikoni, kjo është një pikënisje krejt e gabueshme, është përmbysje e rendit të gjërave, ashtu siç duhet të ishin. Rendi i gjërave do të duhej të ishte kështu, na e dimë cili është territori i Kosovës, por kur e vendosin territorin e Kosovës saktë mundemi edhe ta matim. Nuk është veç të themi Kosova sa metra i ka dhe pastaj ku t’i bien ato metra ta vendosim edhe kufirin. Kjo është logjikë e mbrapshtë, më së pari duhet ta dimë ku e ke territorin. Pra, territori i Kosovës është territor shumë i fiksuar. Detyra jonë është ta mbrojmë territorin e Kosovës. Kështu që zgjidhja ka qenë shumë e gabueshme dhe ky Komision është krejt i mbrapshtë.   

Zëri: A e përkrahni idenë e akademik Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh?

Konjufca: Kjo nuk është ide e Qosjes, kjo është përqafuar prej shumë njerëzve, madje është garuar në zgjedhje me këtë ide, ajo parti politike që e ka thënë këtë ide është në koalicion me PDK-në. Unë mendoj që Kosova në kushtet dhe rrethanat aktuale më së miri do të kishte qenë ta kompletojë Republikën e vet, kjo është zgjidhja e “Vetëvendosjes”, unë mendoj që kjo është e mundshme.

Kjo kërkon zhbërje të strukturave të Serbisë, shtrirje të sovranitetit të Kosovëd, sundim i rendit dhe ligjit, një kushtetutë e re për Kosovën e cila shtetin e unifikon e jo e ndan në mënyrë etnike si Kushtetuta e Ahtisaarit edhe një strukturim integral i institucioneve të Kosovës, e kundërta e asaj që ka ndodhur në veri.

Karakterin e shtetit nuk duhet ta fshehim sepse shumicë janë shqiptarët, pakicave duhet t’ua japim të gjitha të drejtat më të larta evropiane, qysh i kanë vendet më të zhvilluara si: Gjermania, Zvicra, Franca e gjitha ato. Ajo që na pret është drejtësia, t’i japim themel shtetit edhe t’i japim mundësi zhvillimit ekonomik.

Zëri: A bënë mirë shqiptarët e Maqedonisë që nuk bënë koalicion me Gruevskin dhe çfarë kërkesash do të duhej të kishin për Zaevin?

Konjufca: Unë mendoj që do të ishte mirë që shqiptarët të mos shkonin në koalicion me Gruevskin, por në anën tjetër edhe Zaevi nuk është se ka treguar shumë se është i gatshëm të bëjë për shqiptarët.

Problemet që i kanë përjetuar shqiptarët prej luftës së fundit janë gjatë kohës së qeverisjes së LSDM-së, socialdemokratëve me zgjedhjet e tyre nuk kanë treguar se janë dashamirës në mënyrë të veçantë për shqiptarët. Kështu që shqiptarët nuk duhet me merren me dallime në kuptimin se kush është më i mirë, Gruevski apo Zajevi, duhet të merren ma shumë me definimin e interesit se çka po duan.

Nëse merren me definimin e interesit edhe nëse bashkohen në mbrojtjen e këtij interesi, atëherë unë mendoj se do ta etablojmë vetveten si faktorë i pakundërshtueshëm, i cili bën marrëveshje me pushtetin e ardhshëm me qeverinë e ardhshme maqedonase. Pra, nëse vendosen 4-5 pika substanciale për shqiptarët siç është gjuha, siç janë mekanizmat e zhvillimit ekonomik, ndarja e buxhetit, barazia e përfaqësimit në institucione e kështu me radhë, atëherë mendoj se shqiptarët e bashkuar dhe 20 deputetë siç janë do të duhej të shkonin së bashku ose të gjithë në opozitë, ose të gjithë në pozitë, por nuk do të duhej të ndaheshin gjysma në pozitë e gjysma në opozitë.

Do të ishte mirë që kudo që shkojnë të shkojnë krejt dhe nëse do të hynin të gjithë me Zaevin, atëherë do të ishin elementi përcaktues i qeverisë. Sepse po të dalin do të shkatërrohej qeveria e Maqedonisë, kështu që pesha e tyre aq e madhe do të duhet të materializohej në realizimin e interesat kombëtare.