Dialogu i mbyllur, tensionet në kulm

Aktuale February 03, 2017 - 07:59

Ende nuk dihet asgjë për rrjedhën e takimit të dytë në nivel presidentësh dhe kryeministrash në kuadër të dialogut të Brukselit. Të dyja palët kanë refuzuar të flasin për takimin e së mërkurës, duke thënë se Mogherini ka dalë me komunikatë për këtë çështje. Në anën tjetër, tensionet ndërmjet dy vendeve kanë arritur “vlimin”

Pala kosovare dhe ajo serbe kanë vazhduar të qëndrojnë të mbyllura “hermetikisht” për sa i përket takimit të së mërkurës në kuadër të dialogut të Brukselit. Kjo për shkak të kërkesës së ndërmjetësueses, Federica Mogherini, për t’u përmbajtur nga deklaratat nxitëse. Megjithatë, edhe më tutje ka tensione në aspektin deklarativ. Kurse opozita dhe analistët politikë thonë se dialogu është “klinikisht i vdekur”. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka dashur të komentojë asgjë për takimin e mbrëmshëm në Bruksel me krerët e shtetit të Kosovës, duke shtuar se nuk varet gjithçka nga pala serbe, por nuk dëshiron të mos e mbajë fjalën të cilën ia ka dhënë BE-së që të mos nxjerrë asnjë informacion në publik. “Ne japim gjithçka nga vetja që tensionet të ulen, do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen. Kjo është arsyeja pse vij në Rashkë, pasi që kryetarët e veriut të Kosovës janë të shqetësuar dhe do të tentojë t’i qetësojë ata. A jam i brengosur? Jam, nuk varet gjithçka nga ne”, ka thënë Vuçiq.

Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa. Presidenti, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për medie ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin për, siç është thënë, “fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjellë frikë dhe urrejtje ndëretnike te komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës”. Lidhur me qëndrimet e fundit të kryeministrit dhe presidentit serb ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë se “është fakt botërisht i njohur se Republika e Kosovës është shembulli më i mirë rajonal dhe më gjerë i përkushtimit maksimal për forma demokratike të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”.

Megjithatë, as Thaçi dhe as Mustafa nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme për takimin e së mërkurës me homologët e tyre serbë.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë për “Zërin” se pas tensioneve të fundit ka pasur një përpjeke që ai e quan protoganizëm të theksuar të presidentit Thaçi që të marrë dialogun nga duart e kryeministrit Mustafa. “Ka një garim mes Thaçit dhe Mustafës sa i përket se cili do të jetë më i afërt dhe cili do të jetë më i pranueshëm për Vuçiqin dhe presidenti ynë me veprimet e tij, të cilat i mbron si vendimmarrje por të cilat nuk i përkasin presidentit, dëshiron që të tregojë njeriun pa të cilin marrëveshjet dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të bëhen”, është shprehur Konjufca, duke dhënë kritika për këtë proces.

 Edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se po bëhet garë ndërmjet kryeministrit Mustafa dhe presidentit Thaçi për primat në dialog. Ajo ka thënë se AAK-ja vazhdimisht ka kërkuar që të mos vazhdohet dialogu pa u bërë një vlerësim i këtij procesi deri më tani. “Ka kohë që ne jemi deklaruar për këtë çështje, vazhdimisht kemi thënë se ky dialog nuk ka sjellë asgjë në interes për vendin. Tani është thënë se do të bisedohet për marrëveshjet e arritura, por ka kohë që ne themi le të ndalemi një herë dhe të shohim se çka ka përfituar Kosova. Dhe heshtja e pushtetarëve sërish nuk na jep shpresa për diçka pozitive”, ka theksuar Haxhiu.

Ndërkohë analisti, Halil Matoshi, ka thënë se dialogu i Brukseli është “klinikisht i vdekur”. “Është fakt evident që zyrtarët e Beogradit dhe të Prishtinës po ndikojnë te turmat me retorikat e forta etnonacionaliste, duke i nxitur ato dhe po i nxisin ato në dhunë dhe vendimi i Brukselit është që palët të heshtin plotësisht për procesin ndonëse Bashkimi Evropian e ka të qartë që dialogu është klinikisht i vdekur, po palët po mbahen në kontakt vetëm sa për ‘poza’”, ka vlerësuar Matoshi, duke thënë se palët duhet të nënshkruajnë një marrëveshjeje për paqe e tek pastaj të bisedojnë për zgjidhjen e problemeve konkrete.