Dallaveret e Rektoratit me pranimin e asistentëve në UP

Aktuale February 02, 2017 - 07:45

Rozafa Koliqit nuk i ka mjaftuar përfundimi i specializimit e as doktorata që të zgjidhet asistente në Fakultetin e Mjekësisë përderisa në vend të saj Rektorati i UP-së ka zgjedhur një specializant, duke e shkelur edhe Statutin e vet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rozafa Koliqi, specialiste e vetme në Kosovë për farmaci klinike, nuk është zgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pavarësisht se recensioni i ishte vlerësuar pozitivisht, kishte vendimin pozitiv dhe votat unanime të Këshillit të Fakultetit.

Koliqi, e cila ka doktoruar në Universitetin e Shkupit “Kirili dhe Metodi”, ka konkurruar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, pasi nuk është pranuar asistente e rregullt është detyruar të largohet nga UP-ja.

Ndërsa në vend të saj si asistent për Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi është pranuar një specializant.

Në rastin e Rozafës është shkelur me “dy këmbë” Statuti i UP-së, bashkë me konkursin e shpallur nga ky Universitet në vitin 2015, kur ajo ka konkurruar, shkruan sot "Zëri".

As punimet shkencore me impakt-faktor nuk janë marrë parasysh në rastin e kësaj kandidateje për asistente, ndonëse Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i kishin propozuar Senatit që si asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi të përzgjidhet kandidatja Rozafa Koliqi.

Por, në Senatin e UP-së votohet kundër propozimit të Fakultetit për ta pranuar Koliqin. Kjo shkelje e Statutit nuk është kthyer pas.

Gazeta Zëri ka mësuar se ndaj këtij votimi të senatorëve në kundërshtim me Statutin nuk ka pasur reagim të rektorit të UP-së, Marian Dema, dhe as nga sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.

Inspektorati i MASHT-it konstaton shkeljet

Për këtë rast edhe Inspektorati i MASHT-it ka konstatuar shkelje të normave ligjore në Rektoratin e UP-së. Më 30 janar 2017, Inspektorati i MASHT-it ka marrë një vendim duke aprovuar ankesën e kandidates Rozafa Koliqi për asistente në drejtimin e Farmacisë, Fakultetin e Mjekësisë, e cila është ankuar në Inspektorat se padrejtësisht i është mohuar zgjedhja e saj si asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, duke mos u marrë për bazë përgatitja e saj profesionale dhe se në atë pozitë është zgjedhur një kandidat tjetër, i cili nuk plotëson kriteret me Statut.

Në vendimin e Inspektoratit, një kopje të të cilit e posedon gazeta “Zëri”, aprovohet ankesa e Rozafa Koliqit dhe obligohet Senati që të shqyrtojë ankesën drejtuar Inspektoratit të MASHT-it.

Kandidatja për asistente, Rozafa Koliqi, ka thënë për “Zërin” se në konkursin e vitit 2015 ka konkurruar në lëndën Farmaci Klinike, aty edhe ku kishte qenë më parë. “Kam konkurruar duke u bazuar në kërkesat që kërkon Statuti i UP-së dhe të cilat i plotësoj. Komisioni Recensues ka dhënë vlerësim pozitiv për mua, Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë po ashtu ka dhënë vlerësim pozitiv me 43 vota pro, ndërsa Senati i UP-së përkundër asaj që unë i plotësoj të gjitha kushtet, në mbledhjen e mbajtur, më 30 shtator 2016, kanë votuar kundër meje”, thotë Koliqi.

Merr vendim për lëndën që nuk ka konkurruar!

Madje ajo thekson se ka marrë një vendim se zgjidhet për lëndën që nuk ka konkurruar fare. “Më kanë dhënë një vendim në lëndën që nuk kam konkurruar fare (Informatikë Farmaceutike) dhe ku është pranuar një kandidat tjetër, Dardan Hetemi, e lënda Informatikë Farmaceutike ka pasur vend me konkurs veç për një asistent”, thotë ajo për “Zërin”.

Vendimet për të janë lëshuar në intervale të ndryshme kohore, por me numër të njëjtë të protokollit dhe po ashtu me datën e njëjtë. Në arsyetimin e vendimit të parë, që posedon gazeta, thuhet se Këshilli i Fakultetit ka thënë: “Këshilli i Fakultetit e ka shqyrtuar raportin e Komisionit Recensues dhe i ka propozuar Senatit që për asistent në lëndën Farmaci Klinike mos ta emëroj/ta emëroj Rozafa Koliqin”, përkundrejt që e përmendura ka pasur vlerësim pozitiv prej Komisionit Recensues.
Pas vërejtjes nga ana e Fakultetit, pason edhe i dyti vendim me numër të njëjtë protokolli dhe datë të njëjtë, po ashtu në të cilin thuhet se Këshilli i Fakultetit ka thënë “mos ta emëroj”. Në këto dy vendime thuhet edhe se “Rozafa Koliqi zgjidhet asistent i ri për lëndën për të cilën ka qenë e zgjedhur në 2011”.
Por, me Statutin e UP-së nuk figuron emërtimi asistent i ri.
Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, thotë se nuk është e vërtetë që Këshilli ka propozuar të mos e emërojë Koliqin. Ajo ka thënë për “Zërin” se Komisioni Recensues i Drejtimit të Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i ka propozuar Senatit të UP-së që si asistent në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi të përzgjidhet kandidatja Rozafa Koliqi.

Tri vendime, të padrejta ndaj Koliqit

Dekania Manxhuka-Kërliu nuk e ka mohuar për gazetën “Zëri” se lidhur me këtë rast është kontaktuar nga Agjencia Kundërkorrupsionit.

Manxhuka-Kërliu thotë se Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka vepruar duke u bazuar në standardet ndërkombëtare dhe në praktikat e fakulteteve të mjekësisë në nivel evropian, duke u fokusuar në aktivitetin profesional dhe shkencor të kandidatëve, ku në përparësi ajo potencon se ka dalë kandidatja Rozafa Koliqi.

Ajo ka bërë të ditur për gazetën se Këshilli aktual i Fakultetit të Mjekësisë në mbledhjen e mbajtur, më datë 09.09.2016, ka rishqyrtuar përzgjedhjen e kandidatëve për lëndën Farmaci klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, sipas kërkesës së Rektoratit, duke analizuar, sipas saj, të gjitha kriteret e përcaktuara me Statut  të UP-së për secilin kandidat veç e veç. “Prandaj, kemi vendosur në mënyrë unanime se kandidatja Rozafa Koliqi plotëson kushtet më mirë për përzgjedhjen në pozitën asistent, krahasuar me kandidatin tjetër në garë”. Ajo ka thënë se Komisioni Recensues Profesional (i Drejtimit të Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë) ka konstatuar se Rozafa Koliqi ka notë më të lartë mesatare, moshë më të re, specialiste e lëmit të Farmacisë Klinike, përderisa kandidati tjetër nuk ka përfunduar specializimin, të dy kandidatët e kanë regjistruar doktoratën. “Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i ka propozuar Senatit të UP-së që si asistent në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi të përzgjidhet kandidatja Rozafa Koliqi”.

Manxhuka-Kërliu ka thënë se Rozafa Koliqi ka qenë fillimisht asistente e zgjedhur (2007-2011) në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi. Ajo thotë se prej vitit 2011-2015 këtë lëndë e merr kandidati tjetër, kurse Koliqi në lëndën Informatikë Farmaceutike. “Në konkursin e vitit 2015 Rozafa Koliqi sërish aplikon në lëndën e parë, në të cilën është përzgjedhur më 2007-n (d.m.th. Farmaci Klinike, por nuk konkurron në lëndën Informatikë Farmaceutike), meqë i plotëson kushtet për këtë lëndë si specialiste e profilit përkatës”, thotë Manxhuka-Kërliu. Ajo thotë se Koliqi është e vetmja specialiste e kësaj fushe që ka Kosova.

“Në lëndët ku ka specializim është specializimi primar, pra profesioni se ne së pari jemi mjekë, pastaj bëhemi staf akademik. Dhe Rozafa Koliqi është e para dhe e vetmja në Kosovë farmaciste klinike, kurse kandidati tjetër e ka regjistruar, por nuk e ka kryer specializimin. Pra, ka tri vjet specialiste dhe ka licencën e punës në lëndë specialistike”, thotë Manxhuka-Kërliu.

Për të “blerë paqen” me Koliqin nxirret vendimi që ajo të sistemohet në një lëndë, ku ishte zgjedhur kandidati tjetër. Kurse, pas ankesës së Koliqit dhe kërkesës së saj që paga të mos i vazhdojë më, pason një ndëshkim nga Rektorati për të (Koliqin) me arsyetimin se nuk po i mban orët dhe t’i ndërpritet marrëdhënie e punës. Kurse, Koliqi kur lëshohet vendimi është pa kontratë pune. Këtë vendim në këtë mënyrë nuk e mohon as dekania Manxhuka-Kërliu. Për gjithçka gabim ajo thotë se ka bërë vërejtje në Rektorat.

Rektorati refuzon t’i nënshtrohet kontrollit të Inspektoratit

Gazeta “Zëri” i është drejtuar dy herë me pyetje Rektoratit për rastin “Koliqi”, ku ka marrë përgjigjen e njëjtë. Në përgjigjen e kthyer nga Rektorati të martën, prorektori Naser Sahiti, thirret në raportin e Këshillit të Mjekësisë, të mbajtur më 2015-n, dhe jo në Komisionin Recensues dhe në vendimin unanim të Këshillit të Mjekësisë të vitit 2016, që është kërkuar të rishqyrtohet po vetë nga Rektorati. “Nuk ka pasur asnjë shkelje të Statutit me rastin e rizgjedhjes së kandidatëve në lëndët, të cilat kanë qenë duke i mbajtur deri në rizgjedhje, duke pasur parasysh se kandidatët e rizgjedhur i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas Nenit 178 të Statutit”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e prorektorit.

Gazeta “Zëri” i është drejtuar personalisht edhe sekretarit të UP-së, por nuk ka marrë përgjigje.   

Ndërsa inspektori i Arsimit, Nebih Behluli, ka thënë për “Zërin” se duke u bazuar në propozimet, e respektivisht në rekomandimet për zgjedhje nga ana e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, propozimit të Komisionit Recensues për Zgjedhje dhe Rizgjedhje, si dhe duke u bazuar në raportet e tjera, si Senatit të UP-së, Inspektoratit të SIA-s, sipas tij ka rekomanduar që edhe një herë të shqyrtojë ankesën e Koliqit, duke respektuar normat ligjore dhe në të njëjtën kohë duke vendosur mbi bazën e standardeve të përcaktuara nga UP-ja për zgjedhje të drejtë. “Lidhur me përmbushjen eventuale të rekomandimeve të dhëna Statutit të UP-së, ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë, i është rekomanduar gjithashtu që në një afat optimal të njoftojë Inspektoratin e SIA-s, MASHT-in në Prishtinë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Behluli.
Ai thotë se rekomandimi i Inspektoratit tash është kthyer në vendim dhe 15 ditë mund të ankohet Rektorati. “Asnjëherë nuk ndodh, as nuk ankohen, as nuk na i zbatojnë, as nuk na japin përgjigje, pra është një injorim total i Inspektoratit”.
Në emër të Inspektoratit të MASHT-it Behluli deklarohet se në Rektorat nuk duan t’i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrollit. “Herë gjejnë arsyetime se ‘po na ndërhyni në autonomi’, por thjesht nuk duan t’i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrollit”, thotë Behluli, duke kritikuar Rektoratin për burokraci dhe mospërgjigje ndaj Inspektoratit.Gazeta "Zëri"