Jahjaga, Hysa e Rexhepi, kandidatë për shef të AKI-së
Emrat më të lakuar për shef të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) janë: ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, si dhe Fisnik Rexhepi, ish-këshilltar politik i ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, dhe Fisnik Rexhepi, ish-këshilltari i ministrave, Bajram Rexhepit e Bekim Çollakut, përmenden si kandidatë potencialë për postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës “Zëri”, të cilat kanë thënë se në ditët në vijim pritet që të vendoset për njërin prej këtyre kandidatëve.
Pas dorëheqjes së drejtorit të deritanishëm të AKI-së, Agron Selimajt, në bazë të Kushtetutës presidenti së bashku me kryeministrin pas konsultimit me Qeverinë duhet ta emërojnë drejtorin e kësaj Agjencie.
Për këtë çështje gazeta “Zëri” ka dërguar pyetje në Zyrën e presidentit dhe në atë të kryeministrit, megjithatë nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në anën tjetër, drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së thonë se është shumë e rëndësishme që në këtë post të emërohet një person profesionit, prandaj apelojnë që emërimi i shefit të AKI-së të bëhet mbi baza të preferencave partiake.
Ish-presidentja Jahjaga ka përvojë të gjatë në fushën e sigurisë, pasi për disa vite para se të zgjidhej presidente ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Policisë së Kosovës.
Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje të vazhdueshme gjatë ditës së hënë ta kontaktojë Jahjagën, por ajo nuk është përgjigjur në telefon.
Ndërsa Fisnik Rexhepi, i cili po ashtu ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, dhe më pas edhe i atij për Integrime Evropiane, Bekim Çollakut, ka thënë se nuk është kontaktuar nga zyrtarët e lartë qeveritarë për këtë çështje.
“Nuk e di, unë kam angazhime të reja tash, akademike dhe profesionale, kështu që jam i fokusuar tërësisht në atë drejtim”, është përgjigjur Rexhepi.
Gazeta “Zëri” ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga ambasadori Ylber Hysa, por as ky nuk është përgjigjur në telefon.
Kurse kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, ka thënë se derisa si Komision nuk janë njoftuar ende zyrtarisht për dorëheqjen e Agron Selimajt, kjo mbetet një çështje e mjegullt.
“Ne si Komision nuk kemi marrë shkresë zyrtare për dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, Agron Selimajt, dhe përderisa nuk kemi një shkresë zyrtare kjo çështje mbetet ende e mjegullt. Sa për kandidatë të rinj, përderisa nuk kemi ende njoftim zyrtar për dorëheqjen e tij nuk kemi as ndonjë informatë se kush mund të jetë kandidat për atë post”, ka deklaruar Shala.
Më tej deputeti i “Nismës për Kosovën” ka thënë se në postin e drejtorit të AKI-së duhet të emërohet ndonjë person profesionist dhe se kurrsesi nuk duhet të emërohet ndonjë person partiak.
“Çdo kandidat që shkon me propozimin e ndonjërës parti do të ishte i papranueshëm, sepse ky institucion nuk guxon të udhëhiqet nga njerëz partiakë. Mirë është që në këtë post të emërohet një profesionist, në të kundërtën emërimi i ndonjë personi partiak ky institucion do të kthehej në shërbim të partive politike. Nëse partitë në pushtet i dërgojnë njerëzit e vet aty, atëherë AKI-ja, që deri më tani ka kryer punën shumë mirë, do të kapej nga këto parti”, ka shtuar Shala.
Edhe nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Rrustem Berisha, ka thënë se nuk kanë njoftim zyrtar për dorëheqjen e Agron Selimajt.
Ai gjithashtu ka thënë se Selimaj ka qenë bashkëpunues dhe shumë i angazhuar për ngritjen e AKI-së.
“AKI-ja ka pasur disa probleme të brendshme, në kuptimin e strukturës, numrit të vogël të personelit, detyra të shumta. Ka pasur një dinamikë të rregullimit të këtyre problemeve, por nuk e di pse është larguar”, është shprehur Berisha.
Në anën tjetër deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, ka thënë se para se të flitet për atë se kush do të jetë shefi i ri i AKI-së, duhet të pyetet se përse u shkarkua drejtori i deritanishëm.
“Them se u shkarkua, sepse dorëheqja nuk do të ndodhte vetvetiu. Në kohën kur Kosova ka nevojë më së shumti për informata inteligjente pas zhvillimeve në rajon, konstatojmë së dorëheqja nuk ka ndodhur, por ka pasuar. Prandaj, sidoqoftë, ajo që sot po ndodh është fakti që nuk kemi drejtor të AKI-së në situatën më të ndjeshme për Kosovën. Ne nuk kemi drejtor të AKI-së jo pse ka pasur vërtet dorëheqje, por sepse kështu ka dashur i ashtuquajturi president”, është shprehur Selimi.
Përndryshe, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Agron Selimaj, të premten përmes një letre dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit, Isa Mustafa, ka kërkuar të lirohet nga posti i shefit të AKI-së duke thënë se pas më shumë se 7 vjetëve të angazhimit në këtë Agjenci ka ardhur koha që ai dhe familja e tij të fillojnë një kapitull të ri të jetës.