Telefonata e Thaçit me Vuçiqin, për rifaktorizim
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë javës që lamë pas zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Temë e bisedës sipas presidentit kosovar, ishte normalizimi i dialogut Beograd – Prishtinë.
Përkundër kësaj edhe pse kjo bisedë sipas protagonistëve ishte arritja e qëndrueshmërisë mes raporteve të të dyja shteteve, në Kosovë kjo telefonatë po shihet si tentativë e Thaçit për ta rifaktorizuar rolin e tij në normalizimin e marrëdhënieve Beograd – Prishtinë.
Kështu ta paktën kanë deklaruar njohës të rrethanave politike ne vend.
Siç thonë ata, komunikimi i Thaçit përveç se është absurd nuk do të sjellë asgjë të re në procesin e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi.
Në anën tjetër, një mendim krejtësisht të kundërt e kanë njohësit e çështjeve të sigurisë.
Veprimin e Thaçit ata e quajnë adekuat, pasi që, sipas tyre, një bisedë e tillë telefonike mes krerëve shqiptarë e serbë ishte e pashmangshme.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka konsideruar se biseda mes presidentit kosovar e kryeministrit serb është zhvilluar me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
“Biseda mes Thaçit e Vuçiqit, besoj se është realizuar me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, për shkak se në takimin e mëhershëm në Bruksel ishin akorduar që mos të japin prononcime thjesht të punojnë më tepër e mos të flasin shumë. Mirëpo asnjëra palë nuk i mbajti fjalët dhe unë besoj se për shkak të deklaratave të pamatura kanë ndikuar negativisht”, ka thënë Islami.
Ai vlerëson se kjo bisedë do të ndodhte patjetër, nëse jo tani, pas një kohe ka qenë e pashmangshme.
“Bisedat e tilla edhe pas shumë kohe janë të mira, sepse edhe po të mos zhvillohej tash pas disa kohe kjo bisedë është dashur të ndodhë. Dhe nuk shoh asgjë të keqe në zhvillimin e komunikimit”, ka vlerësuar Islami.
Ndërsa në subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje”, e quajnë qesharak e absurd komunikimin e Thaçit me Vuçiqin.
“Mendoj që komunikimi i të ashtuquajturit president, me Vuçiqin është tragjikomik, për faktin se në njërën anë Serbia ka rritur provokimet ndaj Kosovës dhe me fletarrestime të saj arrestohen çlirimtarë”, ka vlerësuar Shkodran Hoti, zyrtar për medie në LVV.
Sipas tij, komunikim i tillë në asnjë mënyrë nuk do të ndikoj në ulje të tensioneve mes shtetit tonë dhe Serbisë.
“Përderisa raunde të tëra negociatash nuk kanë sjellë normalizim, si mund ta sjellë këtë gjë një telefonatë”, ka shtuar më tej Hoti.
Ai beson se normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e mundëson vetëm kushtëzimi i Serbisë.
Kurse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësojnë se telefonata e Thaçit nuk do t’i sjellë asgjë të re raporteve Beograd - Prishtinë.
Shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se të njëjtit personazhe që e kanë bërë telefonatën po i zhvillojnë edhe bisedimet në Bruksel.
“Asgjë e re nuk do të ndodhë as pas telefonatës. Fajtorët për vazhdimin e nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë i ke të njëjtit”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Krenar Shala, ka vlerësuar se biseda e presidentit kosovar me kryeministrin serb është vetëm tentativë e Thaçit për t’u rifaktorizuar.
“Krejt çështja është se si të rifaktorizohet Thaçi në mënyrë që të vazhdojë të çirret si faktor stabiliteti dhe kështu të mundë të shmangë potencialisht ndjekjen penale nga Gjykata e Veçantë”, ka deklaruar ai.