Muri lë kufirin komunal në plan të dytë

Aktuale January 28, 2017 - 08:10

Definimi i kufirit administrativ në mes të dy komunave të Mitrovicës ka mbetur në plan të dytë, për shkak të murit të ndërtuar befasisht nga serbët në pjesën veriore të urës, ndonëse afati për nënshkrimin e memorandumit në mes të kryetarëve të Mitrovicës, Agim Bahtirit e Goran Rakiqit, ka qenë 14 tetori i vitit 2016, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ndërprerja e punimeve në revitalizimin e urës, si dhe të atyre për revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” në veri urës, që shtrihet deri tek ura kryesore për shkak të murit, kanë bërë që ura, e cila do të duhej të hapej më 20 janar, të vazhdojë të mbetet e mbyllur.

Nuk dihet ndërkaq se kur dhe se a do të rifillojnë fare punët pasi që kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka këmbëngulur që muri të jetë pjesë e projektit të urës dhe zonës së këmbësorëve, ndërkohë që institucionet më të larta të shtetit janë zotuar se murin do ta rrënojnë më 1 shkurt dhe pastaj të vazhdojnë punët në revitalizimin e saj.

Tani kur kanë mbetur edhe tri ditë nga dita kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do ta rrënojë murin e ndërtuar, shqiptarët besojnë se një gjë e tillë do të ndodhë, ndërsa serbët e pjesës veriore vazhdojnë të besojnë se muri nuk do të rrënohet.

E ndërkaq sa i përket nënshkrimit të memorandumin për definimin e kufirit, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë kurrfarë memorandumi për definimin e kufirit pa u zgjidhur çështja e murit, si dhe pa u qartësuar situata rreth Suhadollit, e cila me Pakon e Ahtisaarit i takon Komunës Jugore, ndërsa sipas Rakiqit, i cili bazohet në zgjedhjet e vitit 2013 për pushtetin lokal, Suhadolli i takon Mitrovicës së Veriut pasi që ata në zgjedhje kanë votuar në atë pjesë dhe kanë përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Veriut.

Ai pos Suhadollit synon që t’ia bashkëngjitë veriut edhe disa fshatra shqiptare, si dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër.

“Me Planin e Ahtisaarit është caktuar pa asnjë logjikë që vija ndarëse në mes të komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës të tërhiqet në atë mënyrë që serbët e Suhadollit t’i takojnë komunës jugore. Shteti ynë (Serbia) e ka hedhur poshtë Planin e Ahtisaarit dhe për këtë arsye krejt çfarë del nga ajo pako për ne nuk mundet dhe nuk guxon të jetë e pranueshme. Për arsye të mospranimit të këtij plani janë iniciuar edhe bisedimet në Bruksel. Jemi duke biseduar me Bashkimin Evropian e me Ambasadën amerikane dhe po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen e vërtetë, që do t’i kënaqte së pari qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës e më pas edhe të gjithë të tjerët”, ka shpjeguar Rakiq, i cili ka shtuar se Qeveria në Prishtinë në mënyrë selektive “sikur në tryeza suedeze, po merr atë që i konvenon”.

“Ajo hartë që e kanë marrë nga UNMIK-u dhe për të cilën ata thonë se është e Ahatisaarit, nuk ka asnjë vulë e as nënshkrim zyrtar. Kjo është, sepse ata kanë qëllime dhe pretendime që t’i lëvizin ato harta. Është e vërtetë që ka mundësi që një pjesë e popullatës, e cila nuk është dashur të votojë, ka votuar. Por, ajo është një pjesë shumë e vogël e popullatës dhe nuk është ajo e rëndësishme që të lëvizin ata kufij”, siguron Rakiq.

E ndërkaq Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës së Jugut, thotë se çështja e definimit të kufirit në mes të dy komunave është punë e kryer, e cila është vendosur në bazë të Planit të presidentit Ahtisaari dhe për të cilin nuk mund të diskutohet.

Sipas tij, Suhadolli me Kadastër i takon komunës jugore.

“Kam qenë dhe jam i gatshëm të nënshkruaj me Planin e Ahtisaarit dhe unë nuk mund të dal mbi të. Dikush dëshiron të dalë mbi Planin e Ahtisaarit dhe ta marrë Mitrovicën, pjesën e lugut të Ibrit, me Ibër, deri në Zubin Potok, por ajo nuk do të ndodhë asnjëherë dhe në asnjë mënyrë”, thotë Bahtiri

Në anën tjetër, Zyra e BE-së në Prishtinë e ka bërë të qartë se çështja e definimit të kufirit administrativ në mes të dyja komunave të Mitrovicës është përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe u ka bërë thirrje kryetarëve, Bahtiri e Rakiq, që ta nënshkruajnë memorandumin e mirëkuptimit, por Goran Rakiq ka refuzuar të nënshkruajë.

Në anën tjetër shefja e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, Adriana Hoxhiq, ka thënë pak kohë më përpara se në Komunën e Mitrovicës Veriore nuk pajtohen me vendimin që Suhadolli t’i takojë komunës jugore.

“Ky është një vendim me të cilin udhëheqja lokale e Mitrovicës së Veriut nuk pajtohet, andaj besoj se për këtë do të bisedohet përsëri në Bruksel. Zyra e BE-së në Kosovë është e qartë sa i përket kësaj çështjeje, për ata kjo çështje është zgjidhur në kuptimin që i gjithë vendbanimi i Suhadollit i takon komunës jugore të Mitrovicës”, ka thënë Hoxhiq.