Opozita s’e pranon kryeakademikun
Komisioni Shtetëror për Matjen e Territorit, i emëruar nga Qeveria e Kosovës, nuk është i pranueshëm për partitë opozitare, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Emërimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në krye të Komisionit Shtetëror për Matjen e Territorit po kundërshtohet ashpër nga opozita dhe analistët politikë, pasi që, sipas këtyre të fundit, me këtë Komision po tentohet të kamuflohet dëmi që i është bërë vendit me Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.
Megjithatë, Islami ka premtuar se “Komisioni do të qëndrojë larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake dhe grupeve të interesit”.
Mustafa: S’përzihemi në punën e Komisionit
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke prezantuar anëtarët e rinj të këtij Komisioni ka thënë se ekzekutivi i vendit nuk do të përfshihet fare në punën e këtij Komisioni. “Ne si Qeveri nuk do të japim konkluzione sesi të punojë Komisioni, sepse konsiderojmë se ai është profesional dhe do ta lëmë në përgjithësi dhe në kompetencë të Komisionit që t’i përcaktojë kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes së territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa
Shefi i Qeverisë ka bërë të ditur se raporti përfundimtar i këtij Komisioni do të dorëzohet në Kuvend me aprovimin e Qeverisë. “Raporti që ju do të bëni përfundimisht do ta aprovojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe pastaj me këtë raport do ta njoftojmë Kuvendin, qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me territorin që e kemi tani dhe territorin që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015”, ka thënë Mustafa.
Kurse kryetari i sapoemëruar i këtij Komisioni, Hivzi Islami, gjatë fjalës së tij ka vlerësuar se detyra, e cila sapo u zotua ta kryejë, nuk është aspak e lehtë dhe për të cilën janë zhvilluar shumë debate e tensione përgjatë dy vjetëve.
Kryeakademiku ka shprehur keqardhje që ftesës së kryeministrit nuk i janë përgjigjur subjektet opozitare.“Është për keqardhje që ftesës së kryeministrit nuk i janë përgjigjur subjektet opozitare, të cilat kanë qenë kundërshtuese të këtij procesi”, ka përfunduar Islami.
Emërimi i Islamit është kundërshtuar edhe nga bashkëpartiaku i kryeministrit Mustafa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi. “Ai është bashkëpunëtor i Isa Mustafës, s’ka çka pritet prej atij dhe rezultati i tij është i ditur”, ka thënë Bulliqi për mediet në vend.
Më tutje Bulliqi ka thënë për portalin “lajmi.net” se anëtarët e Komisionit nuk janë marrë me matje të territoreve më herët. “Këqyrni ata njerëz, këqyrni ato fytyra, merrni CV-të e tyre e shikoni kur kanë matur ata territor dhe sa kanë njohuri në matjen e territoreve dhe përgjigjeni e keni të saktë”, ka përfunduar Bulliqi.
Haxhiu: Islami, servil i Mustafës
Në anën tjetër në subjektin opozitar më të madh në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), duke folur për emërimin e akademikut, Hivzi Islami, në krye të Komisionit vlerësojnë se në procesin e shënjimit të vijës duhet të përfshihet edhe opozita. “Në procesin e ri të shënjimit të vijës duhet të përfshihen po ashtu edhe opozita dhe ekspertët sidomos ata që kanë deponuar fakte që marrëveshja aktuale është e dëmshme. Fakti që sot është vendosur Hivzi Islami në krye të Komisionit për Matje flet shumë për atë se çfarë po do Qeveria të arrijë përmes këtij procesi”, ka deklaruar deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu.
Sipas saj, qasja e këtij personi është parë në gushtin e vitit të kaluar. “Qasja e këtij personi është parë edhe më 3 gusht të vitit të kaluar, që ishte krejtësisht qasje nënshtruese e servile karshi Isa Mustafës”, ka potencuar ajo.
Haxhiu thotë se qëndrimet e subjektit që ajo përfaqëson nuk kanë ndryshuar aspak, siç thotë ajo Demarkacioni me çdo kusht duhet të kthehet në pikën zero.
“Së pari, Qeveria duhet të përballet me faktin që marrëveshja apo versioni aktual i Demarkacionit ka vdekur dhe jo të mundohet që përmes komisioneve të tilla të duket që po bëjnë diçka. Pra, situata duhet të kthehet në pikën zero”, ka thënë ajo.
Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) konsiderojnë se kryeministri Mustafa nuk e ka idenë për zgjidhjen e problemit me Demarkacionin. “Ne konsiderojmë që kryeministri po të kishte idenë për zgjidhjen e këtij problemi do të ndërmerrte veprime që shkojnë në atë drejtim, siç është, ta zëmë, rrëzimi i këtij versioni dhe përmirësimi i gabimit që është gati se i pafalshëm”, ka thënë Lekaj.
Sipas tij, institucionet e Kosovës janë për ta ruajtur territorin jo për ta bërë të kundërtën. “Po bëhet fjalë për humbje territori të vendit dhe institucionet e Kosovës janë aty për ta ruajtur territorin e jo të kontribuojnë në humbjen e tij me veprimet e veta totalisht të papërgjegjshme”, ka përfunduar Lekaj.
Mushkolaj: Emërimi i Islamit, fyerje për ekspertët
Analisti politik, Imer Mushkolaj, vlerëson se Qeveria me krijimin e komisioneve të tilla po provon vetëm ta zvarrisë situatën. Derisa thotë se emërimi i akademikut Islami në krye të këtij Komision është fyerje për ekspertët. “Akademiku i caktuar në krye të tij dihet çfarë qasje ka pasur për procesin - aspak shkencore, por kryekëput politike, madje edhe fyese ndaj ekspertëve që kanë ofruar fakte kundër”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Mushkolaj nuk beson se ky Komision i formuar do ta zgjidhë problemin. “Nuk ka si matet diçka që nuk i dihen kufijtë. Në vend se të shihet mundësia që procesi të rinegociohet pas fakteve të shumta, që tregojnë se nuk ka qenë në rregull”, ka thënë ai.
Një mendim krejtësisht tjetër e ka drejtori i “Rockfoller Brothers Fund” në Kosovë, Haki Abazi. Ai e vlerëson si hap pozitiv themelimin e këtij Komisioni. “Komisioni i formuar në krye me z. Hivzi Islami është një hap i mirë dhe i duhur për të ecur drejt zgjidhjes. Tani kjo ka plotësuar disa kërkesa duke krijuar një komision të ri”, ka deklaruar ai.
Abazi mendon se nëse të gjeturat përfundimtare të këtij Komisioni do të jenë të dobishme, vendi do të mundë të dilte nga kriza. “Nëse ky është komisioni që në fund të gjeturat e tij do të jenë të vetmet që do të merren parasysh dhe gjithashtu Komisioni do të funksionojë në frymë të vendimmarrjes transparente dhe pa konstruksione në informacionet që do të ndahen, përfshirë edhe anëtarët e opozitës dhe të shoqërisë civile, atëherë besoj që është një nga hapat më konstruktivë deri më tani dhe do të mundë ta tejkalojë”, ka potencuar ai.