Kosova nuk është në topagjendën amerikane

Aktuale January 23, 2017 - 08:30

Duke qenë se Kosova nuk është ndonjë vend me krizë të madhe politike, pritet të mos jetë në topagjendën e administratës së re amerikane, në krye me presidentin e ri, Donald Trump.

Analistët vlerësojnë se Trump nuk e ka më prioritet Evropën e aq më pak Ballkanin, por se gjithçka varet nga relacioni i tij me Rusinë.

Megjithatë inercioni që Kosova ka si një nga vendet më proamerikane, dhe relacionet historikisht të mira edhe me republikanët do të bëjnë që të mos ndryshojë qasja amerikane ndaj Kosovës.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Haki Abazi, vlerëson se qëndrimi i Trumpit karshi shteteve në rajon filloi të shihet prej ditës së parë të punës si president i SHBA-së.

“Në nivel të vlerave dhe parimeve po shihet qëndrimi i presidentit Trump edhe gjatë fushatës por edhe menjëherë pas fillimit të punës së tij në shtëpinë e bardhë, me largimin nga faqja e internetit çështjen e të drejtave të njeriut, të ndryshimeve klimatike. Këto janë sinjalet e para që në fakt tregojnë se qëndrimi në politikën e jashtme ka me qenë radikal”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, përbrenda formulimit të politikës së Trumpit do të hyjë edhe bashkëpunimi i afërt me presidentin rus.

“Dhe përbrenda kësaj edhe formulimi i tij për një bashkëpunim të afërt me presidentin rus Putin, është një indikator se realisht marrëdhëniet edhe mes Kosovës e Ballkanit do të ndryshojnë”, ka thënë Abazi.

Ai propozon që institucionet e vendit duhet në mënyrë sa më të shpejtë të orientohen në marrëdhëniet bilaterale me shtetet e Unionit Evropian.

“Duhet në mënyrë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë të orientohen në marrëdhëniet bilaterale dhe lidhjen e interesave me shtetet e Unionit Evropian sidomos me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilët e konsiderojnë Ballkanin si vend të rëndësishëm për interesat e unionit evropian”, ka përfunduar ai.

Maliqi: Trump s’e ka në fokus Evropën

Pas ardhjes së Trumpit në pushtet, publicisti Agon Maliqi vlerëson se përqendrimi i vëmendjes amerikane në Evropë do të jetë i vështirë.

“Me sekretarin e shtetit, Tillerson, (nëse konfirmohet nga Senati) me gjasë pritet një zbutje amerikane ndaj Rusisë, që është keq për Evropën dhe rajonin tonë”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Maliqi ka shpresë në rrymat brenda Partisë Republikane, sepse siç thotë ai, këto të fundit nuk pajtohen shumë me qasjen e Trumpit ndaj Rusisë.

Tutje, Maliqi tregon se rrethi i ndikimit të Trumpit nuk është i njëjtë me administratën republikane, pasi ajo siç thotë Maliqi, është marrë me Kosovën, kurse administrata e Trumpit vështirë ta bëjë këtë.

Rrethi i ndikimit të Trumpit nuk është i njëjti si te administrata republikane e Bushit, e cila është marrë me Kosovën, prandaj kjo përbën sfidë. Por ata që do të kenë ndikim, qoftë te presidenti, qoftë në senat, ishin pjesë e agjendës së takimeve të Thaçit”, ka deklaruar ai, duke theksuar se senatori Corker dhe ish-senatori McCain janë të rëndësishëm në Senat.

Tutje, Maliqi thotë se personali që do caktohet nga Trump do të luajë rol kyç në Ballkan.

“Meqenëse Trump nuk ka politikë të jashtme koherente, rol kyç për Ballkanin do të luajë personeli që do të caktohet por edhe figurat e estabilishmentit republikan që janë me më përvojë dhe kanë qasje te Trump, disa prej të cilëve e njohin mirë Kosovën”, ka thënë Maliqi. I cili mendon se rol në ndikimin e Trumpit do kenë edhe institutet e lobistët të cilët paguhen për ndikim.

Shala: Synimi i Trumpit është përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë

Analisti i çështjeve politike në vend, Krenar Shala, mendon se synimi i Trumpit është përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë për dy arsye, siç thotë ai, ndër këto arsye është edhe rasti i Kosovës.

“Presidenti Trump synon që të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë për dy arsye: për të zgjidhur disa mosmarrëveshje rreth konflikteve të ngrira, ku përfshihet dhe Kosova”, ka thënë ai.

Tutje, Shala e përmend edhe arsyen e dytë, e që sipas tij është, kundërvimi i Kinës. 

“Së dyti synon që t'i kundërvihet Kinës sepse ka frikë që Kina do të arrijë të lidhë marrëveshjet strategjike me Rusinë dhe kjo padyshim se do t'ia vështirësonte ndikimin gjeopolitik të SHBA-së”, ka thënë ai.

Ndryshe Shala thekson se gjasat që çështja e Kosovës të zgjidhet në kuadrin e përmirësimit të marrëdhënieve SHBA- Rusi, janë shumë të mëdha.

“Ka shumë gjasa që çështja e Kosovës të zgjidhet në këtë kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi”, ka përfunduar Shala.

Lekaj: Raportet Trump - Putin do të ndikojnë tek ne

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, nuk mendon se raportet Trump - Putin do të ndikojnë në ndryshimin e miqësisë SHBA- Kosovë.

“Amerika politike (qeverisëse) si tërësi ose është miqësore me dikë ose nuk është. Prandaj raportet Trump - Putin në kuptimin që po i potenconi ju nuk besoj që do të ndikojnë në ndryshimin e miqësisë SHBA-Kosovë”, ka deklaruar ai.

Lekaj beson se sjellja e Trumpit përballë Rusisë nuk do të jetë siç duhet në parim.

“Besoj shumë se tani kur Donald Trump është edhe zyrtarisht president i SHBA-së, materializimi i ideve të Trumpit përballë Rusisë nuk do të jetë shumë ashtu siç duket, miqësore e "nënshtruese’”, ka thënë ai.