Presidentja e Speciales nis punën zyrtarisht

Aktuale January 23, 2017 - 08:26

Zëdhënësja e Speciales, Avis Benes, ka konfirmuar për “Zërin” se detyra e parë e presidentes Ekaterina Trendafilova do të jetë përgatitja e seancës plenare me gjyqtarët. Akuzat e para pritet që të nisin në gjashtëmujorin e parë të këtij viti

Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, edhe zyrtarisht ka nisur punën e saj në konsolidimin e ekipit i cili do të merret me hetimin e krimeve të UÇK-së.

Caktimi i gjyqtarëve të cilët do të merren me rastet konkrete është hapi i ardhshëm i madh që kjo Gjykatë do ta bëjë. Këtë për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar zëdhënësja Avis Benes.

Ajo i ka thënë gazetës se detyra e parë e presidentes Trendafilova do të jetë përgatitja e seancës plenare me gjyqtarët.

“Presidentja Trendafilova ka marrë tashmë detyrat e saj. Prioritet ka përgatitjen e seancës plenare me gjyqtarët (gjë e cila natyrisht do të jetë e mundur pasi që ata të caktohen)”, ka thënë Benes.

Akuzat e para, siç edhe konfirmuar më herët, pritet që të nisin në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Benes tutje ka zbuluar se edhe cila do të jetë puna e parë që do t’iu caktohet gjyqtarëve.

“Në këtë seancë plenare gjyqtarët do të adaptojnë Rregullat e Procedurës dhe Evidencave, si një prej dokumenteve kryesore të gjykatës, duke mundësuar kështu kryerjen e proceseve gjyqësore para Dhomave të Veçanta. Pas kësaj, RPE-ja duhet t'i referohet Dhomës Speciale të Gjykatës Kushtetuese e cila do të ketë 30 ditë afat për t’i shqyrtuar ato”, ka përfunduar Benes.

Abazi: Gjykata do ta shkundë skenën politike

Drejtori i “Rockefeller Brothers” në Kosovë, Haki Abazi, ka thënë se nisja e punës së kësaj Gjykate do ta shkundë mirë skenën politike kosovare. Sipas tij, kjo ndërlidhet edhe me marrëdhëniet e reja SHBA-Rusi.

“Gjykata Speciale do të veprojë dhe unë mendoj se do të shkaktojë një krizë, shkundje të them më mirë të skenës politike në Kosovë”, ka thënë Abazi duke shtuar.

“Kjo ndërlidhet gjithashtu me marrëdhëniet e reja mes SHBA-së dhe Rusisë, meqë Gjykata Speciale në një formë ose tjetër ka qenë një përgjigje ndaj akuzave të Rusisë për mosgjykim të krimeve në Kosovë”, ka thënë ai.

Abazi ka thënë se shkundjet do të jenë shumë të mëdha, madje edhe arrestimin e Ramush Haradinajt e ka lidhur me këtë proces.

“Shkundjet do të jenë jashtëzakonisht të mëdha, besoj që edhe kjo puna e ndalimit të z .Haradinaj është gjithashtu pjesë e kalkulimeve, mirëpo do të shohim sesi do të rrjedhë situata në muajt që po vinë”, ka thënë Abazi.

Çaushi: Pushteti, përgjegjës për këtë fatkeqësi

Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se Gjykata Speciale është njëra ndër dëmet më të mëdha që i është shkaktuar Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar.

“Kur statistikat thonë që në tri luftërat e fundit në ish-Jugosllavi janë vrarë 160 mijë boshnjakë, kroatë e shqiptarë, shohim që Serbia vazhdon të përkëdhelet, kurse lufta e drejtë e UÇK-së të dënohet e njolloset”, ka thënë ai.

Sipas tij, pikërisht kur në Kosovë do të duhej të luftohej krimi i organizuar dhe korrupsioni, i cili është endemik, vëmendja shpërqendrohet përmes kësaj Gjykate, për krime të pretenduara lufte.

“E themi prapë që ky pushtet është përgjegjës i kësaj fatkeqësie për luftën çlirimtare dhe e mbajmë përherë përgjegjës këtë pushtet për çdo konsekuencë që rrjedh prej kësaj padrejtësie”, ka përfunduar ai.

Koci: Shumica e kërkesave të Prokurorisë do të aprovohen

Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të fillojë këtë vit me veprime konkrete, duke arrestuar persona të caktuar, të dyshuar për krime lufte dhe krime tjera të renda, dhe do të bëjë kërkesa për caktimin e paraburgimit. Kështu ka thënë për “Zërin” avokati Arianit Koci.

“Shumica prej atyre kërkesave të Prokurorisë do të aprovohen. Ka shumë arsye, por arsyeja kryesore është se te ndërkombëtarët është krijuar përshtypja se në Kosovë dëshmitarët janë të rrezikuar”, ka thënë Koci.

Sipas tij, veprimet e Prokurorisë do të kenë padyshim edhe efekte në skenën politike.

“Kjo Gjykatë, me aq sa kemi informacione, do të merret me të ashtuquajturit ‘peshqit e mëdhenj”’.

Disa prej tyre janë aktivë në politikë. Arrestimi i disa politikanëve do të shkaktoje domino-efekt. Të pandehurit, politikanët, disa prej udhëheqësve të UÇK-së, por edhe ushtarët e nivelit më të ulët, mund të fillojnë ta inkriminojnë njeri-tjetrin”, ka thënë Koci.

Sipas Kocit, pafajësia do të jetë një rrugë e rëndë dhe e gjatë, për shkak se disa elemente të sigurimit shtetëror të Serbisë, e që kanë qenë aktivë gjatë luftës, janë aktivë edhe tash.

“Organet tona të sigurisë nuk i kemi të përgatitur sa duhet, që dezinformatat dhe luftën speciale të Serbisë ta neutralizojnë. Për këtë kemi vetë ne faj, e posaçërisht krahu i luftës, me politika të gabueshme kadrovike. Thënë shkurt, shteti nuk mbahet me njerëz të afërt partiakisht e të mangët profesionalisht”, ka thënë Koci.

Megjithatë ai ka shtuar se lufta e pastër e UÇK-së nuk do të dëmtohet, por individë të caktuar do të ballafaqohen me dënime serioze, nëse konstatohet fajësia e tyre.

Islami: Nuk do të ketë trazira

Përkundër faktit se Gjykata Speciale pritet që të merret me disa nga figurat më të larta politike në vend, eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se nuk do të ketë trazira në vend.

Dhe kjo, për vetëm një arsye.

“Unë mendoj se mund të ketë protesta nga organizatat e dala nga lufta, por jo edhe nga populli, sepse gjendja ekstreme ekonomike në Kosovë ka bërë që njerëzit të mendojnë për mirëqenie më të mirë dhe jo për diçka tjetër. E është pikërisht kjo skenë politike e cila nuk ka bërë sa duhet për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Islami.

Madje, sipas tij, në humbjen e besimit te institucionet dhe disa prej figurave politike ka ndikuar edhe skandali “Pronto”.