Serbia vazhdon financimin e strukturave paralele

Aktuale January 22, 2017 - 13:07

Strukturat paralele në veri ende po vazhdojnë të funksionojnë, pavarësisht se me marrëveshjen e arritur para më shumë se tre vjetësh në Bruksel parashihet shuarja e tyre.

Për më tepër, Serbia edhe sot vazhdon t’i financojë ato struktura në komunat e banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

Derisa ministrja për Dialog, Edita Tahiri, nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje derisa të kalojnë tensionet, përfaqësues të Komunës së Mitrovicës së Jugut thonë se shumë shpejt do të ndërpritet financimi dhe do të arrihet shuarja e tyre.

Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës vlerësojnë se Serbia nuk do ta ndërpresë financimin për strukturat paralele pasi që, sipas tyre, ajo nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me palën kosovare.

Kurse, njohësit e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se me një praktikë të tillë Serbia vazhdon të tregojë se nuk është e gatshme të tërhiqet nga synimet e saj karshi territorit të Kosovës.

Bahtiri: Financimi i strukturave paralele do të ndërpritet

“Për temat që lidhen me dialogun nuk do të prononcohem derisa të mos kalojnë tensionet dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, ka deklaruar për gazetën “Zëri” ministrja Tahiri.

Kurse kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë për “Zërin” se Serbia gjithmonë ka dashur që t’i ketë strukturat paralele, porse Kosova si shtet nuk do t’i lejojë gjatë ato.

“Serbia çdoherë dëshiron që t’i ketë strukturat paralele këtu, po ne si shtet do të mundohemi që ato struktura t’i kthejmë dhe t’i largojmë”, ka deklaruar ai.

Bahtiri më tej ka thënë se strukturat duhet të largohen domosdo dhe për një gjë të tillë, sipas tij, i kanë vënë kushte Serbisë.

“Strukturat paralele duhet të largohen dhe ne ia kemi vendosur kusht edhe për normalizimin e gjendjes”, ka shtuar Bahtiri.

Sipas tij, financimi i strukturave paralele do të ndërpritet shumë shpejt.

“Sigurisht se do të ndërpritet, se bashkësia ndërkombëtare do të veprojë, se financimi i strukturave paralele po na shkakton çdoherë probleme. Unë mendoj se i ka ardhur fundi”, është shprehur ai.

Selimi: S’pritet që Serbia ta ndërpresë financimin

Kurse deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se financimi i strukturave paralele në Kosovë bëhet nga buxheti shtetëror i Serbisë.

“Serbia ka të paraparë buxhet të veçantë për Kosovën në buxhetin e saj vjetor. Financimi i strukturave paralele buron nga buxheti shtetëror i Serbisë, i miratuar në parlamentin e saj”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Prandaj, sipas tij, nuk do të duhej të pritej që Serbia ta ndërpresë financimin e këtyre strukturave.

“Përveç kësaj, qeveria serbe ka të formuar edhe një zyrë në nivel ministrie që e quan Zyra për Kosovën, e cila udhëheq edhe me financimin e strukturave të Serbisë në Kosovë, por edhe me vetë ato struktura”, ka deklaruar ai.

Haradinaj: Serbia historikisht ka qenë e përcaktuar si antishqiptare

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka vlerësuar se Serbia qe 17 vjet i përdor serbët e Republikës së Kosovës.

“Qe 17 vjet Serbia i përdor serbët e Kosovës, më shumë i përdor për destabilizim sesa shqetësohet për fatin e tyre”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Kosova duhet të shikojë se për çfarë bisedon me Serbinë, sepse kjo e fundit gjithmonë ka qenë kundër shqiptarëve.

“Serbia historikisht është e përcaktuar si antishqiptare, anti-Kosovë, por neve nuk duhet të na shqetësojë ajo, ne duhet ta shikojmë se çka po dialogojmë. Tash e tutje Kosova duhet të dialogojë nëse është nevoja me serbët e Kosovës e jo me Serbinë”, ka theksuar Haradinaj gjatë një bisede për “Zërin”.

Ndërkohë, ka thënë se për t’u ndërprerë ky financim Brukseli do të duhej t’ia bënte të qartë Serbisë se s’ka të ardhme nëse vazhdon kështu.

Ndërkohë deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka vlerësuar se financimi i strukturave paralele po vazhdon ngase Serbia e llogarit Kosovën si të veten.

“Sepse Serbia edhe me kushtetutë Kosovën e llogarit pjesë të saj, kështu që për këtë gjë nuk duhet të befasohemi. Për t’u befasuar duhet pse qeveritarët tanë bisedojnë me një shtet që nuk të llogaritë shtet? Kjo është më shqetësuese”, ka deklaruar ai.

Sipas Berishës, për të gjitha të këqijat që i vijnë Kosovës duhet fajësuar veten e jo Serbinë.

Merja: Me veprimet e Serbisë, humbës - serbët e Kosovës

Kurse politologu Ramush Tahiri, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë parasheh shuarjen e strukturave paralele.

“Marrëveshja nga dialogu Kosovë - Serbi parasheh shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës. Unë tash nuk e di kur dhe si do të shpërbëhen këto struktura paralele dhe me çka do të zëvendësohen”, ka deklaruar ai.

Albana Merja, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se Serbia po vazhdon financimin e strukturave paralele dhe po vazhdon të tregojë se nuk do të largohet nga qëllimet që ka për Kosovën.

“Serbia po vazhdon t’i financojë strukturat paralele në veri duke e pamundësuar në këtë mënyrë integrimin e plotë të qytetarëve serbë të veriut në jetën publike dhe ekonomike të Kosovës. Duke e përdorur paranë si mënyrë kontrolli mbi këta qytetarë, Serbia vazhdon të tregojë se nuk është e gatshme të tërhiqet nga synimet e saj mbi territorin e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Sipas Merjes, këto veprime nga ana e Serbisë po cenojnë hapur implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Kurse, ka vlerësuar se më së shumti nga veprimet e tilla pasoja i bart pala serbe.

“Me këto veprime nga ana e Serbisë ata që do t’i vuajnë më shumë pasojat janë pikërisht qytetarët serbë të veriut, të cilët vazhdojnë të jetojnë në një realitet imagjinar, duke mos pasur kështu mundësi që të integrohen në jetën publike dhe ekonomike të Kosovës dhe duke mbetur peng i politikës së vjetër serbe”, është shprehur ajo.