Fshati i fallxheshave më të mira të Kosovës

Aktuale January 22, 2017 - 10:31

Kushdo që ka probleme të ndryshme në familje, ata që nuk kanë fat në dashuri, ata që duan të dinë për fatin e tyre në të ardhmen “ilaçin” mund ta gjejnë në Bajë të Istogut, e njohur në gjithë Kosovën si Ilixha e Pejës. Se aty ndodhen fallxheshat më të mira në Kosovë tregojnë radhët e gjata të “hallexhinjve” nga e gjithë Kosova

Baja e Istogut, e cila në gjithë Kosovën njihet si Baja e Pejës (Ilixha e Pejes), nuk është e njohur vetëm si qendër rehabilituese, në të cilën njerëz me probleme shëndetësore nga e gjithë Kosova shkojnë për t’u shëruar, por edhe për ta gjetur rehatinë.

Uji i ngrohtë që buron nga thellësia e tokës në këtë fshat, i cili i ngjan një qyteze, nuk është ilaçi i vetëm për shërbimin e shumë sëmundjeve.

Baja tashmë është shndërruar edhe në një qendër tjetër - të shkrirjes së plumbit dhe parashikimit të fatit në filxhan të kafesë.

Fitohet përshtypja se më shumë njerëz shkojnë tek fallxheshat sesa njerëz që ia mësyjnë qendrës rehabilituese në Bajë për t’u shëruar.

Më shumë punë fallxheshat sesa qendra rehabilituese e mjekët!

 

Edhe ata që shkojnë për herë të parë nuk e kanë vështirë t’i gjejnë fallxheshat, pasi që secila nga ato ka vendosur tabela që tregojnë shtëpitë ku ndodhen ato. “Te Sanija”, “Te Gila”, “Plumbtore”, “Falltore”, janë vetëm disa nga emrat që tërheqin “hallexhinjtë”.

E ata që mësyjnë këto dyer thonë se në Bajë ndodhen fallxheshat më të mira në Kosovë.

Se vërtet është kështu tregon fakti se para dyerve të plumbçoreve dhe të atyre që parashikojnë fatin e njerëzve nëpërmes filxhanit të kafesë, në Bajë krijohen për çdo ditë radhë të gjata të “hallexhinjve” nga e gjithë Kosova. Çmimi është 10 euro, si për ata që shkojnë për të shkrirë plumb dhe sikur për ata që shkojnë për ta shikuar fatin e tyre për të ardhmen.

H. M., nga Baja në interesimin e “Zërit” tha se shumë njerëz vijnë tek fallxheshat në Bajë sepse, siç thotë ai, “ato janë të mirat dhe janë shumë profesionale”.

“Më shumë vijnë tek këto se për me hi mu la me ujë të nxehtë, në banjot e qendrës rehabilituese. Bile edhe ata që vijnë për shërim nuk durohen pa shku me këqyr filxhanin a me shkri plumb, se këtu i kanë afër dhe se ato gratë janë më të mirat në Kosovë për këtë punë”, thoshte ai, i cili këmbëngulte se në Bajë janë vetëm dy gra fallxhesha, një që shkrin plumb dhe një falltare me filxhan të kafes.

“Qito dyja i di, jo qenka edhe një tjetër ma nelt, nuk ia di emnin”, shprehej ai.

Fata, nga një fshat i Mitrovicës, e cila kishte ardhur për të shikuar fall për djalin e saj “kumarxhi”, thotë se ka pritur gati 4 orë derisa i ka ardhur radha të hynte brenda një dhome hiç më të madhe se 9 metër katrorë. Krejt çfarë “klienti” e ka pa para tek këto fallxhesha është kafja, të cilat ato i bëjnë me kujdes, që të jetë më e fortë dhe me më shumë kafe. “Klienti” e pi kafen e pastaj fallxhesha e rrotullon dhe i urdhëron “klientët” që ta bëjnë një si kryq me duar mbi filxhanin e rrotulluar “për të qenë suksesi i plotë”.

Duke u bazuar në numrin e njerëzve që prisnin në radhë, Sanija duket se është fallxhesha më me nam në Bajë, ku kishte shkuar për ta parashikuar fatin e saj dhe të djalit të saj Fata nga Mitrovica.

“Krejt ja ka qillu, qashtu qysh ka thënë është. E ka dijtë krejt qysh i kam punët në familje. Me tha se djali ka mu nal e mos me lujt ma kumor (bixhoz) edhe mua më ka thënë se kam me hi në punë”, shprehej ajo, dukshëm e lumtur se më në fund “po vijnë ditë të mira për të dhe djalin e saj”. Ndërsa Mihanja, nga një fshat i Pejës, tha se kishte ardhur tek Sanija për të parë nëse burri i saj po e tradhtonte.

“Jo, jo burrin e ki shumë të mirë, hiç mos ta nin, ai tranohet për ty, hiç mos u ban marak se nuk ka kurgja aty. Rri gati burrit se e ki dukat”, i thoshte fallxhesha gruas nga Vushtrria, e cila doli nga aty pothuajse duke fluturuar.

Një grua nga Vushtrria: Më garantoi se burri nuk më tradhton

E një tjetër grua e cila thoshte se është nga Vushtrria, kishe shkuar në plumbtore për t’i shkrirë plumb burrit të saj, pasi që, siç thoshte ajo, “burri po shkon pas grave të tjera”. “Me mujt me ia hjek qit zanat të keq që e ka kisha dhanë shumë pare”, thoshte ajo.

Gruaja kishte marrë me vete fotografinë e burrit të vet, si dhe një bluzë si shenjë nga ai, pasi që plumbçorja kishte porositur se kushdo që shkon tek ajo për të bërë hall, nëse nuk e kanë për vete, duhet të marrin nga një shenjë të atyre për të cilët shkrihet plumbi.

“Ishalla i ka ba hair burrit plumi që ia kam shkri. Falltorja më garantoi se burrin se kam ‘kurvan’ edhe unë i besoj”, shprehej ajo hapur para grave të tjera që prisnin në radhë.

E në anën tjetër, Sania, duke mos i shkuar fare mendja se fliste me një gazetar, tha se ka shumë punë, madje më shumë sesa mjekët që shërojnë sëmundje të ndryshme. “Jo more ma shumë punë kam unë se një doktor. Edhe unë e kam çmimin si doktori, 10 euro, por bën edhe me 5 euro, nëse njerëzit nuk kanë para, është krizë e madhe e njerëzit nuk po kanë”, shprehej Sania.

As ajo e as fallxheshat tjera të Bajës nuk kanë dëshirë që të bëhen fotografi pranë shtëpive të tyre, madje ato kanë vendosur djemtë e tyre e nipat që të mos i lënë aty afër njerëzit që nuk kanë punë.