​ Historianët serbë: Betejat e humbura, të rëndësishme për krijimin e identitetit

Aktuale January 22, 2017 - 09:11

Historianët serbë thonë se betejat e humbura janë më të rëndësishme për krijimin e identitetit sesa fitoret, duke iu referuar humbjes së “Betejës së Kosovës”.

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri” për t’i komentuar raportet shqiptaro-serbe gjatë historisë, sipas tyre, konfliktet mes dy kombeve datojnë nga koha e Perandorisë Osmane, përderisa ndarja më e madhe, siç thonë ata, ka ndodhur në vitin 1912, kur Shqipëria e shpalli pavarësinë.

Derisa disa nga këta historianët vazhdojnë ta mohojnë shtetësinë e Kosovës, disa prej tyre sugjerojnë se Serbia dhe Kosova duhet të jenë fqinj të mirë dhe të bashkëpunojnë në të gjitha nivelet, edhe pa ndërmjetësimin e Brukselit.

Stojanoviq: Kosova për serbët është çelësi i identitetit

Profesoresha e historisë në Universitetin e Beogradit, Dubravka Stojanoviq, gjatë një bisede për gazetën “Zëri” ka folur sesi konfliktet në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë nisur. Sipas saj, gjithçka ka rrjedhur konflikt pas konflikti.

“Unë e kuptoj këtë si një spirale konfliktesh, në të cilët njëra ka sjellë tjetrën në një spirale hakmarrjeje ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Stojanoviq. Ajo thotë se është e vështirë të thuhet me saktësi se kur kanë nisur konfliktet e para, megjithatë e përmend kohën e Perandorisë Osmane.

“Pastaj nga fillimi i autonomisë së Serbisë dhe zgjerimit të saj në jug, ballafaqimet janë bërë më të shpeshta pasi që edhe Serbia, edhe Shqipëria kërkonin tokën e njëjtë”, ka shtuar Stojanoviq.

E në këto konflikte, sipas saj, ka kontribuuar shumë fakti që nuk ka pasur kufij etnikë.

“Është gjithmonë problem kur ju provoni të krijoni një shtet kombëtar në një territor të përzier etnikisht të një Perandorie, ku kufijtë etnikë nuk ekzistonin. Kështu që secili konflikt e ka përgatitur tjetrin”, ka shpjeguar Stojanoviq.

Megjithatë, konflikti kryesor në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas saj, kishte nisur më 1912 kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë e saj.

“Serbia dhe Mali i Zi atëherë kishin qëllimet e tyre për një luftë. Mali i Zi mendonte se Shkodra duhet t’i përkiste shtetit të tyre, ndërsa Serbia kishte për qëllim që të arrinte në portin e Durrësit”, shpjegon Stojanoviq, duke shtuar se krejt situatë tjetër ishte në kuptimin e statusit të Kosovës atë botë.

“Serbia e kishte si qëllim lufte më 1912 që ta çlironte një territor që i kishte përkitur asaj para ‘Luftës së Kosovës’ dhe shqiptarët e Kosovës nuk e kishin kuptuar si çlirim atë gjë atë botë. Nga ajo kohë janë krijuar dy diskurse tërësisht të ndryshme dhe dy kuptime të ndryshme për pozitën e Kosovës. Nuk mendoj se të dyja palët e kanë kaluar atë keqkuptim deri më sot”, rrëfen Stojanoviq.

E pyetur se pse Kosova është kaq e rëndësishme për Serbinë, Stojanoviq ka thënë: “Sepse është çelësi i identitetit dhe të vetëkuptuarit për serbët. Kosova gjithmonë është konsideruar si vendimtare nga komunistët romantikë të shekullit 19-të, të cilët të parët kishin krijuar një monument në vendin e Betejës së Kosovës”.

Humbja e asaj beteje, sipas saj, ka bërë që rëndësia e Kosovës për ta të rritet edhe më shumë për arsye të cilat ajo përmend në vazhdim.

“Është shumë e rëndësishme që të themi se betejat e humbura janë më të rëndësishme për krijimin e identitetit sesa fitoret. Betejat e humbura janë vendimtare në homogjenizimin e kombit. Ato provokojnë emapti me humbësin. Viktimat janë më të rëndësishme për memorien historike sesa fitoret”, ka përfunduar ajo.

Integrimi evropian do t’i bashkojë kombet

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të individualizohen, të jenë fqinjësore, miqësore dhe të bazuara në interesat e përbashkëta. Përndryshe, derisa marrëdhëniet të jenë ndëretnike, raportet do të jenë gjithmonë armiqësore. Kështu ka thënë profesori i historisë në Universitetin e Beogradit, Nikolla Samarxhiq.

“Shqiptarët janë të egër për serbët, serbët për kroatët, kroatët për sllovenët dhe kështu me radhë deri te norvegjezët dhe pinguinët. Unë nuk besoj në konceptin e pajtimit të kombeve. Derisa raportet tona janë ndëretnike, pyetjet të cilat do të abuzojnë edhe të kaluarën edhe të ardhmen do të na mbajnë në një gjendje armiqësie të pashmangshme ose lufte”, ka thënë profesori Samarxhiq.

Për këtë arsye ai ka dhënë një ide sesi duhet të zhvillohen raportet shqiptaro-serbe.

“Marrëdhëniet tona duhet të individualizohen, të jenë miqësore, fqinjësore dhe të bazuara në interesat dhe nevojat e përbashkëta”, ka thënë ai. Sipas profesorit Samarxhiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, arriti që të krijojë marrëdhënie të mira me Beogradin zyrtar, të cilat megjithatë u luhatën nga deklarata e tij. “Mesazhi i tij për ‘Shqipëri të Madhe’ në Beograd është parë si kërcënim apo armiqësi”, ka thënë Samarxhiq.

Sidoqoftë, ai thotë se ka një mundësi për bashkim të kombeve në Ballkan. “Integrimi evropian, i përkthyer në realitetin e Ballkanit, do të çojë në bashkimin e kombeve, mirëpo të të gjitha kombeve falë realizimit të konceptit të lirisë dhe të heqjes së kufijve”, ka thënë ai.

Sipas Samarxhiqit, edhe në Kosovë, edhe në Serbi ka nevojë për qeveri të vogla, efikase, heqje të kufijve, barrierave dhe paragjykimeve.

“Para disa vitesh kam takuar një person në Prizren, një shqiptar i cili thoshte se është krenar që ka lindur në Beograd. Një dëshmi e tillë e thjeshtë, por edhe shumë emotive vuri në pah thelbin e problemeve tona, të cilat në të shumtën e rasteve janë imagjinare, por edhe që duhet të reflektojnë në vlerat dhe ndjenjat të cilat janë të përbashkëta. Në fund të fundit, e gjithë bota moderne është në një lloj kaosi aktualisht dhe duhet të qëndrojmë së bashku, si fqinj, si ish-qytetarë të Jugosllavisë dhe si qytetarë perspektivë të Bashkimit Evropian. Shpresoj që shqiptarët e Kosovës do të preferojnë çfarëdolloj forme të bashkëpunimit lokal, ndërshtetëror me serbët, kroatët etj, sesa ndonjë ndërmjetësim të Brukselit”, ka përfunduar profesori Nikolla Samarxhiq.

Jagodiq: Nuk ka pajtim, shqiptarët nuk kanë realizuar ende qëllimet e tyre

Ndryshe nga dy profesorët, Dubravka Stojanoviq dhe Nikolla Samarxhiq, profesori tjetër i historisë në Universitetin e Beogradit, Milosh Jagodiq, ka thënë se një pajtim në mes të shqiptarëve dhe serbëve nuk pritet të ndodhë së shpejti. Madje, sipas tij, serbët kanë qenë “viktima” të përndjekjes nga Kosova në shekujt e fundit dhe këtë me ndihmën e Shqipërisë.

“Emigrimi i serbëve nga Kosova dhe Maqedonia e sotme ka qenë një proces i vazhdueshëm gjatë këtyre katër shekujve të fundit. Emigrimi u detyrua shpesh nga presioni i Shqipërisë. Sa serbë kanë mbetur në Kosovë sot? Ky është rezultat i emigrimeve”, ka thënë Jagodiq, duke shtuar: “Nacionalizmi shqiptar edhe në ditët e sotme është shumë i gjallë dhe qëllimet kombëtare shqiptare nuk janë plotësuar ende. Unë nuk mendoj se pajtimi ka të ngjarë të ndodhë së shpejti”, ka thënë ai.

I pyetur nëse Cubrriloviq, Andriq e Dobrica Qosiq kanë treguar një tjetër fytyrë të shqiptarëve, duke i quajtur të egër dhe kanë bërë thirrje për asgjësimin e tyre, Jagodiq ka mohuar një gjë të tillë. Ai thotë se askush nga serbët nuk ka kërkuar shfarosjen e shqiptarëve.

“Me aq sa di unë nuk ka pasur asnjë serb, i cili ka avokuar shfarosjen e shqiptarëve. Nëse do të ishte kështu, rasti më i mirë ka qenë për të shfarosur popullsinë shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia e sotme në luftërat ballkanike 1912/13. Mirëpo asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Regjistrimi i popullsisë nga autoritetet serbe, i bërë në verë të vitit 1913, tregon qartë se ka pasur myslimanë dhe shqiptarë në disa zona si Prishtina e Prizreni”, ka thënë Jagodiq.

Madje, sipas tij, Serbia ka mbrojtur shqiptarët myslimanë nga Mali i Zi. “Atë kohë Mali i Zi kishte nisur një fushatë për konvertimin e myslimanëve në të krishterë. Shqiptarët myslimanë u larguan nga territori serb i okupuar nga Mali i Zi dhe kërkuan mbrojtje në zonën serbe. Ata u mirëpritën, u strehuan, u ushqyen dhe u rehatuan atje. Mbretëria e Serbisë për dallim nga Greqia dhe Bullgaria nuk kishte nënshkruar  marrëveshje me Turqinë për shkëmbimin e pakicave edhe pse Turqia kishte bërë një propozim të tillë”, ka thënë Jagodiq.

Jagodiq: Serbia kishte mbështetur Isa Boletinin dhe Bajram Currin kundër turqve

Në vazhdim të deklaratave të tij profesori serb, Milosh Jagodiq, thotë se janë të shumta rastet kur shqiptarët dhe serbët kanë bashkëpunuar mes tyre gjatë historisë.

“Bashkëpunimi ka ekzistuar më shumë mes serbëve dhe shqiptarëve katolikë”, ka thënë Jagodiq, duke përmendur më pas disa shembuj konkretë, të cilët qëndrojnë sipas tij. “Serbët dhe fisi katolik Kelmendi kishin bashkuar forcat në një kryengritje kundër regjimit osman në luftën në mes të Austrisë dhe Perandorisë Osmane, më 1737/1739. Fiset katolike shqiptare ngjitur me Malin e Zi kanë bashkëpunuar me mbretin Nikola Petroviq më 1910-11 në revoltat kundër turqve”, thotë Jagodiq.

Bashkëpunim, sipas tij, ka pasur edhe mes shqiptarëve myslimanë dhe serbëve gjatë shekullit 19-të dhe 20-të.

“Princi serb, Mihailo Obrenoviq (1860-68) kishte bërë aleancë me liderët e Matit dhe të Dibrës për sulme të planifikuara kundër osmanëve. Në verë të vitit 1912, para se të niste Lufta Ballkanike, Serbia kishte përkrahur liderët kryesorë shqiptarë, duke përfshirë këtu Isa Boletinin dhe Bajram Currin në Vilajetin e Kosovës, me para dhe armë në luftën e tyre ndaj regjimit të turqve të rinj”, thotë Jagodiq, duke dalë te marrëveshja më e rëndësishme, sipas tij, ajo me Esat Pashë Toptanin.

“Shembulli më i rëndësishëm është marrëveshja ndërmjet Nikola Pasiqit, ish-kryeministrit serb, dhe Esat Pashë Toptanit, liderit të Shqipërisë, më 1915, për të krijuar një bashkim shtetëror në mes të Shqipërisë dhe Serbisë”, ka përfunduar Jagodiq.