Serbia ka regjistruar 78 lloje ilaçesh në Kosovë

Aktuale January 21, 2017 - 08:33

Pas arritjes së një marrëveshjeje në Bruksel për njohjen e CPP-ve në mënyrë të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, prodhuesit nga Serbia kanë regjistruar 78 lloje të ilaçeve në Kosovë. Më së shumti ilaçe ka regjistruar kompania “Hemofarm”, e cila nga viti 2006 është privatizuar prej kompanisë së prodhimit të ilaçeve “Shtade” me seli në Gjermani, shkruan sot, gazeta Zeri.

Pas një ndalese disavjeçare të regjistrimit të produkteve të Serbisë në Kosovë dhe vetëm pak kohë pasi Serbia ka arritur një marrëveshje me Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) për njohjen reciproke të CPP-ve (dokument ku shteti merr përgjegjësinë për ilaçin që prodhon) të ilaçeve në Kosovë janë regjistruar 78 produkte farmaceutike të Serbisë.

Këto ilaçe, siç thonë farmacistët, janë mjaft të kërkuara sidomos nga gjeneratat më të vjetra, pasi popullata e Kosovës qysh nga koha e ish-Jugosllavisë ishte mësuar me produktet e prodhuesve serbë.

Ndonëse disa fabrika të mëdha të prodhimit të ilaçeve janë privatizuar, regjistrimi i këtyre produkteve në Odën e Farmacistëve të Kosovës i ka kontribuuar uljes së kontrabandës në relacion me Serbinë.

Regjistrimi i ilaçeve të Serbisë ka ulur kontrabandën

“Ilaçet e Serbisë i kemi mbajtur në barnatore edhe në kohën sa nuk lejohej regjistrimi i tyre. Kjo për faktin se ishte një gjeneratë e tërë që në vazhdimësi i kërkonin”, thotë për “Zërin” një farmacist.

Ai ka thënë se hyrja e tyre në rrugë legale i ka ndihmuar mundësisë së kontrollit.

“Ka disa propaganda për linjat e caktuara për Kosovë. Por unë nuk besoj në këto gjëra për faktin se edhe popullata serbe që jeton në Kosovë përdor kryesisht këto produkte. Madje për ta janë futur ilaçe të Serbisë edhe në emër të ndihmave humanitare”, thotë ky farmacist, gjersa nuk preferon të flasë me emër.

Ai tregon se numri i vogël i inspektorëve farmaceutikë kishte pamundësuar kontrollin e tërësishëm të tregut. “Kjo ka mundësuar që secila barnatore t’i mbajë ato ilaçe. Por, regjistrimi i tyre tashmë ka mundësuar që ilaçet e njëjta të hyjnë në rrugë legale dhe unë si farmacist nuk kam arsye të mbaj një produkt ilegalisht nëse ai është i regjistruar”.

Pranvera Behrami, zëdhënëse në Agjencinë për Pajisje dhe Produkte Medicinale, ka thënë për “Zërin” se pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel për Njohjen e CPP-ve, në Departamentin e Autorizimit për Marketing në AKPPM janë regjistruar 78 produkte të kompanive “Galenika – Beograd” dhe “Hemofarm – Vrshac”.

Behrami ka treguar se përfaqësues i kompanisë “Hemofarm A.D. Vrshac” për Kosovën është kompania “Exclusiv” e Gjilanit, i cili prodhues sipas saj është privatizuar nga kompania gjermane “Shtad”.

Ndërkohë, është edhe prodhuesi “Galenika” nga Beogradi që ka përfaqësues të autorizuar në Kosovë kompanitë “Santefarm” në Prishtinë dhe “En-Trade” në Mitrovicë. Sipas Behramit, kjo e fundit ende qëndron nën menaxhim të kompanisë serbe.

Behrami e pyetur nëse kanë bërë analiza specifike të kontrollit të cilësisë së këtyre produkteve ka thënë se Laboratori i Kontrollit të Cilësisë nuk ka pasur asnjë kërkesë nga asnjë institucion relevant për analiza të jashtëzakonshme të këtyre produkteve.

“Sa i përket analizave të rregullta, sipas Udhëzimit Administrativ të Laboratorit për Kontrollin e Cilësisë parashihet që planifikimi i analizave të bëhet një vit përpara”, ka thënë zëdhënësja Behrami.

 Oda e Farmacistëve: Duhet kontrolluar ilaçet për t’i hequr të gjitha dilemat

Sipas saj, produktet serbe në Kosovë janë regjistruar në vitin 2016. “Mirëpo në planifikimin e këtij viti pa dyshim që këto produkte do të përfshihen në planin e mostrimit për këtë vit”, ka thënë ajo.

Në Odën e Farmacistëve të Kosovës, kryetari Zehadin Gashi ka thënë për gazetën “Zëri” se ka kërkuar të bëjë një takim javën e ardhshme me kryeshefin e AKPM-së se si qëndron gjendja sa i përket edhe këtyre barnave. Zehadin Gashi, ka thënë se AKPM-ja do të duhej të kishte parasysh faktin se produktet e Serbisë për Kosovën janë specifike dhe se, sipas tij, do të duhej të bënte kontroll të këtyre produkteve me qëllim që të hiqeshin të gjitha dilemat e mundshme rreth këtyre ilaçeve.

Gashi megjithatë ka thënë se regjistrimi i këtyre paraleleve ka bërë që barnatoret më të mos i mbajnë në mënyrë ilegale ato.

Burim Shkodra, pronar i kompanisë “Ekskluziv” në Gjilan, e cila ka regjistruar mbi 70 produkte farmaceutike në Kosovë e që janë prodhuar në “Hemofarm”, ka thënë se kjo kompani tashmë është me 100 për qind të aksioneve të Gjermanisë pasi, sipas tij, ajo është privatizuar nga prodhuesi gjerman i ilaçeve “Shtada”.

“‘Shtada’ e ka blerë 456 milionë euro ‘Hemofarmin’ në vitin 2006”, thotë Shkodra.

Ai gjithashtu thotë se regjistrimi i një produkti kushton prej 1500 deri në 2000 euro, varësisht procedurave.

“Gjitha procedurat janë kryer dhe janë lëshuar edhe CPP-të që janë dokumente ku shteti në të cilin prodhohet ilaçi e merr përgjegjësinë për atë ilaç që regjistrohet”, ka thënë Shkodra. Sipas tij, në fabrikën e “Shtade”-s në Serbi prodhohen ilaçe edhe për shumë shtete të tjera të botës si për Spanjë, Gjermani, Itali dhe vende të tjera.

“Me rëndësi të ceket edhe fakti se kjo fabrikë punon me GMP-në (dokument i praktikave të mira të prodhimit) gjermane”, ka thënë ai.