Haxhiu: Askush nga ‘Vetëvendosje’ nuk e ka sulmuar asnjë gazetar

Aktuale January 19, 2017 - 22:51

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka sulmuar asnjë gazetar.

Sipas Haxhiut, profesioni dhe parimet e gazetarisë nuk do të lejonin asnjëherë që Mentor Shala dhe soji i tij të bartin emrin gazetar, transmeton “Zeri.info”.

Ajo përmes një statusi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se, Shala nuk është gazetar, por një shërbyes i regjimit "Pronto".

“Ne kërkojmë që ky njëri, me gjithë përgjegjësit e tjerë që u përpoqën që të montojnë rastin e aktivistëve tanë, të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre. Mentorin dhe të tjerët do t'i mbajmë përgjegjës për padrejtësinë ndaj gjashtë aktivistëve të arrestuar, për vdekjen e Astritit që u arrestua pa asnjë provë dhe humbi jetën në rrethana të dyshimta”, ka shkruar ndër të tjerash Haxhiu, transmeton “Zeri.info”.

Reagimi i saj i plotë:

Askush nga Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e ka sulmuar asnjë gazetar. Profesioni dhe parimet e gazetarisë nuk do të lejonin asnjëherë që Mentor Shala dhe soji i tij të bartin emrin gazetar. Pra, Mentori nuk është gazetar, por një shërbyes i regjimit "Pronto".

Ky gënjeshtar që flet për likuidim gazetarësh dhe për totalitarizëm e diktaturë është shërbyes i një regjimi kriminal e gjysmë-autoritar, i cili në stilin gebellsian e filloi fushatën ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! me synimin që të shpallet terroriste.

Ne kërkojmë që ky njëri, me gjithë përgjegjësit e tjerë që u përpoqën që të montojnë rastin e aktivistëve tanë, të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre. Mentorin dhe të tjerët do t'i mbajmë përgjegjës për padrejtësinë ndaj gjashtë aktivistëve të arrestuar, për vdekjen e Astritit që u arrestua pa asnjë provë dhe humbi jetën në rrethana të dyshimta.

Nuk do të ndalemi në asnjë moment së kërkuari drejtësi dhe kjo e fundit nënkupton që Mentori dhe miqtë e tij nga klani "Pronto" të jenë prapa grilave. Demokracia do të thotë sundim i popullit e jo sundim i klanit "Pronto".