Qeveria e Serbisë urdhëroi ndërtimin e murit

Aktuale January 19, 2017 - 10:21

“Më 07 dhjetor 2016, Qeveria e Serbisë urdhëroi ndërtimin e një muri në pjesën veriore të lumit Ibër, në Mitrovicë, duke bërë shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe duke devijuar nga Marrëveshja e arritur për Rivitalizimin e Urës mbi Lumin Ibër. Ky veprim provokues ka për qëllim të shkaktojë përçarje etnike në Kosovë dhe ta dëmtojë normalizimin e marrëdhënieve. Përpjekjet e Serbisë për të krijuar hapësira njëetnike në territorin e Kosovës janë të kundërligjshme dhe të papranueshme”, thuhet në letrën e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dërguar 49 ministrave të Jashtëm, raporton "Zeri.info".

Ai ia ka bërë të ditur BE-së se më herët, në tetor 2016, Serbia ka ndërhyrë në menaxhimin strategjik të pronave të brendshme të Kosovës, duke kundërshtuar miratimin e Ligjit për :Trepçën”, qëllimi i vetëm i të cilit ishte evitimi i rrezikut të inicimit të procedurave të likuidimit të kësaj ndërmarrjeje, proces i cili do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme vetë ndërmarrjes, punëtorëve të saj dhe stabilitetit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. “Për Qeverinë e Kosovës shfrytëzimi i duhur i resurseve natyrore është prioritet strategjik dhe me interes vital për qytetarët e Kosovës. Ndërhyrja në çështjet ekonomike të Kosovës dhe përpjekja e tyre për t’i manipuluar serbët lokalë që jetojnë në Kosovë, edhe një herë ilustron qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës, e cila dëmton rëndë normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin në rajon”, shkruan në letrën e detajuar nga Hoxhaj.

Në fund, Hoxha paralajmëron se politika e re e Serbisë kundër Kosovës përfaqëson jo vetëm devijim fundamental të Serbisë nga zotimi për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, por përfaqëson devijim domethënës nga rruga e saj e integrimit evropian, si dhe kërcënim të ri në aspektin e sigurisë të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor. “Duke marrë parasysh që Serbia po kërkon të zgjerohet jashtë kufijve të saj, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i vetëdijshëm dhe ta marrë në konsideratë ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës janë edhe kërcënime për sigurinë rajonale”, përfundon letra e Hoxhajt drejtuar homologëve të tij./Zeri/.