Shqiptarët në veri, të pasigurt
Shqiptarët që jetojnë në tri komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, ndjehen të rrezikuar nga serbët, pas tensionimit të situatës së sigurisë në vend. Kulmi i pasigurisë në këtë pjesë të vendit ka arritur pas ndërtimi të murit në veri të Mitrovicës dhe trenit provokues nga Serbia, i cili nuk u lejua të hyjë në Kosovë, shkruan sot, gazeta Zeri.
Shqiptarët që jetojnë në veriun e vendit druajnë nga ndonjë “hakmarrje” nga komuniteti serb. Këtë drojë e kanë edhe njohësit e çështjeve politike, ekspertët e sigurisë dhe përfaqësuesit e subjekte politike opozitare. Siç thonë ata, të gjitha situatat e fundit kanë ardhur si produkt i dialogut Kosovë – Serbi, bisedime të cilat sipas tyre duhet të ndërpriten urgjentisht.
Në anën tjetër përfaqësues politikë në Mitrovicën e Veriut vlerësojnë se siguria e shqiptarëve në katër komunat është stabile. Ata shprehen të sigurt edhe pse thonë se pas provokimeve të fundit ka pasur grimca pasigurie mes shqiptarëve.
Shefi i Grupit të Ansamblesitëve të PDK-së në Komunën e Mitrovicën së Veriut, Bashkim Cimili, ka vlerësuar se në pjesën veriore të vendit s’ka asgjë të sigurt, megjithatë pas kthimit të trenit, siç thotë ai, shqiptarët janë më të relaksuar.
“Sigurt, këtu s’ka asgjë, por pas kthimit të trenit shqiptarët janë më të relaksuar. Pushteti i Kosovës e tregon atë seriozitetin e tij dhe e kthen trenin mbrapsht. Kjo ka qenë një sfidë për shqiptarët në veri. Qytetarët shqiptarë i besojnë kryetarit të Kuvendit në deklaratën e tij në lidhje me çështjen e murit dhe rrënimin e tij”, ka deklaruar ai.
Xhaka: Të them të drejtën ka pak pasiguri
Nga ana tjetër, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zveçan, Lumni Xhaka, vlerëson se pas ndaljes së trenit është shtuar pak frika në veri.
“ Të them të drejtën ka pak pasiguri, por jo shumë e madhe, sepse faktikisht jemi mësuar gjithmonë në tensione pala shqiptare. Nuk ka mundësi, s’e besoj që mundet të vijë deri te eskalimi i situatës sepse Qeveria dhe institucionet e Kosovës e kanë nën kontroll dhe serbëve nuk iu konvenon fortë të bëjnë trazira, për momentin jo”, ka thënë Xhaka.
Sipas tij, deklaratat e krerëve politikë serbë në Beograd janë vetëm retorikë për konsum të brendshëm.
“Besoj se deklaratat janë vetëm retorikë për konsum të brendshëm sepse tash edhe janë zgjedhjet elektorale në Serbi, më shumë e kanë për konsum të brendshëm politik”, ka potencuar ai.
Derisa thotë se përderisa KFOR-i e ka sigurinë në vend, aventurat serbe nuk do mund të shkojnë aq larg.
“Sepse dihet se KFOR-i e ka sigurinë në vend, nuk besoj që shkojnë ato aventura aq të rrezikshme. Është njëfarë pasigurie, por jo edhe në atë nivelin që me qenë shqetësuese”, ka përfunduar Xhaka.
LVV: Agresioni i Serbisë karshi Kosovës vazhdimisht është rritur
Në anën tjetër, në subjektin opozitar më të madh në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), theksojnë se agresioni i Serbisë karshi Kosovës vazhdimisht është rritur.
Sipas tyre, këtë e dëshmuan më së miri provokimet lidhur me linjën hekurudhore, e veçanërisht treni me mbishkrimet “Kosova është Serbi”.
“Mijëra shqiptarë janë detyruar të braktisin apo shesin shtëpitë dhe banesat e tyre dhe të largohen nga ajo pjesë. Negociatat për normalizim me Serbinë nuk kanë prodhuar asgjë për Kosovën e sidomos për shqiptarët që jetojnë në veri të Mitrovicës”, ka thënë Marigonë Drevinja, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm në LVV.
Ndryshe Drevinja vlerëson se situata e krijuar në veri të vendit është pasojë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjeve të Serbisë. Siç thotë ajo, negociatat me Serbinë duhet të ndërpriten menjëherë.
“Negociatat me Serbinë duhet të ndërpriten urgjentisht dhe shteti i Kosovës duhet të ndërmarrë hapat e domosdoshëm për sigurimin e banorëve në veri nga këto provokime, të cilat mund të dërgojnë deri te ndonjë konflikt”, ka përfunduar ajo.
Analistët: Situata në veri, mjaft e komplikuar
Ndërkohë, drejtori i “Rockefeller Brothers Fund” në Kosovë, Haki Abazi, e ka vlerësuar si mjaft të komplikuar situatën në veri të vendit.
“Ura, barrikadat, muri e treni, janë të gjitha arsye për frikë dhe për panik sepse politika është duke vazhduar me avazin e vjetër”, ka thënë ai.
Sipas Abazit, të brengosur me këtë situatë nuk duhet të jenë vetëm shqiptarët por edhe serbët.
“Edhe Shqiptarët edhe serbët duhet të jenë të brengosur sepse ata si qytetarë janë bërë pjesë të pazareve politike dhe në asnjë mënyrë nuk po dilet jashtë kornizave të së kaluarës”, ka deklaruar ai.
Abazi mendon se e gjithë situata e krijuar kohën e fundit është dështim i të gjithëve.
“Nëse pas gjashtë vjetëve dialogu është rezultati dhe gjuha që përdoret atëherë ky është dështim i të gjithëve dhe fitore e urrejtjes dhe agjendës konfliktuoze”, ka potencuar ai.
Në anën tjetër, profesori universitar, Blerim Brujani, deklaron se shqetësimet në veri të vendit janë shtuar pas rrjedhave të fundit.
“Shqetësime ka pasur edhe më herët në vazhdimësi apo në kontinuitet për shkak të situatës që mbretëron dhe funksionimin e institucioneve paralele, por edhe problemet e moslëvizjes së lirë, por tash mund të duket më shumë tensionuese për shkak edhe të provokimit që ka ardhur nga Beogradi”, ka deklaruar Burjani.
Më tej, ai shprehet i bindur se pas kthimit të trenit dhe largimit të murit Serbia do të mbetet jashtë loje.
“Serbia do të mbetet në interesat që kishte në mesjetë as afër shumë Evropës, pak më afër me Rusinë edhe pse Serbia ka humbur shumë me këtë politikë që e ka përcjellë nga mesjeta”, ka përfunduar Burjani.
Shala: Serbia ka në plan ta paraqesë keq Kosovën para të tjerëve
Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, mendon se plani i Serbisë është paraqitja e keqe e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.
“Plani i Serbisë është që të shfrytëzojë këtë vakum institucional në arenën ndërkombëtare ku kemi disekulibër në kuadër të BE-së dhe çorientimet brenda NATO-s nga deklaratat e Presidentit Trump për këtë aleancë”, ka deklaruar ai.
Shala shprehet i bindur se Rusia do ta njohë Kosovën, po që se një gjë të tillë ia kërkon SHBA-ja.
“Nëse hyn në bisedime SHBA-Rusi atëherë nëse kërkohet njohja e Krimesë nga administrata e SHBA-së, kjo e fundit (Rusia) do ta njohë Kosovën”, ka thënë tutje Shala.
Siç thotë ai, nga kjo situatë e krijuar, Serbia po përpiqet që para bisedimeve të bëjë invazion në pjesën veriore.
“Dhe nëse ndodh kjo atëherë komuniteti shqiptar do të përballet më një spastrim etnik nga ana e aparaturës serbe në atë pjesë. Sepse situata në rajon është duke u përshkallëzuar në shtetet e Bosnjës me Republikën Serbe në kuadër të saj ku po kërkon shkëputje nga Bosnja”, ka shtuar Shala.