I përgjigjemi Speciales
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për “Zërin” thotë se lidershipi i Kosovës ka instaluar politikë bashkëpunimi me drejtësinë ndërkombëtare, duke e konfirmuar gatishmërinë për t’iu përgjigjur Gjykatës Speciale. Ai po ashtu ka folur edhe për provokimet e vazhdueshme nga Serbia, duke thënë se ajo do të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë derisa ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës
Provokimet nga shteti i Serbisë do të vazhdojnë derisa kjo e fundit ta njohë Kosovën dhe të heqë dorë nga politika e vet hegjemoniste dhe nacionaliste.
Kështu ka deklaruar presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, në të cilën ka bërë të ditur se vendimi për ndaljen e trenit propagandues nga Serbia ka qenë, siç ka thënë ai, vendim sovran i autoriteteve përgjegjëse kosovare, përderisa autoritetet ndërkombëtare kanë qenë të njoftuara më pas për vendimin e ndalimit të hyrjes së këtij treni.
Ish-udhëheqësi politik i UÇK-së gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka folur edhe për Gjykatën Speciale, e cila tashmë edhe zyrtarisht ka nisur punën.
I pyetur se a do t’i përgjigjeni Gjykatës Speciale nëse do të ngrejë aktakuzë ndaj jush si njëri nga drejtuesit e UÇK-së, Thaçi ka thënë se lidershipi i Kosovës ka instaluar praktikë të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.
Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Thaçi ka folur edhe për miqësinë e tij me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, të cilin mediet prestigjioze evropiane e përshkruajnë si autokrat, për shkallën e lartë të korrupsionit në vend, për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, për numrin e lartë të kosovarëve që luftojnë krah ISIS-it, etj.
Ndërkombëtarët u njoftuan për trenin propagandues
Zëri: Ju urdhëruat Policinë e Kosovës që ta ndalojë hyrjen e trenit nga Serbia me mbishkrimin provokues “Kosova është Serbi”, a morët leje nga Ambasada amerikane apo vendosët vetë?
Thaçi: Ka qenë vendim sovran i autoriteteve përgjegjëse kosovare që të mos lejohet hyrja e trenit propagandues të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës dhe kështu të mbrohet integriteti dhe sovraniteti i shtetit tonë. Autoritetet ndërkombëtare kanë qenë të njoftuara më pas për vendimin e ndalimit të hyrjes së këtij treni propagandues.
Jemi shtet sovran, marrim vendime në mënyrë të pavarur dhe sovrane. Këtë e kërkon edhe bashkësia ndërkombëtare nga ne dhe e përkrah këtë sjellje të pjekur të Kosovës.
Zëri: Provokimet nga Serbia nuk kanë të ndalur, por ju keni qenë nënshkrues i shumicës së marrëveshjeve. Çka ka përfituar Kosova nga bisedimet me Serbinë për kaq shumë vite?
Thaçi: Provokime nga Serbia do të ketë edhe në të ardhmen dhe janë pjesë e skenarit të vjetër të Serbisë për ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës. Pra, këto provokime nuk janë rastësi. Por, ftesës së Serbisë për luftë Kosova i përgjigjet me ftesën për paqe. Ftesës për ndarje territoresh përgjatë vijave etnike Kosova i përgjigjet me ftesë për bashkëpunim dhe integrim evropian.
Kosova ka përfituar nga bisedimet me Serbinë. E para, është zbehur roli i Serbisë në Kosovë duke e eliminuar prezencën e elementeve të shtetit serb, duke përfshirë edhe institucionet ilegale që kanë vepruar në pjesën veriore të Kosovës. Tani kemi Policinë e Kosovës në pjesën veriore, kemi doganierët e Kosovës në pikat kufitare në mes dy shteteve, kemi ligjet e Kosovës si të vetmet që veprojnë në tërë territorin e Kosovës. Për më tepër, kemi konfirmuar para tërë botës se jemi faktorë stabiliteti në tërë rajonin, se jemi të përcaktuar për paqe, për bashkëpunim dhe pajtim në mes të gjitha shteteve dhe të gjithë popujve.
Ne kemi parë se çfarë sjell lufta, kemi përjetuar tmerret e saj dhe do të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë që të mos lejojmë të përsëritet e kaluara.
Zëri: U ndërtua muri ilegal në veri të Mitrovicës, z. Haradinaj u arrestua me fletarrestim politik të Serbisë në Francë, treni provokues u tentua të futej në Kosovë, a keni dështuar si institucione shtetërore të zbatoni Kushtetutën e Republikës së Kosovës?
Thaçi: Provokimet nga shteti i Serbisë do të vazhdojnë deri atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën dhe të heqë dorë nga politika e vet hegjemoniste dhe nacionaliste. Por, institucionet shtetërore të Kosovës ia kanë dalë që pavarësisht pengesave të Serbisë të shtrijnë sovranitetin e vet në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe pjesën veriore.
Sot Kushtetuta e Kosovës zbatohet në tërë territorin e Kosovës. Në pjesën veriore ata që dikur ishin në barrikada, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, të zgjedhur dhe të emëruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Zëri: A do të rrënohet muri në veri, pavarësisht kundërshtimeve të politikanëve serbë në vend dhe a rrezikon të eskalojë situata e sigurisë në Kosovë?
Thaçi: E kemi bërë të qartë se tani është koha e integrimit dhe jo e ndarjes me anë të mureve dhe do të punojmë që çdo barrierë, çdo mur të hiqet, të ndërtohen ura komunikimi në mes njerëzve që mundësojnë liri të komunikimit dhe qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.
Zëri: Homologu juaj serb Nikoliq kërcënoi se do ta dërgojë ushtrinë në Kosovë nëse rrezikohet minoriteti serb këtu, cili është komenti juaj?
Thaçi: Serbët e Kosovës gëzojnë të drejtat më të avancuara, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kanë të garantuar lirinë dhe sigurinë e tyre. Nuk ka asnjë kërcënim drejtuar komunitetit serb nga kushdo në Kosovë. Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës është përdorimi dhe manipulimi i tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarëve të veta nacionaliste për destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës.
Njësoj sikurse në të kaluarën, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, Serbia kërkon të krijojë alibi për ndërhyrje ushtarake. Në shërbim të kësaj janë edhe deklaratat e presidentit Nikoliq, që tregojnë edhe një herë se Serbia është e gatshme t’i viktimizojë qytetarët e vet dhe komunitetin serb në Kosovë për qëllimet e veta politike. Këtë skenar e njeh mirë edhe bashkësia ndërkombëtare, NATO-ja dhe BE-ja. Prandaj, jam i bindur që nuk do të realizohet kjo aspiratë e Serbisë.
Haradinaj do të kthehet në Kosovë
Zëri: Si do të zgjidhet çështja e fletarrestimeve të Serbisë në INTERPOL dhe kur pritet të lirohet z. Haradinaj? A keni kontakte me autoritetet franceze?
Thaçi: Kemi kontakte me z. Haradinaj, kemi kontakte me autoritetet franceze dhe presim që çështja të përmbyllet ashtu siç e thonë edhe ligjet në fuqi, që Serbia nuk është më përgjegjëse për qytetarët dhe territorin e Kosovës. Prandaj, nuk mund të ketë rrugë tjetër përveçse z. Haradinaj të kthehet në Kosovë.
Zëri: Tashmë edhe zyrtarisht ka filluar punën Gjykata Speciale, a rrezikon të destabilizohet Kosova nga aktakuzat që do t’i ngrejë kjo Gjykatë, duke marrë parasysh pohimet se do të gjykohen ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së?
Thaçi: Kosova ka instaluar traditë të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Shumë herë para drejtësisë ndërkombëtare është vërtetuar dhe rikonfirmuar drejtësia e luftës së UÇK-së dhe angazhimi i pjesëtarëve të saj. Prandaj Kosova nuk ka hezituar të themelojë Gjykatën Speciale, duke ditur se do të jetë vetëm në shërbim të Kosovës dhe të heqjes së insinuatave të armiqve të Kosovës.
Zëri: Nëse Gjykata Speciale do të ngrejë aktakuzë ndaj jush, si njëri nga drejtuesit e UÇK-së, a jeni të gatshëm t’i përgjigjeni, pavarësisht se jeni në krye të shtetit të Kosovës?
Thaçi: E thashë edhe më parë që Kosova dhe lidershipi i Kosovës ka instaluar praktikë të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Nuk kemi asnjë arsye të mos besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, e cila disa herë ka dëshmuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër. Ka pasur shumë që kanë provuar të gjejnë fakte kundër UÇK-së, kundër Kosovës, duke dashur të kundërshtojnë projektin e shtetit të Kosovës, por nuk ia kanë dalë të gjejnë fakte kundër Kosovës apo kundër UÇK-së.
Zëri: Institucionet në Kosovë ka vite që janë pothuajse në bllokadë totale, duke dështuar kështu të miratohen marrëveshje shumë me rëndësi si Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi, për pasojë të të cilit janë shuar shpresat që të liberalizohen vizat me BE-në? A janë zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje për tejkalim të kësaj bllokade?
Thaçi: Institucionet e Kosovës kanë arritur edhe suksese në punën e tyre. Qeveria ka arritur të ruajë trendin pozitiv të zhvillimit ekonomik. Organet e drejtësisë kanë konsoliduar tutje sundimin e ligjit në Kosovë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur kapacitetet dhe sot është një forcë profesionale e nivelit të NATO-s.
Është e vërtetë që rrugës Kosova ballafaqohet edhe me sfida, disa prej të cilave nuk janë shkaktuar nga Kosova, por janë të ndikuara edhe nga zhvillimet e përgjithshme gjeopolitike.
Nëse vërtet do të ketë ngecje në zhvillimet në Kosovë, atëherë liderët politikë të Kosovës duhet të ulen të diskutojnë dhe të marrin vendim sesi do të lëvizet përpara. Por, një gjë mund të konstatohet se nëse nuk realizohen prioritetet e Kosovës, atëherë duhet të merren vendime të tjera. Vendi ose duhet të lëvizë përpara, ose lidershipi duhet t’i japë përgjigje situatës.
Nëse bien dakord partitë, i shpall zgjedhjet
Zëri: A jeni të gatshëm t’i shpallni zgjedhjet nëse partitë bien dakord për një gjë të tillë?
Thaçi: Në kuadër të kompetencave të mia ligjore do ta përkrah çdo vendim politik, i cili del nga një konsensus i subjekteve politike për zgjedhjet.
Zëri: Keni qenë në krye të partisë më të madhe në vend, e cila po ashtu ka qeverisur më së gjati, ndërkohë që jo pak punësime dhe dhënie të tenderëve u janë bërë ish-bashkëpartiakëve tuaj, a ndiheni përgjegjës?
Thaçi: Çdokush që ka bërë shkelje të ligjit duhet të japë llogari për sjelljen e vet, pa marrë parasysh prejardhjen dhe afërsinë politike. Këtu nuk ka çfarë të diskutohet.
Zëri: Kosova rrezikon të humbë mbi 400 milionë euro me Arbitrazh dhe rrezikon që kompanitë kryesore publike të falimentojnë, a është kjo pasojë e keqqeverisjes edhe gjatë kohës sa keni qenë ju kryeministër?
Thaçi: Është mirë që kemi mundësinë të kërkojmë arbitrazh, madje edhe ndërkombëtar. Por, fatkeqësisht, jo të gjithë njerëzit kanë motiv zhvillimin e vendit dhe respektimin e ligjeve. Prandaj, e mirëpres çdo mundësi që të sqarohet roli i secilit dhe të ndëshkohet kushdo që ka dëmtuar Kosovën në çfarëdo mënyre, në çfarëdo kohe.
Zëri: Jeni kritikuar për vizitën tuaj tek autokrati i vlerësuar nga mediet më prestigjioze, Redzep Taip Erdogan? Pse ju është dashur pikërisht tani të shkoni tek ai në vizitë, ndërkohë që ende nuk keni takuar kancelaren Merkel dhe as presidentin Holland?
Thaçi: Që nga marrja e mandatit presidencial kam zhvilluar numër të madh të vizitave në pjesë të ndryshme të botës, nga Uashingtoni deri në Ankara. Me Turqinë, sikur edhe me shumë vende të rajonit dhe kontinentit, kemi interesa të përbashkët që nga zhvillimi ekonomik deri te siguria e përgjithshme. Vizitat bilaterale kanë pasur për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit në të gjitha këto sfera.
Republikanët dhe demokratët në Amerikë, të bashkuar për Kosovën
Zëri: Sapo jeni kthyer nga një vizitë në SHBA, njiheni si shumë i afërt me demokratët dhe keni arritur që të hapni derë në administratën e presidentit Trump?
Thaçi: Kam pasur një vizitë shumë të mirë në SHBA. Në fakt, kam miq të afërt me të dy krahët e politikës amerikane. Kemi gëzuar gjithmonë përkrahjen e tërë spektrit politik amerikan. Kur bëhet fjalë për Kosovën në Uashington të gjithë janë të bashkuar, sikur që në Kosovë të gjithë jemi të bashkuar në vlerësimin dhe në zhvillimin e marrëdhënies speciale, për miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
S’jemi imunë ndaj terrorizmit
Zëri: Kosova me kokë banori është me pjesëmarrjen më të lartë në “Shtetin Islamik” dhe jo vetëm aq, por në nëntor u parandalua një sulm i madh terrorist në Shkodër, ku të përfshirë kishte më së shumti kosovarë, a vëreni rrezik për shtrirjen e ideologjisë radikale në vend?
Thaçi: Kosova nuk ka qenë imune ndaj radikalizmit dhe terrorizmit. Por, nuk kemi qëndruar duarkryq. Kemi miratuar ligje që sanksionojnë pjesëmarrjen në luftëra jashtë Kosovës dhe kemi arrestuar dhe kemi dënuar ata që kanë përhapur urrejtje. Kemi informuar qytetarët për mashtrimin që paraqet ISIS-i dhe tanimë nuk kemi qytetarë të Kosovës që shkojnë në Siri apo në Irak.
Mekanizmat tanë të sigurisë kanë qenë të suksesshme në parandalimin e sulmeve terroriste, duke përfshirë edhe atë të planifikuar të ndodhë në Shkodër, por edhe në pjesë të tjera të rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Jemi të përgatitur dhe jemi të vendosur që të luftojmë pa kompromis çdo radikalizëm dhe çdo ekstremizëm. Duhet të mbetemi vigjilentë, sepse ky kërcënim ende nuk ka kaluar.
Zëri: Kur do ta ketë Kosova ushtrinë e vet?
Thaçi: Forca e Sigurisë së Kosovës sot është një forcë profesionale, e rekrutuar dhe e trajnuar nga NATO-ja, pra e kritereve të NATO-s. Është një forcë shumetnike, që synon përfaqësim adekuat gjinor dhe është gjithmonë e gatshme të ofrojë siguri për tërë qytetarët e Kosovës, në tërë territorin e Kosovës. Shpresoj që shumë shpejt ajo do të transformohet edhe në ushtri të Kosovës.