Lini konfliktet, kthejuni dialogut!

Aktuale January 17, 2017 - 08:01

Derisa Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve, Prishtinës dhe Beogradit, që të tregohen të vetëpërmbajtura dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, SHBA-ja thotë se e respekton të drejtën e Republikës së Kosovës për t’i mbrojtur kufijtë e saj. Megjithatë, dialogu mbetet opsioni i vetëm  

Zhvillimet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti tensionimet e fundit të situatës pas ndalimit të trenit serb që të futet në Kosovë, ka bërë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët.

Derisa BE-ja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që ta vazhdojnë dialogun, SHBA-ja e respekton të drejtën e Republikës së Kosovës për t’i mbrojtur kufijtë e saj. Ndërsa të dyja palët kërkojnë që dialogu të vazhdojë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

E angazhuar nga afër në këtë proces është edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Sipas zyrtares për Informim të BE-së, Maja Kocijançiq, Mogherini dhe stafi i saj kanë ndjekur me vëmendje situatën e fundit që është krijuar në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka bërë të ditur se të dyja vendeve u është bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

“Mogherini dhe ekipi i saj janë duke ndjekur nga afër zhvillimet në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë ditëve të fundit, duke përfshirë edhe ato gjatë fundjavës. BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët mbi ngjarjet e fundit”, ka thënë Kocijançiq për gazetën “Zëri”, duke shtuar se “BE-ja u bën thirrje të dyja palëve të tregohen të vetëpërmbajtura dhe të arsyeshme dhe të kthehen në dialog”, ka shtuar ajo.

Më tutje Kocijançiq i ka thënë “Zërit” se Bashkimi Evropian ka përcjellë edhe situatën e krijuar me arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt. Sipas saj, kjo çështje tashmë është ekskluzive e autoriteteve franceze.

“BE-ja ka ndjekur nga afër zhvillimet që nga arrestimi i z. Haradinajt më 4 janar. Çështja është trajtuar tashmë nga autoritetet franceze”, ka thënë Kocijançiq.

Sipas saj, integrimi në Bashkimin Evropian është rruga e vetme të cilën duhet ta ndjekin edhe Kosova, edhe Serbia sepse zgjidhje tjetër nuk ka.

“Perspektiva evropiane për rajonin është e vetmja rrugë përpara. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për ruajtjen e një klime të favorshme për normalizim dhe siguri”, ka thënë zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme.

Kocijançiq ka folur edhe për bashkëpunimin e Kosovës dhe të Serbisë në rrafshin e drejtësisë dhe të sigurisë. Sipas saj, ky bashkëpunim duhet të përshpejtohet.

“Në këtë kontekst, bashkëpunimi policor e gjyqësor në mes të Kosovës dhe Serbisë është zgjeruar dhe duhet të përshpejtohet”, ka shtuar Kocijançiq.

Krejt në fund ajo ka thënë se Bashkimi Evropian mirëpret të gjitha hapat e marra në këtë drejtim mes Kosovës dhe Serbisë. “Ne mirëpresim hapat e marrë dhe progresin e bërë nga Serbia dhe Kosova drejt bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, shkëmbimit të informacioneve dhe transferimin e procedimeve që do të nxisin integrimin e personelit gjyqësor të serbëve të Kosovës në gjyqësorin e Kosovës këtë muaj, pas integrimit të mëparshëm të serbëve në Forcat Policore të Kosovës”, ka përfunduar Kocijançiq.

Zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, J. Michele Schohn, ka thënë për gazetën “Zëri” se e respektojnë të drejtën e Kosovës si shtet sovran që t’i menaxhojë kufijtë e saj.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çka kalon nëpër kufijtë e saj”, ka thënë ajo, duke shtuar se megjithatë u vjen mirë që nuk kishte konfrontime në kufi, por nga rritja e nacionalizmit nuk përfiton askush.

SHBA-ja, sipas saj, përkrah fuqishëm dialogun e moderuar nga BE-ja si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve që t’i shmangen retorikës së rrezikshme dhe të vazhdojnë të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e jetëve të qytetarëve të të dyja shteteve.

“Sot festojmë ditëlindjen e dr. Martin Luther King Jr., i cili tha se ‘gjithmonë është koha e duhur për të bërë atë që është e drejtë. Tash është koha e duhur për të punuar për bashkëpunim dhe kundër konfrontimit”, ka pohuar Schohn.

Për situatën e fundit të krijuar në mes të Kosovës dhe Serbisë dje në Bruksel ka folur edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn. Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë përpara dhe të mos e rrezikojnë atë që është arritur.

Deklaratat e Hahnit pasuan tensionet e krijuara rreth një treni me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë, që u cilësua promovues, i cili u nis të shtunën nga Beogradi drejt Mitrovicës dhe u kthye në kufi me Kosovën.

“Ata nuk duhet të rrezikojnë atë që është arritur në dialog. Duhet të shikojnë përpara dhe jo të kthehen prapa”, ka thënë Hahn.

Në pyetjen nëse Serbia është ajo që po “shikon prapa”, Hahn u përgjigj: “Të gjithë ata që nuk shikojnë përpara, shikojnë prapa”.