Kocijançiq: Treni është çështje mes Kosovës dhe Serbisë, jo e BE-së

Aktuale January 14, 2017 - 15:50

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar intervenim të Bashkimit Europian për ta ndaluar trenin ilegal që është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, e i cili është i veshur me afishe e mesazhe kundër shteti të Kosovës, por nga BE-ja thonë se kjo s’është punë e tyre.

Zëdhënësja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Kocijançiq, në një prononcim për Klan Kosovën ka deklaruar se jo vetëm kjo çështje, por edhe të gjitha problemet që dy vendet – Kosova e Serbia – i kanë mes vete duhet t’i zgjidhin me dialogë të përbashkët.

“Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre”, ka pohuar Kocijançiq.

Sipas saj, vendi ku dy shtetet duhet të zgjidhin problemet që kanë është Brukseli.

“Platforma për të diskutuar këto çështje është dialogu”.

“Qasja konstruktive në dialog është një kërkesë esenciale për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, deklaroi zyrtarja e BE-së.