Festat në Kosovë si 'kërpudhat pas shiut'
Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk i ka të ndara festat në bazë të përkatësisë fetare. Për dallim nga Maqedonia e Serbia, shtete këto që festat i ndajnë në baza religjioze, në Kosovë ndodh e kundërta. Në kalendarin festiv festat fetare mbahen nga të gjithë në Kosovë njësoj pa dallim religjioni.
Lidhur me numrin e madh të festave, por edhe me lidhjet që u bëhen atyre me vikendet kanë reaguar partitë politike, analistët dhe ekspertë kushtetues, të cilët kërkojnë riamendamentim të Ligjit për Festat. Sipas ekspertëve juridikë, të vetmit që përfitojnë nga këto data festive janë punëtorët e administratës publike.
Derisa bëjmë një krahasim mes festave të vendeve fqinje, siç janë Shqipëria me 13 festa zyrtare e Maqedonia me 11 të tilla, Kosova feston 11 festa zyrtare në 16 ditë të vitit, për shkak të lidhshmërisë së pushimit mes festave.
Riza Smaka është ekspert i çështjeve kushtetuese dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai thotë se duhet një revidim analitik i Ligjit për Festa.
“Unë nuk jam fetar. Pse atëherë ta festoj edhe Bajramin, edhe Krishtlindjen. Festat e myslimanëve, protestantëve e ortodoksëve janë çështje private. Kosova është shtet laik, vetëm ata që janë fetarë të mos punojnë. Pse p.sh. myslimani të punojë ditën kur janë Krishtlindjet ose anasjelltas?”, ka potencuar Smaka.
Sipas tij, Kuvendi duhet të reduktojë krejtësisht këtë formë të festave zyrtare, sepse siç thotë ai, me këtë lloj të festave zyrtare Kosova është në disfaksion të madh karshi shteteve normale evropiane.
Baraliu: Mbajtja e festave fetare, kulturë multietnike
Në anën tjetër profesori dhe juristi, Mazllum Baraliu, duke thënë se jemi ndër shtetet që kemi numër të madh festash, ka vlerësuar se mbajtja e festave fetare nga kosovarët paraqet një kulturë multietnike. Por, përkundër saj ai vlerëson se duhet një reduktim i datave në kalendarin festiv.
“Tash këto parashihen me Ligjin për Festat Shtetërore të ashtuquajtura, ku i kanë futur edhe festat fetare dhe janë kategoria e dytë pastaj, kjo nuk prish punë sepse në një shtet qytetarët do të duhej të ishin të barabartë për shkak edhe të kultivimit të marrëdhënieve të mira të tolerancës ndërfetare, por problemi është që në ligj ka tepër shumë festa dhe ka tepër shumë humbje kohe”, ka deklaruar ai.
Ndryshe Baraliu e vlerëson këtë ligj si “absurd i llojit të vet”, pasi që në të ka përmbajtje anomalie.
Baraliu propozon që Ligji mbi Festat Zyrtare të punohet nga ekspertët e duhur dhe të vihet në dëgjim publik në mënyrë që të reduktoheshin dhe të saktësoheshin mirë festat.
Bujupi: Ligji për Festat duhet të amendamentohet
Kurse në subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), vlerësojnë se Ligji për Festa duhet të amendamentohet.
Deputetja e kësaj partie Donika Kadaj-Bujupi mendon se problemi në këtë ligj nuk është vetëm numri i madh i festave, por edhe kompensimi i ditëve festive kur qëllojnë në fundjavë. “Ta zëmë e hëna (9 janari) ishte pushim, ndërkohë që ditë feste ishte më datë 7 (të shtunën)”, ka deklaruar Bujupi.
Sipas saj, forma e pushimit të bartur haset vetëm tek ne sepse, siç thotë ajo, në asnjë vend nuk aplikohet një formë e tillë. “Në vendet e BE-së dhe në vendet e zhvilluara, sikurse Gjermania, kjo formë e pushimit të bartur nuk haset. Madje në raste si Dita e Evropës nuk ka pushim fare në shumë shtete të BE-së”, ka potencuar ajo.
Ndryshe, Bujupi ka vënë në theks edhe diskriminimin e punëtorëve të sektorit privat në aplikimin e këtyre festave.
“Sigurisht këtu diskriminohen tej mase punëtorët në sektorin privat për të cilët nuk vlen Ligji i Punës. Kështu që duhet synuar një barazi për të gjithë të punësuarit dhe me këtë të synohet edhe rritja e nivelit të përgjegjësisë në punë”, ka përfunduar Bujupi.
Edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ndajnë të njëjtin shqetësim për lidhshmërinë e ditëve në rast feste.
“Çka është e çuditshme dhe e papranueshme e që në vendet perëndimore nuk ekziston, nëse sot është ekzakt dita e festës e është vikend kjo ditë pushimi bartet në ditën e punës”, ka thënë Time Kadriaj, deputete e AAK-së.
Më tej Kadriaj ka theksuar se ndryshimet në Ligjit për Festat kanë duke mbetur veç fjalë.
“Është folur se do të ketë ndryshime sepse janë disa festa që nuk ishte dashur të pushohet, po kjo është gjendja momentalisht”, ka thënë Kadriu, sipas së cilës festat nuk duhen bartur në ditët e punës.
“Çka ishte dashur të bëhet është se festa nuk duhet të bartet në ditët pasuse sepse edhe gjendja në Kosovë në asnjë aspekt nuk është e mirë e numri i madh i festave dëmton sektorin publik, por edhe privat”, ka thënë ajo.
Kosova prin me festat në rajon
Ndryshe profesori universitar, Blerim Burjani, vlerëson se Kosova prin me festat në rajon dhe në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Siç thotë ai, Kosova mund të ketë më së shumti festa zyrtare. “Është shumë e domosdoshme të dihet qartë se cilat festa duhen të festohen, ka shumë festa, kjo temë duhet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës dhe të amendamentohet Ligji për Festat”, ka deklaruar ai.
Më tutje Burjani shprehet i habitur se pse në këto festa pushojnë vetëm shërbimi civil dhe ai publik.
“Në të gjitha këto festa më së shumti pushojnë shërbimi civil dhe ai publik, që marrin paga nga tatimet e qytetarëve, përderisa sektori privat jo krejt festat i feston, kuptohet jetohet prej pune, por jo prej pushimit të tepruar. Pra, është jetike që të ndryshojë Ligji për Festat”, ka përfunduar profesori.
Analisti politik Imer Mushkolaj duke ironizuar me numrin e madh të festave zyrtare deklaron se po të kishin mundësi institucionet e Kosovës do ta lidhnin pushimin e Vitit të Ri me atë të Krishtlindjes Ortodokse.
“Po të kishte farë mundësie institucionet e Kosovës pushimin e Vitit të Ri do të donin ta lidhnin me pushimin për Krishtlindjen Ortodokse. Kjo tregon gjithë papërgjegjësinë e institucioneve dhe njerëzve që i udhëheqin ato, të cilët nuk mërziten pse vendi dëmtohet nga vendime të tilla, sepse në rend të parë e kanë interesin individual”, ka deklaruar Mushkolaj.
Sipas tij, kjo qasje për pushim vend e pa vend duhet të ndryshojë urgjentisht duke përfshirë këtu edhe ndryshimin e Ligjit për Festa Zyrtare.
“Përndryshe, Kosova do të kthehet në një vend qesharak, nëse tashmë nuk është kthyer në një të tillë, ku më shumë pushohet e bëhet qejf sesa punohet”, ka përfunduar ai.
Ndërkohë, një mendim krejtësisht tjetër nga parafolësit e ka njohësi i çështjeve politike bë vend, Krenar Shala.
“Mendoj që numri i festave nuk është fare problem. Problem mbetet mungesa e zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe demokratizimit institucional dhe shoqëror”, ka përfunduar ai.