Haradinaj, gjysmë i lirë

Aktuale January 13, 2017 - 08:11

Gjykata franceze e shpalli lirimin me kusht për ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, në gjykimin e të enjtes. Ish-gjenerali i UÇK-së do të mbetet në Francë derisa gjykata të marrë një vendim tjetër. Haradinajt i është marrë pasaporta dhe ai detyrohet të paraqitet në policinë franceze dy herë në javë. Ky vendim në Kosovë konsiderohet absurd   

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së enjte është liruar me kusht nga Gjykata e Apelit, në Colmar të Francës. Në bazë të vendimit për lirim me kusht, Haradinaj detyrohet që të mos e lëshojë shtetin francez dhe obligohet të paraqitet në polici dy herë në javë deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje gjyqësore.

Mirëpo lirimi me kusht i Haradinajt nuk nënkupton edhe lirimin e tij nga kërkesa e Serbisë, të cilën e ka ushtruar nëpërmjet INTERPOL-it për kinse krime të supozuara të luftës.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të mbrohet në liri, kjo pasi që Gjykata e Apelit në Francë ka marrë vendim që t’ia ndërpresë masën e paraburgimit, e cila e kishte privuar Haradinajn nga liria që nga 4 janari i këtij viti. Gjykata në Colmar po ashtu ka marrë vendim që Haradinaj ta dorëzojë pasaportën e tij në policinë franceze, si dhe t’u paraqitet thirrjeve gjyqësore.

Ndërsa, lirimi i kryetarit të AAK-së ka ardhur pas garancive të cilat ia ka ofruar Kosova shtetit francez, ku nëpërmjet avokates mbrojtëse ka garantuar se Haradinaj do të qëndrojë në Starasbug deri në shqyrtimin e kërkesës së Serbisë për ekstradim.

Haradinaj: Akuzat ndaj meje janë thjesht politike

Ndërkaq, duke e quajtur këtë proces gjyqësor si një proces që abuzon me të drejtat e njeriut, ish-kryeministri Haradinaj gjatë fjalës së tij para trupit gjykues ka thënë se këto akuza janë akuza politike, të cilat vijnë nga Serbia. “Këto akuza vijnë nga Serbia, janë thjesht politike. Ajo që po bëni ju këtu është abuzim i të drejtave të njeriut”, u tha në gjuhën frënge Haradinaj gjykatësve të Gjykatës së Colmarit.

Në anën tjetër avokatja e Haradinajt, Rachel Lindon, ka thënë se kërkesa e Serbisë për ekstradimin e tij brenda territorit të këtij shteti është e paligjshme dhe e pabazuar. “Gjykata nuk mund të shkojë tutje me procedurat e lirimit, për shkak se nuk e ka marrë ende kërkesën për ekstradim nga Serbia. Kërkesa për ekstradim është e paligjshme dhe e pabazuar”.

 Saliu: Ekstradimin e Haradinajt në Serbi nuk e lejojnë konventat ndërkombëtare

Ekstradimin e Haradinajt për në Serbi nga autoritetet franceze e sheh si të pamundur edhe profesori i të drejtës penale në vend, Ismet Salihu. Profesori Salihu ka deklaruar se ekstradimin e Haradinajt për në Serbi nuk e lejojnë konventat ndërkombëtare.

“Gjasat për t’u ekstraduar z. Haradinaj për në Serbi janë zero. Pra ekstradimi është i pamundur, për shkak se këtë nuk e lejojnë konventat ndërkombëtare, më konkretisht Konventa Evropiane për Ekstradim, e cila thotë se në rastet kur një person dyshohet dhe më pas i dorëzohet, në këtë rast Serbisë, ai nuk do të ketë gjykim të drejtë, të rregullt, do t’i nënshtrohet trajtimit çnjerëzor, do të jetë gjykim i ndikuar politikisht etj., pra këto janë situata të cilat e pengojnë ekstradimin”, ka thënë Salihu

Më tutje profesori Salihu ka thënë se nëse ka prova dhe vazhdon kjo procedurë gjyqësore, atëherë është ai parimi i cili flet që i pandehuri ose duhet të gjykohet në gjykatat e Francës, ose mund të kthehet në Kosovë për t’u gjykuar.

 Qeveria pret me të drejtë vendimin e institucioneve franceze të drejtësisë

Lirimit me kusht të Haradinajt i janë gëzuar edhe udhëheqës të ndryshëm të institucioneve nga Kosova dhe nga Shqipëria. Qeveria e Kosovës ka pritur me të drejtë lirimin e plotë të kryetarit të AAK-së, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nga drejtësia franceze duke pasur parasysh fletarrestimin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia.

Prandaj, Qeveria e Kosovës vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të z. Haradinaj e konsideron vetëm si një hap dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së z. Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë.

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vendimin e gjykatës franceze për lirimin nga paraburgimi të ish-komandantit të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, aktualisht kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar si një hap të parë drejt lirimit të plotë.

Kthimit të lirisë për Haradinajn i është gëzuar edhe kreu i Shqipërisë, Edi Rama. Ai përmes një statusi në “Facebook” ka përshëndetur vendimin e institucioneve franceze të drejtësisë. “Momenti po ashtu, për të vlerësuar përpjekjet politike dhe diplomatike të autoriteteve në Tiranë e në Prishtinë, si edhe për të falënderuar çdo qytetar kudo ku i dha zë përpjekjes së përbashkët kundër një padrejtësie spektakolare”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, edhe pse Haradinaj u lirua prapë vazhdon beteja e urdhërarresteve të vjetra.

“Mirukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush. Mbyllet episodi absurd, por beteja për fshirjen e listës së urdhërarresteve te vjetra vazhdon”, ka theksuar Rama.

Ndërsa, menjëherë pas vendimit të Gjykatës ka reaguar subjekti i cili udhëhiqet nga Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ky subjekt është shprehur i befasuar me vendimin e institucioneve franceze të drejtësisë, duke e konsideruar si të padrejtë vendimin për liri të kushtëzuar.

“AAK-ja është e befasuar me vendimin e sotëm të autoriteteve gjyqësore franceze, që kryetari i AAK-së, njëherësh ish-kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, të mos kthehet në Kosovë. Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe nuk është drejtësi e plotë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Ndryshe, ky subjekt ka bërë apel tek organet e drejtësisë në Francë që t’i përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Haradinajt.

Haradinaj ishte arrestuar më datën katër janar në aeroportin e Bernit, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë për “Krime të supozuara të luftës”.