Nuk ndërpritet dialogu

Aktuale January 13, 2017 - 08:08

Qeveria e Kosovës nuk do ta ndërpresë dialogun në Bruksel, sado që një gjë të tillë e ka kërkuar disa herë opozita, veçmas pas arrestimit nga autoritetet franceze të liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, në bazë të një fletarrestimi të Serbisë.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se do të bëhet trysni mbi Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, mirëpo dialogu do të vazhdojë pasi që, siç ka thënë ajo, ndërprerja e tij do të sillte pasoja tejet të mëdha për Republikën e Kosovës.

Kurse sa u përket vizitave të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë në Kosovë, Tahiri ka thënë se nëse Serbia vazhdon të sillet kështu, atëherë ajo nuk do ta lejojë të hyjë asnjë zyrtar në Kosovë, ashtu siç bëri me presidentin serb, Tomislav Nikoliq.

“Dialogu i Brukselit është obligim ndërkombëtar që buron nga Rezoluta e OKB-së dhe është i mbështetur nga rezultatet e Kuvendit të Kosovës, prandaj Qeveria mbetet e përkushtuar për dialogun në Bruksel”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Tahiri më tej ka thënë se pasojat do të ishin tejet të mëdha po qe se bisedimet Kosovë - Serbi do të ndërpriteshin.

“Ka disa mendime sidomos nga opozita që dialogu duhet të ndërpritet, mirëpo duhet pyetur cilat janë pasojat nëse një gjë e tillë do të ndodhte. Pasojat do të ishin të dëmshme për Kosovën se do të mundë ta izolonin vendin tonë në integrime evropiane”, ka potencuar ajo.

Mirëpo, sipas saj, Kosova tash e tutje do t’i bëjë trysni Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten.

“Ato bisedime nuk duhet të vazhdojnë fare. Pra, duhet menjëherë të ndërpriten. Madje, këto bisedime nuk do të duhej të ndodhnin fare për shkak se ato janë kundër interesave të Kosovës dhe një gjë të tillë Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e ka paralajmëruar qysh në fillim”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Republika e Kosovës do të duhej që edhe kohë më parë të sillej ndryshe me Serbinë.

“Kosova do të duhej edhe në të kaluarën, por sidomos tani, që me Serbinë të sillej krejt ndryshe prej asaj sesi po sillet Qeveria e Kosovës. Janë dy veprime të cilat duhet të ndërmerren menjëherë: ndërprerja e bisedimeve dhe embargoja në fushën ekonomike e tregtare”, ka shtuar Selimi.

Ai më tej ka thënë se Serbisë duhet që përfundimisht t’i thuhet “Jo”.

Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se bisedimet me Serbinë tashmë e kanë humbur qëllimin për çka kishin nisur.

“Bisedimet ka kohë që e kanë humbur qëllimin në emër të të cilit edhe kanë nisur. Nuk ka normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve tona dhe për më keq Serbia vetëm sa ka marrë zemër nga të qenit të pafuqishëm qeveritarët dhe negociatorët tanë”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht këtyre, publicisti i njohur Shkelzen Maliqi ka vlerësuar se arrestimi i liderit të AAK-së Ramush Haradinajt nuk duhet të ndërlidhet assesi me bisedimet me Serbinë.

“Ndalimi i Haradinajt në Francë nuk duhet të lidhet me dialogun, aq më pak të kërkohet ndërprerja e tyre. Dialogu është në të vërtetë instanca ku është dashur të arrihet që më parë Marrëveshja për Amnisti të Përgjithshme, eventualisht me disa raste përjashtuese por që për të do të specifikoheshin qartë rrethanat dhe kriteret e veçanta, si dhe juridiksioni për procesimin e krimeve të luftës”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se Serbia nuk ka treguar interes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Serbia asnjëherë nuk ka treguar interesim të vërtetë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, sepse në fund të fundit ajo e llogarit Kosovën si pjesë të saj. Ajo këto bisedime i ka shfrytëzuar për të arritur marrëveshje për t’i realizuar interesat e saj në Kosovë, nën petkun e mbrojtjes së minoritetit serb në vend”, është shprehur ai.