Hoxhaj: Franca u tregua e ndjeshme në rastin Haradinaj

Aktuale January 12, 2017 - 17:39

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka mirëpritur vendimin e gjykatës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt nga paraburgimi, edhe pse siç thotë ai, nuk ishte i plotë.

Në një deklaratë që Hoxhaj ka dhënë përmes profilit të tij në Facebook, thuhet se urdhërarrestet e Serbisë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, kanë motive politike.

“Mirëpres vendimin e gjykatës sot për lirimin me kusht të ish Kryeministrit Ramush Haradinaj megjithëse është jo i plotë . Ne besojmë në pafajësinë e tij. Fletarrestet e Serbisë janë të motivuara politikisht dhe nuk kanë kurrfarë juridiksioni ndaj qytetarëve të Kosovës. Regjimi serb i takon së kaluarës”.

Ai i është falënderuar Francës, për mirëkuptimin që ka treguar gjatë ditëve sa Haradinaj po qëndronte në paraburgim.

“Njëherësh duhet të falënderoj shtetin e Francës për mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë që ka treguar gjatë këtyre ditëve”.