Thaçi: Takimi me Biden na siguron mbështetjen e SHBA-së

Aktuale January 12, 2017 - 10:26

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.

Thaçi shkruan se përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së.

Postimi i plotë i Thaçit: 

Në jetën time, në kohë dhe rrethana të ndryshme, kam takuar shumë liderë botërorë. Por, padyshim, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, për mua mbetet inspirim dhe modeli më i përkryer.

Ajo çfarë e bën të veçantë zëvendëspresidentin Biden, ndër të tjera është urtësia, mençuria dhe sinqeriteti i tij. I tillë ishte dhe ka qenë në të gjitha takimet që kam pasur përgjatë gjithë këtyre viteve. I tillë ishte edhe në takimin e sotëm.

Përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së.

Prandaj, jam i sigurt se ky përkushtim do të vazhdojë edhe gjatë administratës së re. Ndërsa, zëvendëspresidenti Biden dhe gjithë familja e tij, tani dhe përgjithmonë, Kosovën duhet ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre.

Ndjehem njeri me fat dhe krenar që vendi im mbështetet nga njerëz të tillë të jashtëzakonshëm si zëvendëspresidenti Biden. Le të mbetet e përjetshme dhe e bekuar kjo miqësi ndërmjet Kosovës dhe Amerikës. 

Image

Image

Image

Image

Image