Ministria pa ministër, integrimi zvarrë
Koalicioni qeverisës ka disa muaj që nuk po arrin ta zëvendësojë Bekim Çollakun në postin e ministrit të Integrimeve. Mungesa e ministrit të Integrimeve po e zvarrit edhe procesin integrues e në veçanti MSA-në. Edhe Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësimin e tij në raportin për Kosovën, lidhur me postin vakant të ministrit të IE-së
Lënia e Ministrisë së Integrimit pa ministër do të ndikojë negativisht në proceset e Kosovës, veçmas në zbatimin e mirëfilltë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Kështu kanë paralajmëruar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.
Sipas tyre, lënia vakant e këtij posti e bën gati të pamundur koordinimin e procesit të MSA-së, pasi që, siç shprehen ata, MIE-ja është institucioni kryesor që merret me koordinimin e të gjitha institucioneve të tjera për zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Përderisa përfaqësues të Qeverisë thonë se ministri në këtë dikaster do të emërohet atëherë pasi koalicioni do ta propozojë një kandidat, opozita thotë se në kohën kur do të duhej të punohej më shumë për integrim Qeveria e ka lënë dikasterin e integrimeve fare pa udhëheqës.
Parlamenti Evropian, i shqetësuar për postin vakant të kreut të MIE-së
Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësimin e tij në raportin për Kosovën, lidhur me postin e zbrazët të ministrit të Integrimeve Evropiane.
Sipas këtij raporti, i cili pritet të lexohet të hënën, lënia bosh e këtij posti ndikon në efikasitetin dhe në koherencën e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.
Draftin e Raportit për Kosovën e ka përgatitur zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek
Kurse zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë se personi për ministrin e ardhshëm të Integrimeve do të vendoset atëherë kur koalicioni ta propozojë një kandidat.
“Në kohën kur pala përkatëse e koalicionit do ta propozojë një kandidat për këtë post, kryeministri Mustafa do ta marrë këtë propozim në shqyrtim dhe do të vendosë për këtë konform dispozitave ligjore, si dhe marrëveshjes së arritur të palëve në koalicion”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Merja: Lënia e MIE-së pa ministër e dobëson shumë Kosovën
Nga ana tjetër Albana Merja, njohëse e fushës së integrimeve evropiane, njëherësh pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se lënia vakant e postit të ministrit për Integrime paraqet një problem mjaft serioz për zbatimin e MSA-së.
“Kjo mungesë serioziteti nga ana e Qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë çështje përbën një problem serioz sidomos për sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Sipas saj, lënia e kësaj Ministrie pa ministër e bën thuajse të pamundur koordinimin e procesit në fjalë.
“Duke pasur parasysh faktin që Ministria e Integrimit është institucioni kryesor që koordinon punë e të gjithë ministrive (institucioneve) të tjera përgjegjëse për zbatimin e MSA-së, është e kuptueshme që mungesa e ministrit e bën të vështirë, për të mos thënë gati të pamundur koordinimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”, ka shtuar Merja.
Ndërkohë ka thënë se mungesa e ministrit të Integrimit Evropian tregon një mungesë të plotë serioziteti nga ana e Qeverisë së Kosovës për sa i përket agjendës së integrimit evropian. Sipas saj, lënia e MIE-së pa ministër e dobëson shumë Kosovën.
“Posti vakant ndër të tjera e dobëson shumë pozitën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, pasi ministri i Integrimit është pika e parë referuese e BE-së në Kosovë”, ka theksuar Albana Merja.
Murati: Mosemërimi i ministrit tregon joseriozitetin e Qeverisë
Ndërkaq Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, njëherësh njohës i proceseve integruese, ka vlerësuar se mungesa e ministrit në MIE është një çështje shqetësuese, pasi që, sipas tij, një ministri me detyra aq të rëndësishme në procesin e integrimit assesi nuk guxon të mbesë pa “zot shtëpie”.
Sipas tij, koalicioni qeverisës domosdo duhet ta emërojë një ministër të ri në krye të këtij dikasteri.
“Mendoj që koalicioni qeverisës duhet urgjentisht ta emërojë udhëheqësin e kësaj Ministrie, pasi që ky proces nuk guxon të ndalet”, ka shtuar ai.
Sipas Muratit, MSA-ja është rezultati kryesor i arritur deri më tani në procesin e integrimit evropian, mirëpo, siç është shprehur ai, puna e parealizuar është shumë e madhe.
Ndërkohë, ka vlerësuar se lënia e Ministrisë pa ministër tregon joseriozitetin e Qeverisë.
“Mosemërimi i kreut të Ministrisë për Integrim Evropian është joseriozitet i koalicionit qeverisës. Ky koalicion ose nuk ka ndonjë individ të përshtatshëm për këtë pozitë, ose po i druhet zgjedhjeve të parakohshme”, ka potencuar Murati.
Edhe politologu Ramush Tahiri, ka vlerësuar se lënia e Ministrisë së Integrimit pa ministër po ndikon negativisht për proceset e Kosovës.
“Po ndikon në proces të integrimeve evropiane të Kosovës dhe është ministri e rëndësishme që e kanë pasur të gjitha vendet gjatë rrugës së këtij procesi”, ka deklaruar ai.
Opozita: Qeveria s’është e interesuar t’u ofrojë qytetarëve lëvizje të lirë
Kurse Time Kadriaj, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe për Stabilizim-Asocim, ka vlerësuar se me lënien e MIE-së pa ministër Kosova po jep mesazh negativ.
“Me këtë Prishtina po jep mesazh të keq se rruga evropiane nuk është prioritet, por prioritet e ka sistemimin e militantëve partiakë nëpër pozita dhe vende pune kyçe”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, në periudhën kur Kosova ka synim të integrohet në BE e ku duhet një dinamizëm i punës dhe i angazhimeve po shihet se koalicioni qeverisës po ka pengesa edhe hezitim në emërimin e ministrit për Integrime.
Ndërkohë zëvendëskryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se Qeveria aktuale nuk është e interesuar fare që t’ia sjellë Kosovës liberalizimin e vizave, ndonëse, sipas saj: “Se këta nuk janë të interesuar që t’ia ofrojnë lëvizjen e lirë qytetarëve po shihet qartë duke mos e përmbushur edhe njërin nga kushtet e i cili është luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, por edhe duke e lënë dikasterin, i cili është përgjegjës për liberalizim, pa ministër”, ka deklaruar ajo. Andaj, Bajrami më tej ka thënë se Qeveria aktuale duhet domosdo të dorëhiqet qysh tani.