Walker nderohet me çmim, thotë se politikanët shqiptarë e prenë në besë (VIDEO)

Aktuale January 11, 2017 - 20:57

Masakrën që kryen serbët ndaj shqiptarëve në Reçak para 18 viteve e pati quajtur krim kundër njerëzimit, ish-ambasadori amerikan William Walker.

Pas kësaj ngjarjeje ai erdhi edhe shumë herë në Kosovë, por nuk po i pëlqen ajo që po e sheh.

Madje, po thotë se politikanët shqiptarë e prenë në besë kur i thanë se pas pavarësisë do ta çojnë vendin përpara, njofton Klan Kosova.

Për këtë arsye ai të mërkurën u hamend nëse para studentëve të AAB-së duhet ta përmend ndonjë politikan kosovar si shembull.

Por të gjitha këto nuk e demotivuan ish-shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë që të vazhdojë të interesohet për Kosovën dhe se nuk do të vdesë i qetë nëse atë nuk e sheh një ditë ashtu siç e meritojnë kosovarët. Për këtë fjalë dha edhe besën.

E para se ti thotë këto fjalë, kolegji AAB i ndau çmimin  ndërkombëtar  për të drejtat e njeriut.

Pas  ceremonisë shumë student shfrytëzuan rastin për të pas edhe nga një kujtim me 80 vjeçarin që po qëndron në Kosovë në vigjilje të përvjetorit të masakrës së Reçakut.