Shteti po e falimenton kompaninë shtetërore
Kompania publike “Trainkos” ka hyrë në binarë të falimentimit. Keqmenaxhimi dhe futja e një operatori privat në sektorin e hekurudhave rrezikon t’i lërë qindra punëtorë të kësaj kompanie në rrugë
Trenat e kompanisë publike “Trainkos” mund të ndalen së qarkulluari së shpejti e qindra punëtorë mund të mbesin në rrugë.
Kjo si pasojë e operimit me humbje të kompanisë publike në njërën anë, rritjes së punësimeve dhe pagave në anën tjetër, si dhe futjes së një kompanie private në sektorin e hekurudhave.
Kompania “Trainkos”, e cila udhëhiqet nga Gelor Shala, për të cilin mediet më herët kishin raportuar se ka lidhje me familjarë të deputetit të PDK-së, Adem Grabovci, viteve të fundit po ballafaqohet me rënie të transportit hekurudhor të mallrave, si dhe po kritikohet se njëkohësisht ka rritur pagat, si dhe numrin e të punësuarve në kompani.
Pavarësisht vështirësive të kompanisë publike nga rënia e sasisë së transportit dhe rritjes së shpenzimeve, në vitin 2014 është licencuar edhe një operator privat për transportin hekurudhor të mallrave, kompania “Railtrans”.
Këtë të fundit po e drejton një ish-menaxher i lartë i hekurudhave, përkatësisht ish-drejtor i bizneseve operuese në “Trainkos”, Besim Asllani.
Asllani ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se në kompaninë private “Railtrans” ka kaluar si menaxher, pasi që e ka ndërprerë marrëdhënien e punës si drejtor i bizneseve operuese në “Trainkos”.
Ai mohon se drejtimi i biznesit në sektorin hekurudhor nga një ish-menaxher i lartë i “Trainkos”-it, duke i bërë konkurrencë të drejtpërdrejtë kësaj të fundit, paraqet konflikt interesi dhe dëmtim të kompanisë publike.
“Tetë apo nëntë vjet kam punuar në hekurudha. Fillimisht drejtor komercial te Hekurudhat e UNMIK-ut, më pas te ato të Kosovës dhe së fundmi kam qenë drejtor i bizneseve operuese në ‘Trainkos’. Pavarësisht futjes së konkurrencës, kompania publike mund t’i përballojë operatorit të ri, por menaxhmenti nuk po i zbaton planet strategjike të aprovuara nga Bordi”, shprehet Asllani.
Kuleta: Me operatorin privat “Trainkos” do të ketë edhe më shumë vështirësi
Në anën tjetër Afrim Kuleta, zyrtar për medie në kompaninë publike “Trainkos”, thotë për “Zërin” se aktualisht nuk ka treg për më shume së një operator në sektorin hekurudhor.
Sipas tij, vendet e rajonit nuk e kanë lejuar ende liberalizimin e tregut, pavarësisht ndryshimeve që kanë bërë në legjislacionin e tyre. “Maqedonia këtë çështje e ka kushtëzuar me integrimin e vendit në BE. Pra, deri në integrimin e shtetit në Unionin Evropian në Maqedoni nuk do të ketë një operator të dytë”, shprehet Kuleta, duke shtuar se përveç shqetësimeve të përgjithshme, ne kemi evidentuar edhe parregullsi të tjera gjatë procesit të licencimit të operatorit të dytë, për të cilat çështja është adresuar në gjykatë.
Ai ka shtuar se me një operator të dytë në treg, i cili nuk është i mjaftueshëm edhe për vetëm “Trainkos”-in, do të ndodhë segmentimi i tregut dhe si rrjedhojë kompania publike do të ketë vështirësi në përmbushjen e objektivave të saj.
“Ne mund të themi që jemi përballur me vështirësi financiare edhe pa futjen në treg të një operatori të dytë. Është e kuptueshme se konkurrenca, në këtë rast futja e ndonjë operatori tjetër në treg pa i njohur mirë qëllimet dhe planet strategjike për veprimtarinë që do ta zhvillojë, nuk do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e ‘Trainkos’-it si aset i rëndësishëm strategjik qeveritar për zhvillimin e Kosovës”, ka potencuar Kuleta.
“Trainkos” po operon me humbje
“Trainkos” gjatë gjithë vitit 2016 ka operuar me humbje dhe si rrjedhojë nuk ka arritur ta realizojë Planin e biznesit 2016.
“Ndër faktorët kryesorë në mosrealizimin e Planit të biznesit për vitin 2016 ka qenë mosfunksionimi i minierës së nikelit, përkatësisht kompanisë ‘Ferronikeli’, e cila nuk ka funksionuar pothuajse gjatë gjithë vitit. Gjithashtu edhe mosmbulimi i të gjitha shpenzimeve në transportin e udhëtarëve, si shërbim i pastër publik ka qenë faktorë ndikues”, ka thënë Kuleta.
Zyrtari i lartë i kompanisë publike “Trainkos” pranon se futja e operatorëve të tjerë në tregun aktual jo vetëm që ndikon në zhvillimin dhe në realizimin e planifikimeve të kësaj kompanie, por konsiderojnë se në këtë fazë të zhvillimit ekonomik pasojat do të jenë në përmasa më të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit.
“‘Trainkos’ ka të punësuar një numër relativisht të madh të punëtorëve sipas planifikimeve paraprake. Gjendja e krijuar është duke u analizuar nga menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve për veprimet e mëtutjeshme me qëllim të tejkalimit të situatës”, ka nënvizuar ai.
Ndërsa Arban Bytyçi, përgjegjës për Komunikim me Publikun Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, ka bërë të ditur se vendimi për licencimin e operatorit privat “Railtrans” është marrë duke u bazuar në Ligjin për Hekurudhat e Kosovës nr. 04/L-063, saktësisht Nenit 22 pika 1.
Gjithashtu, sipas tij, në vlerësimin e aplikacionit të “Railtrans”-it dhe marrjen e vendimit kanë qenë drejtpërsëdrejti të përfshirë edhe ekspertët e Bashkimit Evropian, të angazhuar në atë kohë në ARH si konsulentë e financuar dhe të mbështetur nga Komisioni Evropian. Bytyçi thotë se përpos kompanisë “Railtrans”, asnjë operator tjetër privat nuk ka aplikuar për licencë. Ai po ashtu hedh poshtë mundësinë e konfliktit të interesit faktin që një ish-menaxher i kompanisë publike e drejton tanimë operatorin privat, të licencuar për transport hekurudhor.
“Në bazë të ligjit të lartcekur kërkohet që struktura udhëheqëse e kompanisë që aplikon për licencë të ketë përvojë të caktuar në sektorin hekurudhor, mirëpo ligji nuk përcakton asgjë se në cilën kompani është dashur ta marrë atë përvojë ose në cilën nuk është dashur, sepse mundet që potencialisht të paraqesë konflikt interesi”, shprehet Bytyçi.
Bytyçi konfirmon që Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, duke u bazuar në Ligjin për Hekurudhat, nuk ka përgjegjësi të parashohë masa mbrojtëse për kompaninë publike. Për më tepër, siç thotë Bytyçi, Autoriteti është krijuar me iniciativë të Komisionit Evropian për hapje të tregut hekurudhor, normalisht mbi bazën e plotësimit të kushteve ligjore. “Në bazë të Ligjit për Hekurudha, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave është i detyruar që të ofrojë shërbime transparente dhe jodiskriminuese, pavarësisht faktit se këto shërbime ofrohen për kompani publike apo private. Aq më pak të privilegjojë një kompani të caktuar në dëm të një tjetre”, shprehet zyrtari i këtij Autoriteti.
Rritja e numrit të punëtorëve dhe zvogëlimi i të hyrave
Besim Asllani, ish-menaxher në “Trainkos”, thotë se kompania publike më herët ka pasur 196 punëtorë, ndërsa numri i të punësuarve, siç thotë ai, tashmë ka arritur rreth 300. Edhe sasia e transportit vjetor ka shënuar rënie drastike viteve të fundit.
“Vlera e transportit hekurudhor më herët ka arritur në 4-5 milionë euro, ndërsa tashmë ka rënë shumë. Po ashtu njëkohësisht janë krijuar struktura të reja menaxhuese në kompani publike, janë rritur pagat e stafit dhe në këtë mënyrë kompania publike është futur në krizë financiare”, shprehet Asllani.
Ai ka bërë të ditur se ndonëse janë licencuar nga viti 2014, ende nuk kanë filluar me transportin e mallrave, por një gjë të tillë do ta bëjnë shumë shpejt pasi tashmë e kanë blerë një lokomotivë dhe janë në pritje të lokomotivës së dytë.
Sipas tij, kompania “Railtrans” është në negociata edhe me “Ferronikelin” për transportin e xehes, pasi që, siç thotë ai, me këtë të fundit kanë bashkëpunim për transport edhe në sektorin rrugor.
“Me ‘Ferronikelin’ ka vite që kemi bashkëpunim edhe në sektorin rrugor, pasi që kompania jonë i posedon 30 kamionë për transport të mallrave”.
Konjufca: Po mbetemi pa kompaninë publike
Drejtuesit e subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë se problemi kryesor është se kompania publike “Trainkos” është drejtuar në vazhdimësi nga anëtarë të PDK-së, përderisa Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave dhe Bordi i Drejtorëve është karakterizuar prej kohësh nga afera klienteliste.
Glauk Konjufca, shef i deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë për “Zërin” se në kohën kur Qeveria e ka vendosur si prioritet dhe ka nënshkruar Marrëveshjen me BERZH-in për Kredimarrje në ndërtimin e linjave të reja hekurudhore, Rregullatori merr vendime që dobësojnë operatorin publik.
“Në emër të liberalizimit të tregut të shërbimit si rezultat po synohet të mbetemi pa kompaninë publike, e cila duke u dobësuar, sigurisht që mund të privatizohet edhe më lirë, edhe më shpejt”, thotë Kojufca.
Sipas tij, në përpjekjen për ta ndaluar dhënien e kësaj licence, ish-drejtorit të Departamentit Ligjor dhe Licencimit të Autoritetit Regullativ të Hekurudhave, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” meqë i njëjti, sipas Prokurorisë, kishte kaluar kompetencat e tij duke lejuar ndërmarrjen “Trainkos”, ndërmarrjen publike si operator të vetëm për transportin hekurudhor në Republikën e Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më herët ka ngritur aktakuzë ndaj Avdylkadër Muçaj, drejtor i Departamentit Ligjor dhe Licencimit të Autoritetit Regullativ të Hekurudhave (ARH), për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga Neni 422, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më tutje, sipas PSRK-së, me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga Neni 422, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.