Beogradi shtyn fillimin e punës së gjyqësorit në Mitrovicë

Aktuale January 10, 2017 - 08:00

Ndonëse gjithçka ishte gati për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Gjyqësorin e Integruar më 10 janar, por sikur herëve të tjera, edhe tani kjo marrëveshje e arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk do të fillojë sot.

Marrëveshja është shtyrë për një datë tjetër, pasi tek gjyqtarët dhe prokurorët serbë ka ndërhyrë Beogradi, duke mos ua zgjidhur çështjen e tyre nga drejtësia në Serbi.

“Ne jemi gati, ndërtesa është gati, ndarja e hapësirave ka përfunduar dhe besoj se edhe gjyqësori ka kryer punën e vet. Jemi të gatshëm të fillojmë më 10 janar 2017”, ka siguruar Shyqyri Syla, kryetar i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Njëjtë kishte thënë edhe gjyqtarja Jelena Krivokapiq, e cila punon në kuadër të sistemit serb të drejtësisë, por ajo kishte paralajmëruar se gjyqtarët dhe prokurorët serbë kanë probleme me sistemin e drejtësisë së Serbisë, për shkak të statusit të pazgjidhur të tyre. 

“Gjyqtarët serbë që duhet të integrohen dhe që do të fillojnë punën më 10 janar janë duke pritur që të zgjidhet statusi i tyre në kuadër të sistemit serb të drejtësisë. Gjykata nuk mund të nisë me punën në kuadër të gjyqësorit të integruar, nëse gjyqtarët nuk do të jenë të kënaqur me zgjidhjen që u bëhet lidhur me statusin e tyre, nga ana e Serbisë”, ka thënë Krivokapiq para disa ditësh.

Dhe ashtu siç kishte paralajmëruar ajo, zbatimi i Marrëveshjes për Gjyqësorin e Integruar është shtyrë për një datë tjetër.

Marrëveshja mund të shtyhet për një javë

Është po ashtu gjyqtarja Krivokapiq, e cila ka konfirmuar se zbatimi i marrëveshjes nuk do të fillojë të martën, më 10 janar, ashtu siç janë marrë vesh Prishtina dhe Beogradi në Bruksel.

Ndonëse ajo nuk e ka thënë drejtpërdrejt, dihet tashmë se gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk duan të integrohen në sistemin kosovar të drejtësisë pa marrë garanca nga Qeveria e Serbisë për statusin e tyre të mëtutjeshëm në sistemin e drejtësisë së Serbisë.

Ata duan që të jenë pjesë edhe e sistemit kosovar të drejtësisë dhe e sistemit të drejtësisë së Serbisë.

“Kjo datë është shtyrë për 17 janar, nuk kemi informata të sakta se për çfarë arsye është shtyrë fillimi i zbatimit të marrëveshjes, por Beogradi na ka njoftuar kështu, sepse informata ka ardhur nga Brukseli. Kaq mund t’u them. Marrëveshja për numrin e të punësuarve në gjyqësorin e integruar tashmë është arritur, por që problemet qëndrojnë tek disa detaje teknike, për çka Beogradi dhe Prishtina kanë kërkuar një afat tjetër”, ka deklaruar gjyqtarja Jelena Krivokapiq për mediet serbe në veri të Mitrovicës.

Ajo ka sqaruar se në veri të Mitrovicës do të punojnë 12 gjyqtarë serbë dhe 9 shqiptarë, derisa në jug të Mitrovicës raportet do të jenë 60 me 40 në favor të gjyqtarëve shqiptarë.

“Sipas marrëveshjes, 11 gjyqtarë serbë do të shpërndahen nëpër degët e Gjykatës në Shtërpce, Graçanicë dhe Ranillug. Në krye të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërsa në të do të punojnë 11 prokurorë serbë. Në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb, ndërsa në të do të punojnë 5 gjyqtarë serbë dhe 2 shqiptarë. Dega e Gjykatës së Apelit në veri do t’i shqyrtojë dhe do të vendosë për ankesat e serbëve të veriut, por edhe të mjediseve tjera të Kosovës me serbë”, ka precizuar Krivokapiq.

Politika ka ndërhyrë te gjyqtarët serbë 

Në anën tjetër, Shyqyri Syla, kryetar i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ka thënë se në dinamikën e procesit të integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, në sistemin kosovar të drejtësisë po ndikojnë ndërhyrjet politike. Sipas tij, ndërhyrjet politike bëhen tek gjyqtarët dhe prokurorët serbë.

“Kemi problem në Mitrovicë, në veri dhe në jug, të cilat datojnë që nga periudha shpalljes së pavarësisë. Ka ndërhyrje politike tek kolegët serbë dhe kjo po e ngadalëson procesin. Si pasojë e mosfunksionimit të organeve gjyqësore në periudhën e kaluar një numër i madh i lëndëve, rreth 15 mijë,  kanë mbetur pa u zgjidhur. Një numër i madh i këtyre lëndëve janë vjetruar dhe ato nuk do të procedohen, në pyetje janë lëndët për vepra të lehta penale. Lëndët serioze do t’i zgjidhin gjykatat dhe prokuroritë e reja”, ka thënë Syla, gjatë një tryeze të organizuar për gjyqësorin e integruar, në veri të Mitrovicës.

Ndryshe, në muajin nëntor të vitit të kaluar, në Bruksel është arritur marrëveshja për Finalizimin e Zbatimit të Marrëveshjes për Gjyqësorin e Integruar, më 10 janar 2017.

Me ndërmjetësimin e BE-së, pas dy ditë të bisedimeve ishte arritur Marrëveshja për Obligimet Zbatuese dhe Dinamikat e Zbatimit të Marrëveshjes.