Këtë javë pritet lirimi i Haradinajt

Aktuale January 10, 2017 - 07:49

Pesë ditë pas arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, është deklaruar edhe Ministra e Jashtme e Francë, e cila thotë se në këtë arrestim nuk ka ndërhyrë politika. Ndërsa mbrojtja e tij shpreson se Haradinaj mund të lirohet këtë të enjte, kur edhe pritet të zhvillohet një seancë tjetër gjyqësore. AAK-ja dhe opozita tjetër kanë paralajmëruar protesta ditën e mërkurë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pritet të lirohet brenda kësaj jave, në ditën kur pritet të zhvillohet një seancë tjetër për të. Kështu shprehet avokati Arianit Koci, i cili ka bërë me dije se ish-kryeministri i Kosovës mund të lirohet të enjten, kur pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj tij.

Ndërkaq, pesë ditë pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Aerportin Bazel-Moulhuse, është deklaruar edhe Ministra e Jashtme e Francës e cila thotë se në këtë arrestim nuk ka dimensione politike.

Ndërkohë, protesta e ardhshme për të kërkuar drejtësi për liderin e AAK-së pritet të mbahet këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 12:00.

Përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk do të ndalen derisa të zbardhet drejtësia për të parin e AAK-së. E protestës pritet t’i bashkohet edhe pjesa tjetër e opozitës, “Vetëvendosja” dhe “Nisma”.

Ndërkohë, analistët politikë thonë se arrestimi i liderit të AAK-së, është bërë me qëllimin e vetëm, për ta provokuar situatën, ndërsa ka të tillë që mendojnë se arrestimi i Haradinjat është bërë për ta tërhequr vëmendjen nga muri në Mitrovicë dhe nga Gjykata Speciale. Ndërkaq nga Ministra e Jashtme Franceze kanë konfirmuar se në arrestimin e ish-komandantit më në zë të UÇK-së, Ramush Haradinajt, nuk ka ndërhyrë politika.

MPJ-ja e Francës: Arrestimi i Haradinajt s’ka dimensione politike

Përkundër kësaj, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Romain Nadal, tha se veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt nuk ka dimensione politike. Sipas Nadal, “procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit”.

Zëdhënësi i MPJ-së franceze tha në një konferencë me gazetarë se ky rast “nuk e ndryshon politikën e vazhdueshme të Francës dhe mbështetjen e saj për pajtimin në rajon si dhe vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. Sipas tij, “autoritetet gjyqësore në Francë janë marrë me çështjen në mënyrë të kujdesshme” dhe se “procedurat tani janë çështje të autoriteteve të drejtësisë”.

“Franca është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka marrëdhënie të afërta dhe miqësore me të”, tha zëdhënësi Nadal gjatë konferencës me gazetarë në Paris, citon REL.

Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar 2017 në aeroportin e Basel-Mulhouse, mbi bazën e një kërkese për arrest të përkohshëm të lëshuar nga Interpoli dhe u zbatua në mënyrë automatike, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Francës, tha ai.

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë u bë mbi bazën e një flet-arresti të autoriteteve të Serbisë, që daton nga viti 2004, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë në periudhën e viteve 1998-1999.

Të enjten pritet lirimi

Avokati Arianit Koci ka thënë se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas arrestimit në Francë, mund të lirohet me kusht këtë të enjte.

“Haradinaj pritet të lirohet me kusht të enjten e kësaj jave, ditën kur do të mbahet seanca gjyqësore ndaj tij”, ka thënë Arianit Koci.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se AAK-ja si parti, bashkë me qytetarët nuk do të ndalet derisa drejtësia për Haradinajn të vihet në vend.

“Ne nuk do të ndalemi përderisa nuk ka lirim të pakushtëzuar të zotëri Haradinajt dhe derisa nuk do të ketë përsëritje të këtyre skenave”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, Serbia është e interesuar që përmes këtyre ngjarjeve ta destabilizojë rajonin. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ai është shprehur optimist se Franca nuk do të bie pre e Serbisë që ta ekstradojë Haradinajn në Serbi.

“Ne presim që Franca nuk do të bjerë pre e këtyre shkarravinave të lëshuara nga një shtet që gjithmonë ka qenë dhe do të jetë ‘fitil bombë’ e kurdisur për rajonin dhe Evropën”, ka shtuar ai.

Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se protesta e radhës për arrestimin e liderit të këtij subjekti në Francë, do të mbahet këtë të mërkurë.

“Pasnesër nga ora 12:00 do të mbahet protestë në shtatë regjione të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kadriaj më tej ka thënë se mbajtja e Haradinajt në paraburgim është e papranueshme, sepse siç ajo është shprehur, i pari i AAK-së është gjykuar dy herë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe ka dalë i pafajshëm.

Andaj, sipas saj, një gjë e tillë është bërë për qëllime tërësisht politike. Kurse, është shprehur optimiste se Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, në të kundërtën një gjë e tillë, sipas saj, do ta destabilizonte Republikën e Kosovës.

Arrestimi i Ramushit bashkon opozitën

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mytaher Haskuka, ka vlerësuar se flet-arrestet nga Serbia janë të pakuptimta.

“Arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë me flet-arrestet e Serbisë është i pakuptimtë nëse merret parasysh që zotëri Haradinaj tanimë është përballur me Gjykatën Ndërkombëtare dy herë dhe ka dalë i pafajshëm”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, Serbia me anë të flet-arresteve po mundohet ta paraqesë luftën e UÇK-së si terroriste.

“Lidhur me këtë rast unë mendoj që problemi më i madh është ai i flet-arresteve të Serbisë në Interpol, me të cilat Serbia po mundohet ta paraqesë luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe UÇK-në si terroriste”, është shprehur ai.

Sipas tij, për të tilla gjëra faj kanë qeveritë e Kosovës që nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme që t’i fuqizojnë gjykatat e Kosovës për t’u marrë me krimet e Serbisë në Kosovë.

Kurse, ka bërë me dije se LVV-ja do t’i bashkohet AAK-së edhe në protestat e ardhshme për çështjen në fjalë.

“Ne jemi bashkuar në protestën e kaluar dhe do t’i bashkohemi edhe protestave të ardhshme”, ka deklaruar Haskuka.

Ekstradimi i Haradinajt nuk do të ndodhë

Ndërkaq, analisti i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Haki Abazi, ka vlerësuar se arrestimi i Ramush Haradinajt është bërë për qëllime politike.

“Mbajtja e zotëri Haradinajt është me qëllim për ta provokuar situatën dhe për ta larguar vëmendjen nga muri në Mitrovicë, nga Gjykata Speciale dhe gjithashtu për ta dëmtuar mundësinë e një koalicioni qeverisës pas vakumit politik që pritet të krijohet si rezultat i flet-arresteve nga gjykata speciale”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ministrja për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, duhet të japë dorëheqje qysh tani.

“Është trup për Parlamentin e Kosovës të mos mbajë seancë të jashtëzakonshme. Edita Tahiri duhet të dorëhiqet dhe të shpallet moratorium në procesin e dialogimit dhe të ndalohet tregtia me Serbinë deri në tërheqjen e listave dhe largimin e murit nga Mitrovica”, ka shtuar tutje ai.

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se ekstradimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk do të ndodhë.

“Nuk besoj se ekstradimi do të ndodhë, por rasti i Haradinajt duhet t'u shërbejë institucioneve të vendit si alarm i fundit në raport me Serbinë, shtet ky i cili në njërën anë dialogon për përmirësim marrëdhëniesh me Kosovën, e në anën tjetër arreston udhëheqës të saj”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, shteti i Kosovës duhet t'i përdorë të gjithë mekanizmat, mundësitë dhe resurset në dispozicion që të mos lejojë ekstradimin e Haradinajt në Serbi.