Mamia e 100 lindjeve (VIDEO)
Derisa mortja kishte mbuluar gjithë vendin dhe në çdo lokacion të Drenicës, Llapushës, Dukagjinit...hapeshin varre, ishte një nënë që i jepte shpresë jetës në Kosovë. Ajo që jepte lajme të mira, ishte një mami që ndihmoi më shumë se 100 nëna të lindnin nëpër shtigjet e luftës, pa kushte elementare higjienike e mjekësore.
Sanije Desku ishte shndërruar në “Nënën e Shpresës” për të gjitha gratë që po pritnin të lindnin në luftë, por edhe kishte arsyetuar atë epitet. Asnjë foshnje nuk kishte vdekur në duart e saj. E shumë prej atyre që lindën mes granatave të forcave serbe, iu kishte lënë edhe emrat.
Sot ajo thotë se është “Nëna e 100 fëmijëve”, përveç atyre biologjikë të saj. Zonja Sanije është në pension mirëpo, ajo nuk heziton të tregojë historinë e saj, që shpesh është rrëqethëse. Në një rrëfim ekskluziv për “Zërin”, ajo tregon përjetimet e saj dhe të familjes gjatë periudhës së para, gjatë dhe pas luftës të vitit 1998-1999.
Ishte viti 1970, kur ajo nga Mitrovica ishte vendosur në Malishevë, menjëherë pas përfundimit të studimeve. Ajo tregon se kishte kryer studimet për infermieri të përgjithshme, mirëpo me kalimin e kohës ajo edhe është bërë mami.
Një vit pasi që filloi punën në Malishevë, ajo kishte asistuar në një lindje, të cilën thotë se nuk do ta harrojë kurrë.
“Për herë të parë kur kam asistuar në një lindje, ajo ka qenë ndjenjë shumë e lumtur, kam qenë shumë e gëzuar sepse kemi arritur që t’i shpëtojmë që të dy, fëmijët dhe nënën. Isha shumë e emocionuar që shpëtuam të dy djemtë dhe nënën”, tregon Sanija.
Që nga ky moment, ajo nuk u ndal duke i ndihmuar gratë e nënat e reja. Ajo tregon se në periudhën e paraluftës ka qenë më e vështirë që t’i bindnin fillimisht burrat e tyre se gratë shtatzëna duhet të vizitohen tek gjinekologu, mirëpo, siç tregon ajo, me punë e përkushtim ia ka dalë që t’i bindë. Por, periudhën të cilën nuk do ta harroj kurrë është ajo e luftës së fundit në Kosovë.
Sanija thotë se nuk kishte as kushte e as gjërat elementare që i duhen për ta kryer një lindje. “Kushtet si në luftë ma. Duke granatuar, bombardime, këndej lindte fëmija, e qajke, në anën tjetër granatimet e bombardimet nuk u ndalshin. Mirëpo, nuk kam menduar në asnjë moment se a po shpëtojmë unë e nëna, por të shpëtojë nëna dhe fëmija, më dukej sikur i çliruam. Me të vërtetë ka qenë shumë vështir. Nuk kemi pasur as dorëza, as gjërat elementare që nevojiten nuk i kemi pasur. Vetëm me duar të mia kam punuar.
Disa barna na i lanë “Mjekët pa kufij”
Disa gjilpëra i kemi pasur, sepse kam punuar në fillim të luftës me “Mjekët pa kufij”, “Mjekët e botës”, dhe me “Kryqin e Kuq Ndërkombëtar”, dhe ata na i kanë lënë disa barna, gjilpëra...por ato u harxhuan. E në mungesë të gjilpërave, ato që i kam pasur, i kam zier (sterilizuar) dhe pas lindjes është dashur që t’i jap ndonjë gjilpërë kundër gjakderdhjes, sepse nënat ishin edhe me trauma. Sepse kishte lindje të para, ka pasur edhe lindje me operacion cezaresk, në mes të malit në bombardime, në shi e borë disa kanë lindur edhe me lindje normale”, tregon Sanija.
Ajo thotë se pavarësisht kushteve, prapë disa prej lindjeve që i ka kryer gjatë periudhës së luftës ka arritur që t’i mbajë shënim, e disa të tjera jo.
Sanija nuk përton që një nga një t’i lexojë të gjitha ato lindje që kishte kryer. Ajo thotë se disa prej fëmijëve edhe vetë ua ka vendosur emrin. Ajo një djalë, në këtë kohë lufte, e pagëzoi me emrin Fiton.
“Mbi 100 lindje i kam kryer vetëm gjatë periudhës së luftës. Vetëm 86 prej tyre kam arritur që t’i regjistroj, t’i shkruaj e të tjerat jo, për shkak se ose ka qenë terr, ose kanë qenë duke granatuar e vetëm thosha t’i përfundoj sa më shpejt lindjet”, tregon tutje Sanija.
Ajo thotë se gjatë gjithë kësaj periudhe të luftës, ka pasur mjaft raste të vështira gjatë procesit të lindjes por ajo tregon dy prej tyre, që siç thotë, nuk do t’i harroj kurrë gjerë në vdekje.
“Gjatë periudhës së luftës, kanë qenë disa raste të rënda edhe që nuk do t’i harroj kurrë deri sa të vdes. Një ndër ta ka qenë edhe një shtatzënë e fshatit Ostrozub, me tension 270 me 145, ka qenë e ënjtur. Vetë me vete thosha, o Zot ta kishte shpëtuar Zoti edhe nënën edhe fëmijën, më shumë nuk dua. Ky ka qenë rasti kur jam frikësuar tej mase se do t’i humbas që të dy edhe nënën edhe fëmijën. Por, deshi Zoti që gjithçka shkoi në rregull. Lindi një vajzë e shëndoshë. Më besoni se kam quajtur nga gëzimi që arritën të shpëtojnë që të dyja”, shprehet ajo.
Me atë tension të lartë, edhe sot në spital, sipas saj, vështir se mund të shpëtohet nëna.
“Mirëpo, Zoti po të ndihmojke shumë në luftë”, tregon Sanija, e cila shtoi se rasti tjetër ka qenë kur një kolege e saj ka pasur problem me gjakderdhje dhe ka qenë anemike mirëpo, siç tregon Sanija, deshi Zoti që ajo të sjellë në jetë një djalë diku rreth 5 kilogramë, pavarësisht se nuk kishin peshore që ta peshonin foshnjën, ajo thotë se në bazë të asaj që shihej, aq ka mundur të peshojë ajo foshnje e gjinisë mashkullore.
Nuk ka vdekur asnjë fëmijë dhe asnjë nënë
Pavarësisht kushteve të vështira, ajo tregon se në tërë këto lindje, fatmirësisht nuk ka humbur jetë asnjë foshnje e asnjë nënë.
“Në tërë periudhën e luftës, asnjë rast, nuk më ka vdekur askush, as nëna e as fëmijët. Zoti më ka ndihmuar. Ndonjëherë nuk dija as çfarë të bëja, vetëm u lutsha në Zotin”, tregon ajo. Por, Sanija në këtë periudhë nuk ishte e vetme, ajo kishte edhe pesë fëmijët e saj dhe bashkëshortin.
“Edhe ne si të tjerët kemi qenë në mal mirëpo, unë vrapoja herë në një mal e herë në një tjetër. Asnjë herë nuk kam qëndruar vetëm në atë mal ku kemi qenë të vendosur, është dashur t’i kaloj disa male për të arritur atje ku është dashur. Gjatë periudhës së luftës edhe fëmijët e mi i kam pasur mjaft të vegjël, mirëpo më ka ndihmuar tej mase bashkëshorti im. Ai ka qëndruar vazhdimisht me fëmijët edhe nuk më ka ndaluar në asnjë moment, më ka përkrahur shumë”, tregon Sanija, e cila thotë se në këtë zonë, ka qenë e vetmja që u ka dalë në ndihmë të gjithëve.
Që nga fillimi i luftës, në vitin 1998, kur edhe ka filluar lufta në Drenicë, e deri në përfundim të luftës, në qershor të vitit 1999, zonja Sanije tregon se është përballur me mjaft vështirësi. Ajo u ka bërë ballë torturave të policëve serbë dhe nuk është ndalur asnjëherë.
“E kujtoj shumë mirë, kur dy gra nga Drenica i kanë sjellë këtu, e më pas i kemi dërguar për në Gjakovë. E di që kur jemi kthyer nga Gjakova për në Malishevë na kanë rrahur policia serbe sa që të gjithë trupin e kam pasur të mavijosur prej kërbaçëve. Që të treve, mua, shoferin edhe një punëtor të shtëpisë së shëndetit na kanë rrahur. Mua, Bajrush Hotin edhe Sinan Mazrekun. Pavarësisht kësaj, unë nuk jam ndalur asnjëherë. Sa herë na kanë zbritur prej autobusit kur shkonim në mbledhje në Prishtinë, nuk ka të numëruar kjo punë”, tregon ajo.
Sanija thotë se edhe tash, 17 vjet pas përfundimit të luftës, shumë prindër e familje së bashku me fëmijët vijnë dhe e vizitojnë. Ajo shprehet e emocionuar kur i sheh të gjithë ata fëmijë të cilët siç tregon ajo, secili është më i mirë e më i shëndosh se tjetri.
Nëna Ajshe vdiq në duart e saj
Përpos që arriti të sjellë në jetë shumë fëmijë gjatë, historia e saj nuk përfundon me kaq. Sanije Desku, kishte fatin që të përkujdesej edhe për Nënën Ajshe, nënën e Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Sanija thotë se Nënën Ajshe e ka konsideruar si nënë të saj.
“Është shumë interesant se si jemi njoftuar. Ne jemi njoftuar përmes Jetullah Deskut, djalit të axhës së bashkëshortit tim. Ajo në atë kohë vinte tek ne dhe për ne ka qenë mburrje se Nëna Ajshe po na vizitonte”, tregon Sanija, sipas të cilës, Nëna Ajshe nuk i ka besuar asnjë mjeku, përveç asaj që prej momentit kur është vrarë Jusuf Gërvalla.
“Nëna Ajshe nuk kishte besim në asnjë mjek e as motër prej momentit kur ia kanë vrarë Jusufin. Ai shpëtoj mirëpo, siç po thonë që ai mjeku serb e ka mbytur, më pas Nëna Ajshe e kishte humbur besimin tek secili mjek, vetëm tek unë kishte besim”, tregon Sanija.
Ajo tregon se Nëna Ajshe ka qenë shumë e lidhur me të, mirëpo siç tregon edhe vetë zonja Sanije, as ajo në asnjë moment të vetëm nuk ka hezituar që t’i dalë në ndihmë asaj.
“Një ditë u sëmurë shumë, pas dy vjetëve që kemi shkuar rregullisht. Ajo nuk ka pranuar që të shkonte në spital mirëpo, i kishte pas humbur vetëdija. Unë vetëm sa pata ardhur në punë, Nënën Ajshe e kishin pas dërguar në spital. Si kam dëgjuar, iu kam thënë në punë se e kam një teze shumë të sëmurë e nuk e ka askënd e më pas shkova te Nëna Ajshe. Kur kam shkuar në spital, si na ka parë që kemi shkuar unë dhe Ceni (bashkëshorti), ka thënë “Hë erdhën shpëtimtarët e mi. Ikni ju”, ju tha djemve e nuseve të veta. E më pas më tha që ta largojë nga spitali edhe unë i premtova se do e largoj nga aty. Bisedova me mjekun i tregova se jam motër dhe çka do që ka nevojë unë ia jap në shtëpi”, tregon Sanija.
Ajo thotë se nga Nëna Ajshe ka mësuar shumë gjëra, madje tregon se ajo kishte vetëm një peng të vetëm që nuk kishte të përfunduar shkollën.
“Ajo më ka treguar shumë histori. Edhe më thoshte, sikur t’i kisha pasur vetëm katër klasë të shkollës fillore të përfunduara që të mund ta shkruaj jetën time, më shumë nuk do të kisha dashur. Ka qenë tepër e zgjuar sikur të kishte ndonjë fakultet të përfunduar, pavarësisht se nuk ka pasur as një ditë shkollë”, tregon tutje Sanija.
Që nga periudha kur Nëna Ajshe ishte sëmurë rëndë, Sanije Desku i ka qëndruar pranë. Ajo thotë se pavarësisht se ishte në punë, kishte arritur që të marrë pushim dhe në ditët e fundit të jetës së Nënës Ajshe t’i qëndrojë pranë.
Teksa tregon për Nënën Ajshe, ajo emocionohet, pasi që Nëna Ajshe kishte vdekur në duart e saj.
“Që nga momenti kur u sëmurë dhe e kemi larguar nga spitali, gjatë gjithë kësaj kohe, sa ka jetuar, unë i kam qëndruar pranë Nënës Ajshe. Kam marrë pushim, ditë që më kishin mbetur të pashfrytëzuara. Kam qëndruar me të deri në momentin kur ka ndërruar jetë në prehrin tim”, tregon e emocionuar Sanija.
Bashkëshorti, krahu i djathtë i saj
Zonja Sanije, thotë se pa mbështetjen e bashkëshortit të saj, ajo nuk do të mund t’ia dilte mbanë për asgjë, pavarësisht dëshirës dhe vullnetit të saj. Ajo thotë se bashkëshorti i saj, Cen Desku, ka qenë njeriu i cili më së shumti e ka mbështetur.
E vet Cen Desku, i cili me profesion është magjistër i historisë, tregon me mburrje për të arriturat e bashkëshortes së tij.
“Unë ndihem shumë mirë që bashkëshortja ime ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm sidomos në lindjen e fëmijëve gjatë periudhës së luftës nëpër male. Ju e dini fjalën “prapa një burri të zoti, qëndron një zonjë që i ndihmon”, e unë tash po qëndroj prapa kësaj si një burrë që kam qenë krahu i djathtë i saj dhe e kam liruar, dhe e kam ndihmuar aq sa kam mundur. Kështu që bashkërisht edhe me të tjerët, se njeriu vetëm nuk mund të bëjë asgjë në jetë, ia kemi dalë që të jemi në liri, ta gëzojmë lirinë edhe të jemi bashkë si shqiptarë”, tregon Desku.
Ai tregon se që nga vitet e ’90, së bashku me bashkëshorten dhe bashkëvendësit e tjerë të Malishevës, kishin dërguar në vazhdimësi ndihma për në Drenicë. Mirëpo, gjatë gjithë kësaj periudhe jeta e tyre ishte në rrezik, por që, dashuria për atdheun dhe për t’i dalë në ndihmë njerëzve të vendit të tyre, i kishte bërë që ata në asnjë moment të mos hiqnin dorë nga asgjë.
“Por, unë e kam pasur edhe një rol tjetër, me i dërgua mjekët e Malishevës në ndihmë në zonën e Drenicës së bashku me bashkëshorten time Sanijen, ka qenë edhe një mjek, Fahredin Hoti, i cili është vrarë me gjithë djalin e tij në luftë, edhe organizimin e kësaj pjese në ndihmën e barnave e gjërave të nevojshme e kemi kryer, sidomos gjatë natës sepse, rruga Prishtinë-Pejë ka qenë shumë e rrezikuar. Nuk po them sikurse kufiri me Shqipërinë mirëpo, ka qenë e rrezikuar jashtëzakonisht. Ne me drita të fikura të veturave kemi kaluar në Drenicë edhe kemi dërguar ndihma rregullisht”, tregon ai, i cili shtoi, se pavarësisht kësaj detyre që ai e kishte, Desku thotë se bashkëshortja e tij e ka dhënë kontributin të madh.
Asnjëherë nuk menduan që fëmijët t’i dërgojnë jashtë vendit
Me të përfunduar lufta, zonja Sanije i rikthehet përsëri punës së saj, deri në momentin kur u pensionua.
Por, një fat të tillë nuk e kishte bashkëshorti i saj, Cen Desku. Ai thotë se për shkak të përcaktimit të tij politik, me t’u ndërruar pushteti edhe atë e kanë larguar nga puna, por një gjë e tillë atë nuk e hidhëron aspak.
Ai tregon se është rritur në një frymë ku duhet ta duam vendin e kombin.
Për shkak të kësaj fryme ku ai është rritur, as fëmijët e tyre nuk i ka lënë që të dalin jashtë shtetit.
Desku thotë, se tani për tani vendi është në një krizë të madhe ekonomike, por që ai shprehet se e gjithë kjo mund të tejkalohet nëse ne kontribuojmë për këtë vend, për të mirën e këtij vendi, e jo të largohemi nga ky vend.
“Jo nuk kam dashur sepse kemi mbetur ashtu me një traditë të vjetër e pak ndoshta dikujt i duket si absurde, por ne mendojmë se duhet të qëndrojmë këtu në vendin tonë edhe në kushte të vështira, edhe në luftë edhe mos me ik me u pasuru prej këtij vendi, sepse edhe këtu është pasuria, sepse pasuria më e madhe është kur fëmijën e rrisim këtu”, tregon ai.
Ai thotë, se vendin duhet ta duam pavarësisht pikëpamjeve politike e partiake.
“Ne gjithmonë kemi bërë thirrje edhe si familje se ne e kemi pasur një rast në familje në vitet e ’90 kur djali i axhës më është vrarë në Armatën Jugosllave (Jetullah Desku), gjithmonë e kemi pasur dhimbjen për djemtë tanë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë edhe kemi thirrur për unitet, bashkim të gjithë shqiptarëve rreth flamurit, rreth shtetit e jo rreth partive. Se partitë janë një pjesë ku është një fushatë për të hyrë në pushtet edhe jo nuk është partia mbi shtetin e mbi flamurin. Ne si familje dhe si individë gjithmonë e kemi këtë moto, që të jemi të bashkuar rreth flamurit, kombit, shtetit dhe të shërbejmë gjithmonë sa të jemi gjallë në shtetin tonë dhe popullin tonë”, shprehet Desku.
Misioni im jetësor nuk është përmbushur akoma
Sanije Desku thotë se edhe pse ka një vjet që është pensionuar, nuk ka natë që ajo nuk e sheh në ëndërr vendin e punës. Ajo tregon se do të kishte shumë dëshirë që përsëri t’i ndihmonte njerëzit në mënyrë vullnetare mirëpo, që ta bëjë një gjë të tillë ajo nuk ka një lokal të saj.
“Jo ende nuk mendoj se e kam përmbushur misionin tim jetësor. Tash sikur të kisha kushte, kisha pasur dëshirë, për shkak se në këtë zonë ka akoma njerëz shumë të varfër, që të shkoj e t’i vizitoj e t’ju ndihmoj në aspektin mjekësor. Po t’i kisha kushtet, kjo do të ishte dëshira ime që në mënyrë vullnetare akoma t’u ndihmoj njerëzve që kanë nevojë”, shprehet Sanije Desku.