Simiq: Rrënimi i murit nxit tensione

Aktuale January 04, 2017 - 08:15

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, thotë se votimi i rezolutës në Kuvendin e Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës vetëm se do t’i thellojë tensionet mes komunitetit shqiptar dhe serb në vend.

“Është shumë e dëmshme që institucioni ligjvënës siç është Kuvendi i Kosovës, merret me tema të karakterit lokal dhe miraton rezoluta të cilat nuk kanë ndikim ligjor. Tema të tilla në Kuvendin e Kosovës pa nevojë nxisin tensione dhe rrënojnë edhe ashtu marrëdhëniet e ndjeshme mes bashkësive”, ka deklaruar Simiq për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, zgjidhja për murin mund të vijë vetëm atëherë nëse të dyja palët ulen në një tavolinë.

Ai ka shtuar se Kuvendi duhet ta kuptojë që nevojitet krijimi i Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se janë të gatshëm t’i dëgjojnë brengat e palës serbe.

“Simiq e di mirë se kryeministri ka qenë gjithherë i hapur t'i dëgjojë brengat e tyre. Derën e kanë të hapur, kurdo që vendosin të kthehen në institucionet për të cilat kanë garuar”, ka thënë Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, në një prononcim për Gazetën “Zëri”.

Kurse, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se muri duhet të largohet dhe për një gjë të tillë, sipas tij, duhet të veprojë Qeveria.

“Unë mendoj se muri duhet të largohet. Qeveria e Kosovës e ka tash obligim që t’i marrë hapat e tillë. Unë do ta lusja Qeverinë e Kosovës që të mendojë mirë që të mos shkaktohen tensione”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.

Ndërkohë, ka vlerësuar se PDK-ja e ka keqpërdorur këtë mur për ta njollosur figurën e tij.

“PDK-ja, në krye me Kadri Veselin e ka keqpërdorur këtë mur për ta njollosur dikë. Është munduar të përfitojë nga aspekti që të më ngacmojnë dhe politikisht të më rrënojnë mua”, ka theksuar Bahtiri.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se Qeveria nuk do të duhej ta priste rezolutën e Kuvendit për heqjen e murit.

“Së pari, sikur të kishim një Qeveri normale, muri në veri nuk do të lejohej të ndërtohej dhe nuk do të pritej rezoluta e Kuvendit për ta hequr atë mur, por do të veprohej menjëherë kundër ndarjes së vendit dhe cenimit të lëvizjes së lirë”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, Qeveria e Kosovës nuk mund të amnistohet në asnjë formë për ndërtimin e këtij muri në veri.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se muri duhet patjetër të rrënohet brenda muajit janar, ashtu si është paraparë në rezolutë.

“Ne si Kuvend e kemi autorizuar qeverinë që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që ajo barrikadë të mos ekzistojë fare dhe të rivitalizohet ura. Muri duhet të rrëzohet totalisht brenda janarit”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, kryetarja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se Qeveria duhet që sa më herët ta rrënojë murin në veri të Mitrovicës.

“Kjo Qeveri, me apo pa rezolutë duhet sa më parë ta bëjë rrënimin e atij muri pasi që ai po e ndan përfundimisht veriun e vendit”, ka deklaruar ajo.