Politika, larg duart nga arsimi

Aktuale December 29, 2016 - 08:05

Ish-rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, nuk është shprehur i shqetësuar me raportin e fundit të PISA-s për Kosovën pasi ky vlerësim, sipas tij, është pritur. Në intervistën dhënë “Zërit” ai kërkon nga Qeveria të ndërtojë infrastrukturën ligjore dhe jo të “rehatojë” ministra, këshilltarë, shefa kabinetesh e zyrtarë të tjerë të lartë në jetën akademike... Ai kërkon që politika të largohet nga arsimi

Presidenti i vendit dhe kryeministri i shmangen realitetit në arsim me qëllim që të fshehin përgjegjësinë e tyre për gjendjen e krijuar.

Kështu vlerëson ish-rektori i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.

Në intervistën dhënë për “Zërin” Zejnullahu kërkon që politika të qëndrojë larg arsimit.

“Kosova i ka kapacitetet ta ndryshojë këtë gjendje, por duhen larguar nga arsimi politika dhe shërbimet e fshehta të saj”, thotë Zejnullahu, i cili thotë se testi i PISA-s ka qenë i pritshëm.

Zëri: Si mësimdhënës, si i përjetuat rezultatet e testit PISA?

Zejnullahu: Si mësimdhënës nuk e arsyetoj një reagim të përmasave të një tronditjeje për një rezultat testi që reflekton realisht gjendjen në arsimin e Kosovës. Këtë gjendje e kemi ditur, rezultatin e kemi pritur dhe për këtë kemi kontribuuar të gjithë, qoftë me veprim apo me mosveprim. Sikur ende nuk e kemi të qartë se në përgjithësi arsimi në Kosovë e brenda tij, edhe ne mësimdhënësit, jemi futur në rrugën e vetnënshtrimit nga e keqja. Nga kjo rrugë nuk dilet me reagime histerike e duke qëndruar në paqe me të keqen, e cila u ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për përfitime joligjore të gjithëve që kanë “fuqi” e pafytyrësi. Rezultati pastaj nuk duhet të na befasojë.

Zëri: Lidhur me rezultatet pati reagime të shumta, si i vlerësoni ato?

Zejnullahu: Pavarësisht faktit që në medie deklaratat publike të analistëve e qarqeve të ndryshme politike gjendja në arsim merret si pasqyrë e mjerimit dhe e degradimit të përgjithshëm në Kosovë, publikimi i rezultateve të PISA-s erdhi si bombë në publik. Kjo ndodhi vetëm për disa ditë, siç ndodh zakonisht tek ne në Kosovë dhe pastaj çdo gjë ecën në rrjedhën e vet. Reagime impulsive, gjoja se kjo na ndodhi papritur, vijnë kryesisht nga ata që janë përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje. Mjafton të shihet se kush dhe si u vu në krye të arsimit këto vitet e pasluftës dhe gjërat bëhen të qarta vetvetiu. Për fat të keq, reagimet nga stafi akademik i UP-së dhe i arsimit të lartë po mungojnë. Sikur e kemi të qartë se ne jemi përgjegjës të drejtpërdrejtë, mos për asgjë tjetër, se pranuan të vihen në shërbim të politikave që po e sundojnë arsimin që nga paslufta. U mundova ta kuptoj edhe një reagim të presidentit të Kosovës në rrjetet sociale, në të cilin ai deklaroi se “sistemi i arsimit në Kosovë është i shkatërruar”.
Nuk mendoj se sistemi i arsimit në Kosovë është i shkatërruar, sepse ajo pastaj do të nënkuptonte se është shkatërruar e ardhmja e shoqërisë në përgjithësi. Një vlerësim i tillë mund të interpretohet si kërkesë për mbyllje debati, i cili patjetër se duhet të ndodhë dhe që në fillim t’i identifikojë përgjegjësit dhe t’i adresojë përgjegjësitë. Në të kundërtën, hapet mundësia për interpretime të bazuara se pas një keqqeverisjeje të gjatë me institucionet e shtetit kjo klasë politike në vend të një guximi për vlerësim kritik të funksionimit të tyre, vlerësimin e vetëm që mund t’ua bëjë atyre është: nëse ato kanë vdekur apo janë në prag të vdekjes? Faji mbetet jetim.

Zëri: Pas tërë kësaj ju po thoni se arsimi në Kosovë nuk është shkatërruar?!

Zejnullahu: Unë mendoj se arsimi në Kosovë është i lënduar rëndë, e lënduar është edhe shpresa për një të ardhme më të mirë në Kosovë, këtë nuk guxojmë dhe nuk mundemi ta fshehim më nga askush, por është larg konstatimit se është shkatërruar e ardhmja dhe është humbur shpresa.
Ajo që është pritur në këtë rast nga presidenti është që në deklarimin e parë t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë për këtë gjendje, jo në kapacitetin e tanishëm, por për përgjegjësitë që ka ushtruar në të kaluarën dhe për ndërhyrjet e shumta që ai dhe politika, të cilën ai ka përfaqësuar, ka bërë në fushën e arsimit në përgjithësi. Ndoshta qëllimi - vota i arsyeton mjetet, mirëpo reagimi i tanishëm në këtë formë e bën atë jodinjitoz dhe të pasinqertë. Kjo edhe për një arsye tjetër që të hapë rrugë për reflektime të ngjashme të të gjithë neve që nga përshtatja me të keqen nuk kundërshtuam struktura joformale të mbivendosura në arsim, jo pse nuk i vërenim, por gjetëm paqe me to sepse ishim pragmatikë të mos humbim nga mundësia e përfitimeve në situata, ku ligji ishte vetëm letër e jo bazament veprimi.

Zëri: Edhe kryeministri i vendit në një mbledhje të Qeverisë deklaroi se për përmirësimin e gjendjes në arsim nuk do të kursehen fonde, si e vlerësoni ju këtë?

Zejnullahu: Kur flasim për përgjegjësi kjo nuk nënkupton heqje kokësh sepse kjo nuk shpie askund, por edhe deklarimi i kryeministrit se nuk do të kursehen fonde për të përmirësuar gjendjen tingëllon si mosnjohje e realitetit apo ikje nga ai sepse kjo gjendje nuk është shkaktuar shumë nga mungesa e fondeve, por nga e kundërta, nga shpërdorimi i fondeve, shpërdorimi i investimeve në infrastrukturë dhe shpërdorimi i autorizimeve në vendimmarrje. Obligim i shpejtë i Qeverisë është të ndërtojë infrastrukturën ligjore dhe kapacitete të ditura dhe të guximshme për t’u marrë me këtë çështje e jo për të katapultuar ministra, këshilltarë, shefa kabinetesh e zyrtarë të tjerë të lartë në jetën akademike sepse kjo pastaj e pengon qëllimin dhe humb shpresën për ndryshime.
Nëse duam progres shteti duhet përgatitur të sistemojë një numër të madh mësimdhënësish të të gjitha niveleve duke filluar nga UP-ja në angazhime të reja, të cilët në një sistem të reformuar të arsimit nuk mund të bartin përgjegjësi. Kjo ndoshta tingëllon ashpër, por nëse duam ndryshime duhet durojmë edhe “dhimbjet”  që do të shkaktohen në këtë rast. Politikës nuk i duhen deklarata pompoze dhe shpikje temash të tjera nesër, në mënyrë që të harrohet problemi i sotëm. Ata duhet bëjnë pakt shoqëror për mosndërhyrje në arsim dhe për angazhime serioze, por jo angazhime si mundësi për shpërdorime të reja siç ka ndodhur në të kaluarën. Kosova i ka kapacitetet ta ndryshojë këtë gjendje, por duhen larguar nga arsimi politika dhe shërbimet e fshehta të saj.

 Zëri: Cila është përgjegjësia e UP-së?

Zejnullahu: Për shumëkënd është e qartë se në UP, si vend ku krijohen specialistët e mësimdhënies, në përgjithësi mësimdhënia është gjithnjë e më pak mision e më shumë interes biznesor, më pak punë parimore e njerëzore se interes familjar e klanor. Vlerësimi i studentëve nuk është më akt solemn i promovimit të dijes së tyre, por më tepër mundësi për përfitime joligjore dhe abuzime të çfarëdolloji. Ky është mjerimi që na ka kapluar e nga i cili e kuptoj nuk ka dalje të shpejtë e të padhimbshme. Fundja katandisja e arsimit ka filluar nga UP-ja dhe nga aty duhet të fillojë edhe këndellja, por jo vetëm e strukturave që fushëveprim të ngushtë e kanë arsimin.

Zëri: Si rektor patët qëndrim për t’i vendosur kriteret në UP sidomos në avancimin e stafit akademik, por hasët në pengesa. Nga kjo kohë mund të na thoni se nga kush erdhën ato pengesa dhe nëse mund të lirohet UP-ja nga ato?

Zejnullahu: E kam thënë edhe më parë se puna e organeve të UP-së nuk ishte penguar nga ata që parimet ligjore akademike i konsiderojnë bazament i të qenit dikush në botën që synon të bëjë progres akademik e shoqëror, por nga ata të cilët në jetën akademike u futën mbi bazën e anashkalimit të procedurave, mbështetjes politike dhe klanore. Këta nuk janë njerëz të ndershëm, nuk janë profesorë të dalluar e as politikanë pa influencë, por janë e kundërta e tyre. Nëse dyshoni, shikojeni historikun e UP-së qe 17 vjet. Jam i bindur se kështu si është ky institucion e ka të vështirë t’i shërbejë shoqërisë në emër të së cilës u themelua, por vetëm njerëzve të fuqishëm dhe keqbërës, të cilët janë pasqyra më reale e qeverisjes që po e urrejnë të gjithë si brenda, ashtu edhe jashtë.
Është bërë praktikë që çdo procedurë akademike dhe administrative në UP kishte kaluar për vitet të tëra nëpër filtrat e vullnetit të këtyre njerëzve, prandaj duhet kohë që kjo situatë të ndryshohet. Kjo gjendje nuk mund të përmirësohet shpejt dhe pa përpjekje të mëdha të të gjithëve që UP-në e konsiderojnë vend ku vjen në jetë dija. Kjo edhe për një arsye sepse “heshtja intelektuale” brenda UP-së, që e ka zgjedhur pjesa dërrmuese e stafit akademik nuk i shërben këtij qëllimi. Me këtë heshtje vetëm përcillet mesazhi se puna e mirëfilltë akademike në çdo kohë mund të kushtëzohet nga mashtruesit akademikë agresivë, të cilët nëse duam progres duhet të binden se UP-ja nuk guxon të vazhdojë të viktimizohet për hir të atyre që dëshirojnë tituj të pamerituar, paga të pamerituara dhe respekt të rrejshëm në shoqëri.

Zëri: Sipas kësaj që thoni po del se imazhi i UP-së në publik është i dëmtuar shumë, si erdhi deri këtu?

Zejnullahu: E thashë edhe më lart se ndërgjegjja akademike e korruptuar ka krijuar hapësirë veprimi për grupet e interesit të dirigjuara edhe nga politika, të cilët janë bërë shumicë në poste udhëheqëse dhe në Senatin e Universitetit. Ato me vite e kanë shpërblyer lojalitetin me punësime dhe avancime akademike, madje edhe me nota. Imazhin e Universitetit e kemi dëmtuar, jo vetëm duke i rrënuar kriteret akademike, por edhe duke promovuar si vlerë mashtrimin akademik, qoftë duke u përfshirë vetë në të, ose duke heshtur për këtë dukuri. 
Imazhi i Universitetit dëmtohet kur me votën tonë, që e quajnë veten akademikë, zgjidhen në organin më të lartë qeverisës plagjiatorët e dëshmuar ose njerëz që nuk gëzojnë asnjë respekt në botën akademike e të cilët tani duhet t’i bëjnë politikat e zhvillimit të Universitetit...
Mjerisht, sot kriter bazik i të qenit dikush në arsimin e lartë nuk është relevanca profesionale shkencore dhe integriteti njerëzor, por para së gjithash relacioni që ndërton me qarqe të caktuara politike, çfarëdo niveli të kriminalitetit reflektojnë ato në shoqëri. Sa individ që njiheshin në opinion si shpërdorues të financave publike në poste që vetëm tek ne mund t’i ushtronin, sot janë katapultuar në jetën akademike - kjo është shumë dëshpëruese. Këtë e mundësuam ne profesorët duke e bërë veten argatë të së keqes dhe arsimin e lartë, vend ku eksperimentohen për t’u plasuar në treg të gjitha dukuritë negative të shoqërisë.

Zëri: Sa besoni në depolitizimin e arsimit dhe shfuqizimin e individëve dhe grupeve të interesit në institucionet arsimore për të pasur favore ata dhe jo cilësi në arsim e shkencë?

Zejnullahu: Thonë se pesimisti është optimist i matur. Unë ende vazhdoj të besoj në fuqinë e shoqërisë sonë për t'u transformuar, duke respektuar vlerat. Por jo në një kohë të afërt dhe jo me heshtje dhe përshtatje me të keqen për çfarëdo interesi. Nga ky qëllim na ndajnë të paktën aq vite sa humbëm duke mos dashur të kuptojmë se shpesh nuk e kemi thënë atë që si intelektualë duhet ta kishim thënë në raport me veten, përgjegjësitë tona dhe klanet politike kriminale që kërkonin dhe krijuan hapësirë në vendimmarrje në UP; duke mos dashur të kuptojmë se shpesh nuk kemi vepruar ashtu si intelektualët dhe akademikët duhet të veprojnë edhe kur e kemi ditur se me veprimet tona nuk po u japim shembullin e duhur të rinjve.
Duke mos e thënë atë që është dashur ta themi dhe duke mos vepruar ashtu si është dashur të veprojmë, ne i kemi bërë dëm arsimit në përgjithësi, por edhe e kemi dëmtuar rëndë veten dhe parafytyrimin që ka ekzistuar në shoqërinë tonë për intelektualin dhe akademikun e vërtetë.
Madje, kemi shkuar aq larg sa kemi mundësuar që sojin e intelektualit dhe të akademikut ta përfaqësojnë jo vetëm jokompetentët, por edhe individë me reputacion shumë të keq në shoqëri.

Zëri: Patët deklaruar se: “Nëse heq dorë nga qëndrimi im është baras me vdekje, shkojmë drejt rënies dhe jo ngritjes”, a po shkon drejt rënies UP-ja tani?

Zejnullahu: I kuptoja vështirësitë, por ideja e Universitetit është tepër e rëndësishme për t'iu nënshtruar plotësisht së keqes. Imagjinojeni se sa më kualitative do të ishte jeta jonë nëse nga universitetet tona do të dilnin shumë më shumë të rinj ambiciozë dhe të përgatitur me aftësi e përvoja cilësore. Mendoni se çfarë doktorë do të na ofronin shërbime, çfarë gjykatësish do të na ndanin drejtësinë e çfarë mësuesish do t'ua zhvillonin imagjinatën fëmijëve tanë. Nga një universitet i mirëfilltë varet edhe se çfarë lidershipi politik do të kemi. Fundja mendojeni se sa më të fuqishëm do të ishim sikur shteti do të udhëhiqej nga një lidership i përgatitur dhe i përgjegjshëm e jo nga ata që na e varfëruan jetën dhe na e lënduan shpresën. Në Evropën përparimtare nuk mund të na dërgojë askush, duhet ta dërgojmë veten. Në vend të një vizioni modern të arsimit, bijve dhe bijave në Kosovë nuk bën t'u ofrohet vizioni i patronazhit politik. Se kah është duke shkuar UP-ja sot, le ta vlerësojë publiku. Nga vrojtimet e mia lidhur me UP-në,  sot njerëzit janë të kënaqur, prandaj edhe i votojnë ata që, sipas bindjes sime, e katandisën Universitetin në këtë gjendje, ata që vite me radhë manipuluan, falsifikuan, mashtruan dhe përfituan. Kjo tregon se UP-ja tanimë në qetësi është rikthyer në rrugën e “zhvillimit” të vet. Nëpër këtë rrugë sot do të ecim vetë, ndërsa nesër fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Po shihet qartë se kjo është rrugë e përshtatjes së interesave të klaneve, brenda së cilës ka hapësirë të mjaftueshme për inferiorët dhe të paditurit.

Zëri: Është bërë reformimi i sistemit arsimor, gjithmonë i thirrur sipas standardeve evropiane. Çka nuk u bë që ngelëm si shtet larg këtyre standardeve në arsim?

Zejnullahu: E përmenda në fillim, gjërat nuk duhet të merren me eufori. Euforia shkakton humbje të energjisë dhe dëmton synimin drejt qëllimit tonë të përbashkët – një arsim më i mirë që gëzon respekt në vend dhe në botë. Në fizikë kemi mësuar se për të lëvizur drejt cakut (qëllimit) duhet t’i përcaktojmë koordinatat e vetëndodhjes. Këto koordinata në masë të madhe tash na janë qartësuar. Për të lëvizur drejt qëllimit duhet zgjedhur rrugën, mjetet dhe kohën. Kjo e fundit po ecën duke mos u treguar “bujare” për dështimet dhe për ngecjet tona. Shprehur ndryshe, për një nismë reformimi nuk mjafton vetëm konstatimi i gjendjes, por duhet analizë shumë më e thellë, më përmbajtjesore dhe më transparente. Në fushata zgjedhore, në të kaluarën, janë propozuar reforma ndër më të ndryshmet, madje edhe sipas modeleve të cilat janë plasuar pa i ditur koordinatat e vetëndodhjes dhe për publikun skajshmërisht manipuluese.

Zëri: Si të ndryshohet kjo gjendje?

Zejnullahu: Një gjë duhet qartësuar që në fillim, ndërgjegjja akademike e korruptuar nuk mund dhe nuk duhet lejuar të bartë barrën e ndryshimeve që sot kërkohen të bëhen në fushën e arsimin në të gjitha nivelet. Ajo sot po e ngufat çdo përpjekje për progres në Kosovë. Për ta ndryshuar këtë gjendje nevojitet shumë angazhim dhe shumë kapacitete, nevojitet kohë e përkushtim nevojitet guxim në veprim, transparencë dhe llogaridhënie. Më e keqja është amullia që na ka kapluar. Edhe pse nuk jemi të kënaqur me situatën që kemi, më parë gjejmë dhjetëra arsyetime pse nuk mund të bëjmë ndonjë ndryshim sesa të punojmë me seriozitet për ta bërë ndryshimin, sado i vogël të jetë ai.