Lumezi: Luftë korrupsionit në vitin 2017!

Aktuale December 28, 2016 - 08:13

Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizimit pritet të jenë sfidat kryesore me të cilat do të ballafaqohen prokurorët kosovarë gjatë vitit të ardhshëm. Siç deklaroi në intervistën për “Zërin” kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në vitin e ardhshëm lufta e Prokurorisë kundër korrupsionit do të jetë e pakompromis

Kryeprokurori  Lumezi shprehet i vendosur për t’i shkuar deri në fund rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë vitit 2017. Në intervistën ekskluzive dhënë për “Zërin” ai thotë se viti 2016 ka qenë i suksesshëm për Prokurorinë vendore, por thotë se në vitin 2017, prokurorët do të jenë të pamëshirshëm në luftën kundër të keqes që po i kanoset Kosovës.

Gjatë kësaj interviste, Lumezi ka folur për sfidat me të cilat po ballafaqohet aktualisht Prokuroria e Shtetit, si dhe për hetimet që është duke i zhvilluar ky institucion, për rastin “Pronto”, rastin Dehari si dhe hetimet për vdekjen misterioze të gjakovares Dafina Zhubi. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka folur edhe për gatishmërinë e prokurorëve vendorë për t’i hetuar rastet e profilit të lartë pas marrjes së kompetencave nga prokuroret e EULEX-it, si dhe aktin e vjedhjes në shtëpinë e tij të ndodhur para një muaji.

1. Zëri: Jemi në fund të vitit 2016, a mund të na tregoni se si ka qenë ky vit për institucionin që ju e drejtoni?

Lumezi: “Prokuroria e Shtetit gjatë vitit 2016 si asnjëherë më parë ka qenë e vendosur që të kontribuojë brenda mundësive të veta për forcimin e sundimit të ligjit dhe kemi treguar vendosmëri për të trajtuar secilën lëndë pavarësisht se kush është personi i dyshuar. Gjatë këtij viti prokurorët janë angazhuar maksimalisht për t’i arritur pritshmëritë dhe vetëm gjatë 11 muajve të këtij viti kemi zgjidhur 32.896 lëndë e që është rreth 22 për qind më shumë se vitin e kaluar”.

2. Zëri: Cilat kanë qenë disa nga sfidat që jeni ballafaquar prej marrjes së detyrës e deri më sot?

Lumezi: “Pavarësisht punës së madhe që është bërë, është evidente që përballë sistemit prokurorial vazhdojnë të mbesin edhe shumë sfida, siç është ngritja e profesionalizmit, efikasiteti i hetimeve, forcimi i kapaciteteve në PRSK, rritja e llogaridhënies, rritja e buxhetit dhe rritja e bashkëpunimit me publikun”.

3. Zëri: Çka po ju sfidon aktualisht në punën tuaj si Kryeprokuror i Shtetit?

Lumezi: “Një nga sfidat më të mëdha me të cilat është ballafaquar institucioni i Prokurorit të Shtetit është rritja e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës, zbardhjen e vrasjeve politike si dhe në rritjen e besimit të publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit”.

4. Zëri: Pas marrjes së kompetencave nga prokurorët e EULEX-it, a mund të na tregoni se a janë të gatshëm prokurorët vendorë që t’i trajtojnë rastet e profileve të larta?

Lumezi: “Brenda sistemit prokurorial ka prokurorë shumë të aftë, të guximshëm dhe me integritet që meritojnë respektin e çdo subjekti të së drejtës, që çështjen ia kanë besuar drejtësisë. Ne jemi të gatshëm t’i marrim të gjitha lëndët nga prokurorët e EULEX-it dhe tanimë kemi filluar transferimin e lëndëve nga prokurorët e EULEX-it te prokurorët vendorë. Me ngritjen e disa aktakuzave tani edhe konkretisht kemi treguar se prokurorët vendorë janë duke i trajtuar me seriozitet rastet e profilit të lartë duke përdorur procedura standarde të veprimit për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda. Deri më tani së bashku me Policinë e Kosovës dhe agjencionet e tjera zbatuese të ligjit i kemi bashkërenditur veprimet dhe gjatë këtij viti kemi përfunduar 22 raste të nivelit të lartë ku janë përfshirë kryetar komunash, drejtorë të prokurimit, ish-ministra, ministra, sekretarë permanentë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të agjensioneve, kryetarë dhe anëtarë të bordeve dhe 333 raste të korrupsionit të niveleve të ulëta dhe të mesme”. 

5. Zëri: Vitin e fundit ka pasur arrestime dhe fillime të proceseve gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion. A ka ende raste të tilla dhe në cilën fazë të hetimeve janë këto raste?

Lumezi: “Kemi shumë raste të zyrtarëve të ndryshëm të nivelit qendror dhe lokal kundër të cilëve jemi duke zhvilluar hetimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprat tjera që ndërlidhen me korrupsionin. Ne të gjithë shpeshherë e dimë se kush është kryes i një vepre penale, mirëpo shumë vështirë është që gjatë hetimeve të sigurohen provat për ngritjen e akuzës, për shkak se korrupsioni kryhet në mënyrë të fshehtë dhe të kamufluar, pa lënë shumë gjurmë dhe prova. Dyshimi për kryerjen e një vepre penale të korrupsionit është arsye për hetim, ndërsa ndërtimi i një çështjeje penale është mjaft e vështirë dhe është një gjë krejt tjetër”.

6. Zëri: Vazhdimisht politikanët dhe personat tjerë publikë nuk maten në deklarimet e tyre dhe në akuza publike ndaj njeri-tjetrit. A merret Prokuroria e Shtetit me deklarime të tilla?

Lumezi: “Te ne në Kosovë ka një prirje për të rënduar më shumë se që duhet Prokurorinë e Shtetit, natyrisht që me akuza dhe kundërakuza politike Prokuroria nuk merret. Këto akuza zakonisht bëhen për interesa politike. Kallëzimet dhe denoncimet duhet të bëhen zyrtarisht, pa lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, e jo akuzat të bëhen në foltore dhe debate publike. Politikanët nuk duhet të merren me akuza publike ndaj njëri-tjetrit por duhet të gjejnë forcën që nga radhët e veta t’i largojnë ata të cilët funksionet politike i përjetojnë si mundësi për keqpërdorime të ndryshme.
Prokuroria e Shtetit çdo ditë e më shumë është duke u bërë institucioni më i përfolur nga subjektet politike, parlamentarët, ministrat, mediet dhe shoqëria civile. Jemi zona më e lehtë për t’u komentuar dhe kritikuar nga këto subjekte pasi që shpeshherë edhe interesat e tyre të ndryshme preken nga hetimet dhe vendimet e prokurorëve, prandaj të gjithë dua t’i siguroj se ne gjatë punës sonë do të dimë të bëjmë dallimin në mes të nevojave politike, presioneve të ndryshme dhe kërkesave të drejtësisë, do t’i dëgjojmë këshillat dhe komentet e këtyre subjekteve por kur nuk do të lejojmë që të tjerët të vendosin për punën tonë”.

7. Zëri: Viteve të fundit vendi ynë po sfidohet nga përhapja e ideve radikale që shpien në terrorizëm dhe radikalizëm të dhunshëm. A mund të na tregoni përkushtimin e institucionit që ju e udhëhiqni për ta luftuar terrorizmin dhe radikalizmin në Kosovë?

Lumezi: “Terrorizmi është një e keqe që po e rrezikon sigurinë, paqen dhe drejtësinë në botë, por nuk është duke e lënë anash as vendin tonë. Në këtë drejtim, Prokuroria e Shtetit është duke treguar rezultate të mira, ky është vlerësim edhe i institucioneve vendore dhe faktorit ndërkombëtar. Deri më tani kemi ngritur 38 aktakuza me 106 persona për vepra penale të terrorizmit, regrutimit për terrorizëm, kemi ngritur bashkërendimin e veprimeve me Policinë e Kosovës, AKI, Inteligjencën Financiare si dhe me institucionet e shteteve fqinje dhe ky bashkëpunim dhe bashkërendim i veprimeve është duke dhënë rezultate të mira në parandalimin e përgatitjeve të veprave penale terroriste dhe zbulimin e grupeve terroriste”.

8. Zëri: Aktualisht ndër rastet e shumta që janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale është edhe rasti i njohur si “Pronto”, ndaj një deputeti të Partisë Demokratike të Kosovës. A mund të na tregoni se çfarë po ndodh me këtë rast?

Lumezi: “Rasti ‘’Pronto’’ është në fazën e hetimeve, është duke u hetuar nga një ekip i përbërë nga tre prokurorë, e udhëhequr nga një prokurore e PRSK-së. Këta prokurorë janë me integritet të lartë, shumë seriozë dhe profesionalë, prandaj besoj që këta prokurorë nuk do ta akuzojnë asnjë individ për të cilin hetimet nuk kanë nxjerrë prova të mjaftueshme, mirëpo jam i sigurt që drejtësinë nuk do ta braktisim për hir të askujt. Gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm do të dalim me rezultatet e hetimeve për këtë rast”.

9. Zëri: e ka pyetur kryeprokurorin edhe për hetimet që janë duke ndodhur në rastin “Dehari”. Rreth hetimeve për vdekjen misterioze të gjakovares Dafina Zhubi, si dhe për aktin e thyerjes së shtëpisë së tij. Ndërkaq, përgjigja e Kryeprokurorit Lumezi për këto raste është:

“Sa i përket rastit të Astrit Deharit dhe Dafina Zhubit nga kryeprokurorët ku janë duke u hetuar këto raste dhe nga prokurorët e rasteve kam kërkuar që të vërtetojnë saktësisht dhe tërësisht të gjitha faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e një vendimi të drejtë dhe të ligjshëm. Një përgjigje të plotë në pyetjen tuaj do të jetë e mundur ta bëjë pasi që të përfundojnë hetimet. E njëjta përgjigje vlen edhe për thyerjen dhe depërtimin në shtëpinë time, pasi që në këtë rast jam i dëmtuar, bindja ime është që qëllimi nuk ka qenë për të vjedhur”.

10. Zëri: Pasi që jemi në prag të vitit 2017, cilat janë planet tuaja si Kryeprokuror i Shtetit që synoni t’i realizoni gjatë këtij viti?

Lumezi: “Vitin 2017 institucioni i Prokurorit të Shtetit do ta pretë më e organizuar, më e përgatitur, me numër më të madh të prokurorëve, me vetëbesim më të madh dhe më e vendosur që të ballafaqohet me sfidat në zbatimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore.  Gjatë vitit 2017 do të rrisim numrin e prokurorëve në Prokurorinë Speciale dhe do të intensifikojmë hetimet për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, terrorizmit, krimit të organizuar dhe trajtimit të rasteve të krimeve të luftës të cilat lëndë janë duke u transferuar nga misioni Evropian te prokurorët vendorë.

Pasi që gjatë vitit 2016 kemi hapur hetime për disa raste të nivelit të lartë, unë pres që gjatë vitit 2017 të përfundojnë këto hetime dhe nëse vërtetohen faktet të cilat i kemi, do t’i paraqesim akuzat para gjykatës. Nëse do të kemi rezultatet në këto hetime, do të zhduken të gjitha ato perceptime se janë duke u hetuar vetëm rastet e nivelit të ulët apo të mesëm.

Planet tona janë që gjatë vitit 2017 të rrisim bashkëpunimin me publikun, institucionet shtetërore, sektorin privat dhe të gjithë ata të cilët janë të vendosur ta lajmërojnë korrupsionin, i cili ju ndodh edhe shumë të tjerëve dhe t’i garantojmë ata se për raportimin e korrupsionit të ndihen të sigurt. Do të kërkoj nga prokurorët të marrin parasysh të gjitha ato indicie, që bëhen publike nëpërmjet medieve, që bëhen shqetësuese për publikun, të jenë patjetër çështje të analizës dhe punës së prokurorisë, për të vërtetuar se a është kryer ndonjë vepër penale.

Gjatë vitit të ardhshëm do të punojmë në ngritjen e moralit dhe të etikës së prokurorëve, sepse ata që kanë moral dhe etikë nuk i nënshtrohen ndikimeve dhe interferimeve të ndryshme që mund të bëhen ndaj prokurorëve. Do të rrisim mbikëqyrjen e prokurorëve të niveleve më të ulëta, me qëllim të zbatimit të ligjshmërisë, ngritjes së efikasitetit dhe zbatimit unik të praktikave dhe legjislacionit, si dhe do të kërkojmë llogari nga prokurorët për punën e tyre profesionale. Gjithashtu pres që gjatë vitit 2017 institucionet shtetërore, subjektet politike, shoqëria civile dhe subjektet tjera, të mos ndërhyjnë në vlerësimet profesionale të organit kompetent për ndjekje penale në rastet e ndryshme individuale, për shkak se ndërhyrje të tilla mund të pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të procedurës penale në mbledhjen e provave dhe sigurimin e fakteve.

25 prokurorët e rijnë të cilët janë dekretuar në fund të vitit, duhet të dinë se kjo është një detyrë e cila kërkon shumë punë, përkushtim dhe sakrificë. Në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit kërkoj që të jenë të pavarur në punën e tyre dhe të japin drejtësi njësoj për të gjithë, sepse përpara drejtësisë të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të jenë të ndërgjegjshëm përpara të vërtetës”.