Vuçiq, ultimatum Listës Serbe

Aktuale December 27, 2016 - 07:49

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka dhënë ultimatum përfaqësuesve të Listës Serbe që deri më 31 dhjetor ta kthejnë në Qeverinë e Kosovës ministrin Lubomir Mariq dhe njëkohësisht ta heqin nga detyra të sapoemëruarën, Mirjana Jetviq. Vuçiq ua ka ngrehur “veshët” deputetëve serbë të Kosovës për prishje të interesave të serbëve

Pas përçarjes së fundit të Listës Serbe, ku nga pozita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal u shkarkua Lubomir Mariq, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka thirrur në një takim urgjent përfaqësuesit e këtij subjekti politik.

Në këtë takim, që u mbajt në Beograd, Vuçiq u ka dhënë ultimatum, përfaqësuesve serbë të Kosovës që deri më 31 dhjetor, ta tërheqin vendimin dhe ta kthejnë në Qeverinë e Kosovës, ministrin Mariq dhe njëkohësisht ta heqin nga detyra të sapoemëruarën Mirjana Jetviq.

Por, një ultimatum i tillë i ka rënë në “vesh” kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës. Ky i fundit ka thënë se po të ishte Maqriq ministër shqiptar, shumë kohë më parë do të ishte larguar nga detyra.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare, vlerësojnë se Serbia është ajo, e cila i emëron ministrat serbë në Kosovë dhe synon të vendosë në emër të saj.

Nga ana tjetër, analistët konsiderojnë se Lista Serbe gjithmonë ka qenë dorë e zgjatur e Serbisë dhe se “përçarja” e fundit e tyre, duhet të shërbejë për të mos i përfaqësuar më interesat e Beogradit.

Gjuriq: Deri më 31 dhjetor Lista Serbe ta tërheqë vendimin

Shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, menjëherë pas takimit të kryeministrit serb me përfaqësuesit e Listës Serbe, ka treguar se qeveria serbe i ka dhënë afat Listës që vendimin për shkarkimin e ish-ministrit Mariq, ta tërheqë deri në fund të këtij muaji.

“Në qoftë se ata duan të marrin pjesë në atë që është politikë e përbashkët e serbëve dhe e shtetit serb në Kosovë, duhet që deri më 31 dhjetor t’i tërheqin vendimet e tyre të dëmshme”, ka deklaruar Gjuriq.

Nga ana tjetër, ish-ministri Mariq ka thënë se nuk i është bërë me dije se pse është larguar.

“Ajo që është dëgjuar është se Isa Mustafa nuk ishte i kënaqur me punën time dhe deklaratat politike”, ka thënë Mariq.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri Mustafa ka thënë, se po të ishte Mariq një ministër shqiptar, moti do ta kishte larguar nga pozita e tij.

“Po e them sot publikisht se po të ishte ai një ministër shqiptar qysh moti s’do të ishte ministër”, ka deklaruar ai në një intervistë për medie.

Selimi: Ministrat serbë në Kosovë i emëron Vuçiqi

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se ministrat serbë në Kosovë i cakton kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ky është tregues që ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës i emëron Vuçiqi dhe i aprovon Mustafa. Ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës dhe Lista Serbe në përgjithësi nuk janë përfaqësues të serbëve të Kosovës, por përfaqësues të politikave të Beogradit në institucionet e Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kryeministri serb sipas deputetit të LVV-së, nëpërmjet Listës Serbe, po e mban shtetin e Kosovës peng të vetin.

“Vuçiqi përmes Listës Serbe po e mban Kosovën peng në zhvillimin e saj. Për shkak të këtij raporti Kosova sot nuk e ka as ushtrinë e saj e as policinë nën kontroll”, ka shtuar deputeti Rexhep Selimi.

Lekaj: Lista Serbe është formuar për interesat e Serbisë

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se Kosova ka ardhur deri në atë situatë, saqë vendimet të cilat duhet t’i marrë vetë Kosova, t’i marrë Vuçiqi.

“Këto zhvillime janë si pasojë e vendimeve kuturu që ka marrë në vazhdimësi qeveria Mustafa. Ka ardhur situata e atij lloji që vendimet për Kosovën të tentojë t’i marrë Vuçiqi në Serbi”, ka deklaruar ai.

Lekaj gjatë bisedës ka thënë se Lista Serbe është formuar vetëm për t’i çuar në vend interesat e Serbisë. “Lista Serbe nuk është krijuar dhe nuk funksionon për t'i përfaqësuar qytetarët serbë të Kosovës, por interesat e Serbisë”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë, kryetarja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se Lista Serbe është vegël me të cilën manovron Beogradi.

“Se Lista Serbe është vegël e Beogradit, këtë tashmë e dinë të gjithë. Pra, kjo listë nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por ndikimi i Vuçiqit në këtë Listë është tepër i madh dhe si pasojë e kësaj shteti ynë ka ngelur peng i saj në formimin e ushtrisë”, ka deklaruar Bajrami.

Ajeti: Lista Serbe i është nënshtruar përherë qeverisë së Beogradit

Nga ana tjetër, Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se qeveria serbe po ndihet e kërcënuar nga përçarja e Listës Serbe.

“Lista Serbe ka qenë krijim i qeverisë beogradase dhe si e tillë edhe asaj i është nënshtruar përherë. Tani kur ndodhën plasaritjet e para të Listës Serbe, Qeveria serbe po ndihet e kërcënuar nga kjo prishje e “unitetit” të politikanëve serbë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Ajeti më tej, ka thënë se këtë plasaritje, përfaqësuesit serbë në Kosovë duhet ta përdorin për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve. “Këtë plasaritje të kinse unitetit serb, ata duhet ta përdorin për t’i riorientuar qëllimet e tyre. Pra, të mos i përfaqësojnë më interesat e Beogradit në Kosovë, por interesat e qytetarëve serbë”, është shprehur ai.

Kurse, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës assesi nuk duhet t’i nënshtrohet presioneve indirekte të qeverise serbe.

Murati: Lista Serbe, dora e zgjatur e qeverisë serbe

Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka vlerësuar se Lista Serbe është dora e zgjatur e kryeministrit të Serbisë.

“Lirisht mund të konkludojmë që Lista Serbe është dora e zgjatur e Qeverisë së Serbisë në Kosovë dhe e përfaqëson pikërisht shtetin serb, e shumë pak qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas Muratit, një gjë e tillë është parë qysh moti e po shihet edhe tani. “Kryeministri serb Vuçiq është ai i cili realisht udhëheq me këtë parti politike, kështu që nuk më habit fakti nëse ai i thërret në takim dhe jep urdhra se si kjo parti duhet të veprojë në kuadër të jetës institucionale në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile, ka vlerësuar se plasaritja e Listës Serbe është pozitive, në kontekstin që përfaqësuesit serbë mund të jenë më bashkëpunues me institucionet e Kosovës. Porse sipas tij, një gjë e tillë nuk dihet se sa do të zgjasë.

“Kjo gjithsesi është pozitive në kuptimin e kthimit të serbëve të Kosovës si faktorë më bashkëpunues me institucionet e Kosovës, jashtë agjendës së Beogradit, por nuk dihet se sa do të zgjasë, funksionojë dhe sa është e qëndrueshme si zgjedhje”, është shprehur Maliqi.