Me premtimet për ASK, “Srpska” kthehet në Kuvend
Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë se janë kthyer në Kuvend për t’i bërë presion koalicionit qeverisës që të ecet më shpejt me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Sipas opozitës, Lista Serbe ka bërë marrëveshje me partitë në pushtet për kthimin e tyre në institucione
Pas bojkotimit disamujor të institucioneve vendore Lista Serbe është kthyer në Kuvendin e Kosovës për ta jetësuar, sipas tyre, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, apo siç njihen në sintagmën e opozitës “Zajednicën”.
Edhe pse në Qeverinë e Kosovës nuk e përmendin arsyen e rikthimit, janë deputetët e Listës Serbe ata që tregojnë se çfarë i ka shtyrë të kthehen në institucionet e Kosovës pas rebelimit disamujor për rastin “Trepça”.
Derisa përfaqësues të koalicionit qeverisës thonë se Asociacioni nuk do të ketë kurrfarë kompetencash ekzekutive, ata të opozitës konsiderojnë se Serbia po tenton ta shtrijë ndikimin e saj në Kosovë edhe me ndihmën e Prishtinës.
Madje siç ata janë shprehur, Lista Serbe ka bërë marrëveshje me partitë në pushtet për kthimin e përfaqësuesve serbë në Kuvend.
Lista Serbe kërkon themelimin e Asociacionit
Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, gjatë seancës së parë pas kthimit në Kuvend ka kërkuar prerazi përmbushjen e kërkesave të këtij subjekti, me theks të veçantë themelimin e Asociacionit.
“Do të vazhdoj të bëj presion për realizimin e interesave tona dhe marrëveshjeve të Brukselit. Këto janë përparësitë tona për të ardhmen dhe forcat e koalicionit t’i respektojnë marrëveshjet dhe të këmbëngulin në realizimin e Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka deklaruar Simiq.
Nga ana tjetër deputeti i koalicionit qeverisës nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati, ka thënë se Asociacioni nuk do të ketë kurrfarë kompetence ekzekutive.
“Asociacioni s’do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive dhe legjislative. Kemi nevojë për dialog, por nuk jemi naivë. Të jepet Asociacioni dhe të përdoret kundër qytetarëve është më së paku që do ta lejojë një shoqëri”, ka deklaruar Ferati.
Edhe Bajram Gecaj, zëvendësministër dhe këshilltar i kryeministri Isa Mustafa, tha se Kosova e ka obligim themelimin e kësaj Asociacioni.
“Qeveria e Kosovës e ka obligim ligjor themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Gjithashtu, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese na obligon për të njëjtën", ka thënë Gecaj.
LVV: Serbia po synon ta defunksionalizojë Kosovën
Kurse deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar se Serbia po përpiqet vazhdimisht që ta defunksionalizojë Republikën e Kosovës.
Një gjë të tillë, sipas saj, po mundohet ta arrijë përmes partisë serbe në Kosovë, Listës Serbe.
“Në fakt, Serbia dhe joserbët e Kosovës po angazhohen me të gjitha format ta defunksionalizojnë edhe më shumë shtetin përmes Listës Serbe, e cila në Parlament erdhi jo si rezultat i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, por si pasojë e marrëveshjes ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, Kosova dhe qytetarët e saj momentalisht po e paguajnë rëndë çmimin e një “pazari mafioz”, siç ajo e ka cilësuar.
Deputetja e LVV-së më tej ka thënë se edhe Lista Serbe e di që Asociacioni ka vdekur, mirëpo, siç është shprehur Kadaj-Bujupi, ajo kërkon zbatimin e urdhrave të kryeqytetit serb.
“Ata janë të vetëdijshëm se ‘Zajednica’ ka vdekur si projekt pasi u kundërshtua nga opozita dhe populli, por përderisa vazhdojnë të ekzistojnë misioni i tyre është zbatimi i kërkesave të Beogradit”, ka potencuar Kadaj-Bujupi.
Lekaj: Marrëveshja për të cilën foli Simiq të bëhet publike
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se kthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës është shumë i dyshimtë.
“Po, është e vërtetë se koalicioni ka ditur në vazhdimësi ta lërë veten dhe Kosovën peng të një grupi politik, i cili mendon dhe vepron me logjikën e Beogradit. Është shumë e dyshimtë se përse kanë vendosur të rikthehen në Kuvend dhe ta mbështesin këtë koalicion”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Ai më tej ka thënë se Simiq gjatë seancës së Kuvendit ka folur për një marrëveshje të koalicionit qeverisës, për të cilën Lekaj ka kërkuar që një gjë e tillë të publikohet.
“Edhe dje në deklaratën e tij Slavko Simiq foli për respektimin e një marrëveshjeje nga ana e PDK-LDK-së. Kjo duhet të bëhet publike se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë”, është shprehur ai.
Lekaj ka thënë se mund të merret me mend se çfarë do të kërkojë Lista Serbe, mirëpo ai është shprehur i bindur se opozita bashkë me qytetarët nuk do të lejojnë të cenohet integriteti dhe sovraniteti i shtetit.
“Nëse bazohemi nga e kaluara mund ta marrim me mend se çka janë të interesuar të bëjnë brenda Kosovës. Por ne jemi këtu dhe bashkë me qytetarët, ashtu si në të kaluarën, do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka përfunduar deputeti i AAK-së.
Kurse kryetarja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se kryeministri Msutafa bashkë me Listën Serbe kanë arritur ndonjë marrëveshje për kthimin e tyre në Kuvend.
“Po, sigurisht që z. Mustafa ka arritur ndonjë marrëveshje ose më mirë të themi ka bërë ndonjë pazar me Listën Serbe për t’u kthyer në Kuvend sepse ata vetëm kështu dinë të funksionojnë”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, Lista Serbe mund ta ketë një Asociacion, por të tërin sipas ligjeve të Kosovës e jo më shumë.
“Sa i përket kërkesës së tyre për Asociacionin, ata krejt çka mund të kenë është një Asociacion sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe ju e dini, ashtu siç e di edhe Lista Serbe, se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për Asociacionin dhe ata duhet ta respektojnë”, ka theksuar Dushica-Bajrami.
Lista Serbe do ta kushtëzojë kthimin dhe jo vetëm me Asociacionin
Kurse analisti politik, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se Lista Serbe është kthyer në Kuvend me synimin e vetëm - për ta shpejtuar procesin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Krijimi i Asociacionit do të jetë kërkesë urgjente e Bashkimit Evropian, andaj Lista Serbe duhet të jetë në Kuvend për ta shtyrë përpara këtë çështje”, ka deklaruar Mushkolaj, sipas të cilit kthimin e tyre serbët do ta kushtëzojnë me finalizimin e Asociacionit Serb.
“Kthimin në Kuvend e në Qeveri zyrtarët e këtij subjekti me siguri do ta kushtëzojnë me themelimin e Asociacionit, por jo vetëm me kaq. Për marrjen e vendimeve të rëndësishme institucionet kosovare varen nga vullneti i Listës Serbe, respektivisht kanë mbetur peng i akrobacioneve të saj politike”, është shprehur Mushkolaj.
Përkundër tij, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se kthimi i serbëve në Kuvendin e Kosovës përbën një veprim pozitiv.
“Është pozitive kthimi sepse të drejtat dhe detyrat që i përfaqësojnë zgjidhen në Kuvend. Asociacioni është obligim i bisedave në Bruksel, por edhe përcaktim institucional”, ka deklaruar ai. Megjithëkëtë, sipas Tahirit, aktualisht ka përçarje në grupin parlamentar të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.