QKSS, po ekzagjerohet për ekstremizmin në Kosovë

Aktuale December 23, 2016 - 08:16

Një ditë pas raportit të Institutit Amerikan të Paqes se Kosova është kthyer në burimin kryesor të luftëtarëve në Siri e Irak, krahasuar me kokë banori, zyrtarë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), vlerësojnë se po ekzagjerohet alarmimi dhe se situata nuk është aq keq.

Skënder Perteshi, hulumtues në QKSS, ka vlerësuar se terrorizmi mbetet një kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, megjithëkëtë, sipas tij, deklaratat se Republika e Kosovës është kthyer në burimin kryesor të terrorizmit janë paksa të zmadhuara.

“Deklarimet se Kosova është kthyer në ‘burimin kryesor’ për luftëtarë të huaj për organizatat terroriste aktive në Siri dhe Irak janë paksa të hiperbolizuara dhe në shpërpushje me situatën reale e cila është në terren”, ka shtuar Perteshi.

Perteshi thotë se më herët numri i pjesëmarrësve nga Kosova ishte shumë herë më i madh se që është tani.

“Është e vërtetë se nga Kosova kanë udhëtuar një numër i madh i qytetarëve në konfliktin e Sirisë dhe Irakut (317 persona), por kjo ka ndodhur në fillim të konfliktit, kohën kur nuk kishte informacione të sakta se çfarë po ndodhte në konfliktin e Sirisë”, ka potencuar ai.

Perteshi më tej, ka thënë se Republika e Kosovës ka arritur avancim në luftimin e ekstremizmit.

“Kosova ka bërë hapa konkretë në drejtim të luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Është miratuar ligji që ua ndalon qytetarëve të Kosovës pjesëmarrjen në konflikte të huaja, po ashtu është miratuar strategjia shtetërore për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, e cila është duke u zbatuar”, ka theksuar ai.

Sipas tij, vendi po sfidohet më shumë në koordinimin brendainstitucional, sidomos të akterëve të cilët janë të përfshirë në zbatimin e strategjisë shtetërore për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Mungon harmonizimi i aktiviteteve brenda ministrive të Qeverisë së Kosovës në njërën anë, si dhe ka mungesë të koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale rreth zbatimit të strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”, është shprehur ai.

Ndërkohë, përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencionit për Inteligjencë, kanë vlerësuar se Kosova sikurse vendet e tjera, mund të jetë e rrezikuar, mirëpo sipas tyre, institucionet duhet të punojnë sa më shumë në parandalimin e akteve të tilla.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar se raporti i Institutit Amerikan nuk është diçka e re, por megjithëkëtë sipas tij, numri i kosovarëve që marrin pjesë në luftërat e shteteve arabe është tejet i madh.

“Publikimi i një raporti të Institutit Amerikan nuk është risi për ne që merremi me këtë dukuri, në fakt numri i kosovarëve në luftërat arabe është i papranueshëm kur kihet parasysh se për kokë banori është tepër i lartë”, ka deklaruar ai.

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka vlerësuar se ekzistojnë dy faktorë të cilët kanë bërë që numri i pjesëmarrësve kosovarë në Siri të jetë i lartë.

“Faktori i parë: raportet sociologjike në shoqëri, nga një shoqëri e dalë nga luftërat e shekullit të kaluar dhe mbetje e freskët e këtyre kujtimeve dhe padrejtësive që u kanë shkaktuar qytetarëve tanë dhe më pastaj kjo ka ndikimin e drejtpërdrejtë në psikologjinë e njeriut që ndërlidhet me një gjendje jo të qëndrueshme emocionale”, ka deklaruar ai.

Sipas Shalës, faktori i dytë ka të bëjë me mungesën e zhvillimit ekonomik, sepse sipas tij, personave në fjalë iu mungon stabiliteti ekonomik financiar.