Qeveri joserioze, s’ka ende letërngjitës!
Policia e Serbisë, në pikëkalimin kufitar në Konçul, ka disa javë që e kanë vendosur njoftimin se si duhet t’u mbulohen me letërngjitës targat e veturave RKS, në kuadër të marrëveshjes së fundit për lëvizje të lirë të arritur në shtator të këtij viti në Bruksel. Por, kjo marrëveshje me më shumë se një muaj vonesë nuk po fillon të zbatohet, pasi që pala kosovare ende nuk i ka siguruar letërngjitësit
Në pikëkalimin kufitar në Konçul, në pjesën ku është e vendosur Policia e Serbisë, këta të fundit ka disa javë që e kanë vendosur njoftimin se si duhet t’i mbulohen me letërngjitës targat e veturave RKS, në kuadër të marrëveshjes së fundit për lëvizje të lirë të arritur në muajin shtator të këtij viti në Bruksel.
Në këto letra njoftuese që janë të ngjitura në xhamat e kabinës së policëve serbë, të cilat i ka parë ekipi i gazetës “Zëri”, por që nuk është lejuar t’i fotografojë, shkruan se me letërngjitës duhet të mbulohet pjesa ku theksohen shkronjat RKS dhe harta e Republikës së Kosovës, të vendosura në pjesën e majtë të targës.
Megjithatë, kjo marrëveshje që është dashur të nisë të zbatohet më 15 nëntor 2016 nuk ka nisur as në ditët e fundit të këtij viti për shkak se pala kosovare ende nuk i ka blerë letërngjitësit për t’i vendosur në targat e automjeteve të Serbisë.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, muaj më parë ka fajësuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Skender Hyseni se është dashur t’i sigurojë letërngjitësit para 15 nëntorit, ndërsa ky i fundit gjithë përgjegjësinë ia ka lënë Ministrisë që udhëhiqet nga Tahiri.
MPB-ja pret vendimin e Qeverisë
Drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kanë thënë se kjo ministri është duke e pritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta nisur zbatimin e marrëveshjes në fjalë.
“Ministria e Punëve të Brendshme është në pritje të vendimit të Qeverisë për zbatimin e marrëveshjes për targa që është arritur në Bruksel mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, kanë deklaruar për “Zërin” zyrtarë për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, përfaqësues të qeverisë së Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë hollësi lidhur me finalizimin e kësaj marrëveshjeje.
“Për konkretizime të tilla besoj që përgjigje më të detajuar mund të gjesh në Ministrinë e Dialogut”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu.
Ndërkohë, e kontaktuar nga “Zëri”, as ministrja për dialog, Edita Tahiri, nuk ka treguar më shumë lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Ju kam dhënë deklaratë disa herë për këtë çështje. Drejtojuni zyrës së Kryeministrit për më shumë”, është shprehur shkurt Tahiri.
Kadaj-Bujupi: Marrëveshje antikushtetuese
Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës qe disa vite merret me marrëveshje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën.
“Ka vite që në vend nuk po funksionon asgjë. Koalicioni ka dy vite që merret vetëm me dy çështje që janë marrëveshjet për të cilat tanimë është e qartë që janë jokushtetuese dhe të parealizueshme”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se dialogu me Serbinë është kthyer në një abuzim.
“Jemi duke e përsëritur në vazhdimësi se dialogu me Serbinë është kthyer në një abuzim. Marrëveshjet e arritura përkundër se janë të dëmshme për sovranitetin e Kosovës, edhe si të tilla nuk po gjejnë zbatim”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Sipas tij, marrëveshjet në fjalë nuk duhet lejuar të materializohen, sepse kështu Serbia me aprovimin në heshtje nga ana e qeverisë, siç ai është shprehur, po e mohon shtetësinë e Kosovës.
Lekaj më tej ka thënë se qeveria aktuale është një qeveri e atillë e cila shikon vetëm interesin e saj, por jo edhe atë të Kosovës.
“Janë qeveri ad-hoc dhe që sorollaten nëpër botë vetëm për mëditje e jo për të bërë gjëra të mira për Kosovën. Janë të pakoordinuar dhe paintegritet e të padenjë”, është shprehur deputeti i AAK-së.
Prandaj sipas tij, nuk duhet çuditur që kjo qeveri nuk është në gjendje të bëjë asgjë përballë Serbisë.
Bajrami: Në vend të zbatimit të marrëveshjeve, po ndërtohen mure
Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se shumica e marrëveshjeve të arritura në Bruksel nuk po zbatohen.
“Ju e dini që shumica prej marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel, pala serbe nuk i zbaton dhe as që kërkohet nga pala jonë të ndëshkohet pala serbe për mosrespektimin e marrëveshjeve”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, pala serbe po vazhdon edhe më tej t’i bllokojë shumë procese të rëndësishme për Kosovën.
“Këtu po ndodh e kundërta, pra jo që nuk po zbatohen e po vonohen marrëveshjet, por pala serbe po vazhdon ta bllokojë anëtarësimin e shtetit tonë në organizatat ndërkombëtare dhe e gjithë kjo, falë kësaj qeverie që po e dërgon vendin në humnerë me njerëz jo kompetentë, me njerëz të cilët për pazare dhe interesa personale të tyre po e rrezikojnë të ardhmen e vendit dhe të ardhmen e qytetarëve”, ka shtuar tutje ajo.
Kurse, ka thënë se derisa Serbia i bllokon proceset e Kosovës, qeveria e Kosovës ia mundësoi asaj që ta ndërtojë murin në veri të Mitrovicës.
Në vend të realizimit të marrëveshjeve, ndërtohen mure në Mitrovicë.
Ndërkohë, Haki Abazi nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se me anë të dialogut Kosovë-Serbi po synohet të blihet kohë për qëllime të individëve të caktuar.
“Është e qartë se strategjia e palëve është që të shkojnë në dialog për të blerë kohë dhe të përfitojnë nga një proces që të realizojnë qëllime të tjera”, ka deklaruar ai.
Sipas Abazit, nuk është e rëndësishme fare për ata nëse marrëveshjet zbatohen apo jo dhe në çdo moment sipas tij, strategjitë janë të dyfishta dhe të pasinqerta.
Ai më tej, ka thënë se në vend se të realizohen marrëveshjet, po ndërtohen mure në veri të Mitrovicës.
Ndërkaq, analisti politik, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se për moszbatimin e marrëveshjes për targat fajin e kanë kryekëput institucionet e Kosovës.
“Për mosfillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje fajin e kanë institucionet e Kosovës. Marrëveshja ka mbetur peng i procedurave burokratike, gjë që tregon joseriozitetin e institucioneve në çështje të rëndësishme si kjo”, ka deklaruar ai.