Konjufca: Astritin e ka vrarë pushteti

Aktuale December 20, 2016 - 11:14

Shefi i Grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për Astrit Deharin tha se kjo seancë është ‘kidnapuar’ nga PDK-ja dhe LDK-ja, me qëllim që të shmanget peticioni i qytetarëve ku kërkohet edhe adresimi i përgjegjësisë.

Konjufca tha se në dy rastet kur ata kërkuan mbajtjen e seancës deputetët tërhoqën nënshkrimet për shkak të presionit, ndërsa kjo seancë tashmë po mbahet me qëllim që të shmanget peticioni i qytetarëve ku përveç diskutimit në seancë, kërkohet edhe përgjegjësi.

“Në një vend  ku mafia i hyn në shpi prokurorit dhe pushteti del e vajton për vjedhjen e telefonave këtu gjithçka mund të ndodh”, tha Konjufca.

Shefi i Grupit parlamentar të VV-së tha se nuk është e mjaftueshme vetëm të diskutohet, por duhet të adresohet edhe përgjegjësia për vdekjen e Astritit.

Ai tha se pas 5 nëntorit konfrontimi ka shkuar një hap më tutje, vdiq në burg një djalë i shkëlqyer.

“Vrasësi identifikohet lehtë se rasti ndodhi në institucione të shtetit…Astritin në fakt e ka vra mungesa e shtetit, pushteti”.

Konjufca po ashtu tha se Astriti ‘nuk është vra’ më 5 nëntor, por atë ditë kur i janë kanë fabrikuar faktet dhe e kanë quajtur terrorist.

“U kthy nga Zvicra në vend dhe pushteti i kriminalizuar i hyn në shpi në katër të mëngjesit dhe ia fabrikojnë provat. Qat ditë është vra Astriti, konsideroj se qat ditë është vra…”, e shpreh Konjufca. /Telegrafi