Tërheqje 'taktike' nga premtimi për zvogëlim të Qeverisë

Aktuale December 20, 2016 - 08:54

Zvogëlimi i numrit të dikastereve qeveritare nuk do të ndodhë gjatë këtij mandati të Qeverisë, ani pse një gjë e tillë ishte premtuar disa herë nga partnerët e koalicionit PDK-LDK.

Se nuk do të ketë zvogëlim të Ministrive e ka konfirmuar edhe nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Mirëpo, për një gjë të tillë nuk kanë pranuar të flasin as përfaqësues të qeverisë së Kosovës, e as partneri i koalicionit qeverisës, LDK.

Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se një tërheqje e këtij qëndrimi mund të ketë ardhur me qëllimin që të trasohet rruga për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe të arrihen përfitime personale politike. Sipas tyre, një gjë e tillë mund të jetë edhe një sinjal se ky koalicion do të përfundojë së ekzistuari. Ndërsa partitë opozitare kanë vlerësuar se riformatimi i këtillë nuk do të ndodhë me qëllimin e vetëm, që, siç thonë ata, partitë në pushtet të bëjnë pazare politike. Megjithatë, sipas tyre, vendi duhet që sa më parë të shkojë në zgjedhje.

S’ka zvogëlim të numrit të dikastereve

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para pak ditësh ka deklaruar se nuk do të ketë zvogëlim të numrit të ministrive në këtë mandat.

“Unë mendoj që do të duhej të lihej më vonë. Por tash ideja e riformatimit ka qenë që së paku të bëhet një bilanc, jo domosdo prej performancës që kanë treguar ministrat, por edhe përvojave të tjera”, ka deklaruar ai para disa ditësh.

Megjithëkëtë, sipas tij, deri te një situatë e tillë ka ardhur, pasi që tërë këto vonesa nuk ishin planifikuar.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk ka dashur ta komentojë partneri i koalicionit, LDK.

Deputeti i këtij subjekti, Arben Gashi, nuk ka komentuar asgjë lidhur me këtë çështje.

“Folni me zyrtarët e qeverisë”, ka thënë shkurt Gashi.

Nga ana tjetër, i kontaktuar nga “Zëri”, as zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu, nuk ka dhënë detaje rreth këtij qëndrimi të PDK-së.

“Për balance konstruktive pyeteni LDK-në se çfarë thotë për këtë çështje”, është përgjigjur shkurt Abdullahu.

Po kërkohet momenti i përshtatshëm për të shkuar në zgjedhje

Ndërkaq, Haki Abazi nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës e ka “humbur rrugën në oborr” para dështimeve që po i ndodhin.

“PDK-ja e ka humbur rrugën në oborr dhe përpara të gjitha dështimeve që po numërohen dhe po i shtohen listës së gjatë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për tërheqjen e PDK-së nga zotimi për zvogëlimin e dikastereve të qeverisë, Abazi ka thënë se ky subjekt po tenton të mbesë në pushtet duke synuar që në një moment të përshtatshëm t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

“E vetmja mënyrë për të mbetur në pushtet është që të blejë kohë me shpresën që ditë të mira do të vijnë dhe qytetarët do të harrojnë dhe në një moment të përshtatshëm do të shpallen zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, profesori universitar, Blerim Burjani, ka vlerësuar se PDK-ja nuk është e interesuar për zvogëlimin e shpenzimeve.

“Kjo parti është përfituese me konceptin e saj të deritashëm dhe vazhdimisht është argumentuar se kjo parti nuk është e interesuar për reduktim të shpenzimeve të panevojshme”, ka deklaruar ai.

Burjani më tej ka thënë se arsyeja e tërheqjes nga qëndrimi për ta zvogëluar numrin e ministrive, ka të bëjë me atë se ky koalicion do të ndërpritet së funksionuari.

“Kjo heqje dorë nga riformatimi mund të interpretohet apo sqarohet se ky koalicion nuk do të shkojë gjatë dhe do të prishet”, ka shtuar ai.

Kurse, analisti politik, Krenar Shala, ka vlerësuar se numri i madh i ministrive është duke vazhduar të funksionojë vetëm me qëllimin për të siguruar mbështetje elektorale.

“Numri i madh i dikastereve qeveritare është duke shërbyer për rritjen e patronazhit në mënyrë që të sigurohet mbështetje elektorale. Kjo është shumë e dëmshme për procesin e shtetndërtimit në Kosovë”, ka deklaruar Shala.

Tërheqja nga zvogëlimi i Qeverisë, për pazare politike

Nga ana tjetër, Teutë Rrusta, koordinatore për qendra në Lëvizjen “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se PDK-ja është tërhequr nga një gjë e tillë për pazare kryekëput politike.

“Cilado që mund të jetë arsyeja që PDK-ja është tërhequr nuk ky qëndrim, sigurisht që ka të bëjë me pazaret dhe interesant e tyre të ngushta klanore”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja, para se të flasin për temat, siç është ekonomia dhe shëndetësia, janë të interesuara të flasin për numra të ministrive e emra që i udhëheqin ato.

Rrusta më tej ka thënë se partitë në pushtet flasin për zvogëlim të numrit të ministrive me qëllimin e vetëm për ta larguar vëmendjen nga dështimet që kanë sjellë.

“Që të mos flitet për degradimin, ku këto ministri e kanë sjellë vendin në secilën fushë, partitë në pushtet janë të interesuara ta zhvendosin temën herë tek numri i ministrive, herë tek emrat e ministrave”, ka potencuar ajo.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se gjithmonë ka ekzistuar një qeveri me numër të madh të dikastereve në Kosovë, por që nuk kanë pasur cilësi.