Të hënën ose të martën seanca për Deharin

Aktuale December 15, 2016 - 08:22

Të hënën ose të martën e ardhshme do të thirret seanca e jashtëzakonshme për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes” Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Kjo seancë pritet të karakterizohet me akuza të ndërsjella ndërmjet pushtetit dhe opozitës

Në fillim të javës së ardhshme pritet të thirret seanca e jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes”, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Sipas mbikëqyrësve të punës së Kuvendit, kjo seancë pritet të kalojë me tensione për shkak të akuzave të ndërsjella në mes të pushtetit dhe opozitës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërsa, opozitarët thonë se do t’i paraqesin të gjitha shkeljet që kanë ndodhur dhe se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të thirret seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për rastin e Deharit. Veseli ka thënë se kjo seancë është dashur të mbahet më datën 14, por meqë rreth 20 deputetë janë jashtë vendit seanca do të thirret të hënën ose të martën.

“Sipas të gjitha gjasave do të kemi seancë më datën 19, kur do të kemi edhe kthimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët aktualisht janë nëpër vizita zyrtare. Atëherë do të bisedojmë edhe me grupet parlamentare, do të iniciohet nga Grupi Parlamentar i PDK-së, do të kërkohet të nënshkruhet nga të gjithë deputetët që janë të interesuar për datën 19 apo 20. Por të jeni të sigurt se javën tjetër seanca do të jetë”, është shprehur Veseli.

Opozita kërkon llogaridhënie për rastin “Dehari”

Në anën tjetër, Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se kërkesa për një seancë të tillë ka qenë urgjente dhe e menjëhershme vetëm pak ditë pasi ndodhi rasti i rëndë. Megjithatë, sipas subjektit më të madh opozitar, partitë në pushtet, LDK-ja dhe PDK-ja, me të gjitha format e refuzuan një kërkesë të tillë.

Koordinatori i Sekretariateve të “Vetëvendosje”, Nol Nushi, ka thënë se thirrja e seancës së jashtëzakonshme për të diskutuar për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren nuk është kërkesë vetëm e opozitës, por edhe e mbi 23 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin e organizuar nga Shoqëria Civile në Kosovë. Nushi ka thënë se në atë seancë “Vetëvendosja” do t’i shpalosë të gjitha shkeljet që janë bërë.

“Vdekja e Astritit është moment i kapitullimit i gjithë zinxhirit shtetëror përgjegjës në këtë rast. Secila nga hallkat përgjegjëse dështoi në detyrë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bashkë me dy partitë në pushtet u bënë mburoja e kësaj papërgjegjësie duke refuzuar seancën për rastin. Ne si subjekt do të kujdesemi që në këtë seancë, kurdo që të ndodhë, t’i shpalosim të gjitha shkeljet që kanë ndodhur përgjatë këtij procesi dhe nuk do të ndalemi që të kërkojmë drejtësi për Astritin”, ka deklaruar Nushi.

Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se është e pakuptimtë që PDK-ja të iniciojë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, pasi një iniciativë të tillë e ka marrë javë më parë “Vetëvendosja”.

“Në fakt është seancë e vonuar. PDK-ja nuk ka nevojë ta iniciojë thirrjen e seancës pasi Lëvizja ‘Vetëvendosje’ para disa javësh ka mbledhur nënshkrime nga deputetët opozitarë dhe disa deputetë tjerë. Gjithashtu janë mbledhur mbi 20 mijë nënshkrime nga qytetarët, të cilët e obligojnë Kuvendin të mbajë seancë. Seanca duhet të mbahet, por jo si kërkesë e PDK-së. Përndryshe duhet të dihet e vërteta për vdekjen e tij”, ka potencuar Kadrijaj duke thënë se duhet të kërkohet përgjegjësi për vdekjen e Deharit.

Seanca mund të jetë e tensionuar

Ndërkohë Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se është mirë që të diskutohet për këtë çështje, megjithatë ai ka theksuar nevojën që Kuvendi të jetë i kujdesshëm dhe të mos i tejkalojë kompetencat e veta.

“Është mirë të diskutohet për kushtet në qendrat e paraburgimit në Kosovë, ka përgjegjësi institucionale, veçanërisht nga Ministria e Drejtësisë për vdekjen e një të paraburgosuri aty. Mendoj se ka çka të diskutohet, vetëm se Kuvendi duhet të ketë kujdes që të mos ndërhyjë në punët të cilat nuk i takojnë, të mos i komentojë vendimet e institucioneve tjera, ta zëmë të analizave që janë bërë, të hetimeve, të vendimeve që merren”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se kjo seancë mund të kalojë me tensione pasi, sipas tij, subjektet politike rastet e tilla po i shfrytëzojnë për të fituar politikë dhe po bëjnë akuza e kundërakuza.

“Problemi është që po shikohen t’i përdorin këto raste për poenë politikë dhe në momentin kur kjo kalon në një diskutim politik dhe akuza ndërmjet partive politike është e natyrshme që të ketë edhe tensione. Kështu që duhet të trajtohet me kujdes më të shtuar duke e pasur parasysh ndjeshmërinë dhe duke e pasur parasysh se është një rast, i cili akoma nuk ka përfunduar. Pra të mos bëjnë drejtësi deputetët dhe të mos marrin rol, i cili nuk u takon”, ka përfunduar Krasniqi.

Përndryshe, javë më parë “Vetëvendosja” disa herë ka tentuar të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për këtë rast, megjithatë, nuk arrinte t’i siguronte 40 nënshkrimet e nevojshme.