Pacientët u blejnë mantele mjekëve në QKUK (Dokument)

Aktuale December 15, 2016 - 07:48

Ishte mbështetur skaj shkallëve tek dyert e sallës së operacionit në Klinikën e Kirurgjisë. Fidan Maliqi sapo ishte kthyer nga jashtë dhe merrte frymë thellë tek mundohej të pushojë afër sallës operative të Klinikës së Kirurgjisë. Ai me vrap ishte ngjitur shkallëve për të sjellë disa mantele sterilë për mjekët që do të futeshin në operacion. Ndryshe, intervenimi kirurgjik i planifikuar nuk mund t’i kryhej dajës së tij, pasi mjekët nuk kishin mantele sterilë pa të cilët nuk do të mundnin të futeshin në sallë të operacionit.

“Mantelet ua kam blerë mjekëve që e futën dajën në sallë të operacionit. Meqë familjarët e tij të ngushtë nuk jetojnë në Prishtinë erdha unë këtu të qëndroj afër, sepse ma mori mendja se mund të ketë nevojë për të blerë ndonjë gjë. Dhe sapo atë e futën në sallën e operacionit, më thanë me dalë për të blerë mantele sterilë për mjekët sepse nuk kishte”, ka thënë Maliqi për “Zërin”.

Ndryshe ai tregon se në mungesë të këtyre manteleve operatorët nuk do të mundnin të futeshin në sallë për të kryer intervenimin.

“Ky ka pritur tash e sa kohë për të kryer intervenimin kirurgjik dhe po të mos qëlloja këtu do të shtyhej operacioni”, ka thënë Maliqi.  

E-maili alarmant: Pacientët po blejnë mantele sterilë për mjekët

Se situata është alarmante sa i përket këtyre materialeve thuhet edhe në një e-mail që nga Barnatorja Qendrore e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës u është dërguar

zyrtarëve të Farmacisë në Ministri të Shëndetësisë.

Në e-mailin që e ka siguruar gazeta “Zëri”, drejtoresha e Barnatores Qendrore, Arijeta Stanovci, alarmon Lindita Avdylin, udhëheqëse e divizionit farmaceutik në Ministri të Shëndetësisë, se përveç mungesave të tjera së fundmi ka mungesë të manteleve.

“Megjithëqë ju kemi informuar në vazhdimësi, edhe me anë të njoftimeve ku listohen produktet në mungesë, barnat dhe materialet e domosdoshme për liferim-prioritetet për furnizim po ashtu me shkrim (e-maila të njëpasnjëshme) sikurse me njoftime përmes telefonatave, sërish sot po ju përcjell kërkesat immediate të profesionistëve shëndetësorë në QKUK, udhëheqës të shërbimeve prioritare”, thuhet në e-mailin që Stanovci ua përcjell zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ajo thotë se sapo është kontaktuar nga drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale,  Rifat Bajrami, i cili ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesë të manteleve. Më tutje Stanovci e njofton Avdylin se pacientët janë detyruar me javë të tëra të blejnë mantele sterilë kirurgjikë për stafin mjekësor.

“Sipas njoftimeve dhe kërkesave urgjente (veçanërisht në shërbime prioritare) kemi mungesë të theksuar të manteleve sterilë të Listës Esenciale, material ky jashtëzakonisht i domosdoshëm për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës në njësi prioritare dhe theks të veçantë, sallat operative të të gjitha shërbimeve të QKUK-së”, alarmon udhëheqësja e Barnatores në QKUK, Arjeta Stanovci.

Ajo është shprehur në e-mailin e saj se mungesa është e ndjeshme veçanërisht në klinikat kirurgjike, klinikat e ORL-së dhe Oftalmologjisë, Shërbimin Klinik Emergjent dhe të gjitha sallat operative.

“Prandaj luteni të kontaktoni operatorin ekonomik përkatës dhe të mundësohet sa më parë furnizimi i QKUK-së me mantele sterilë”, përfundon shkresa e Stanovcit.

Në anën tjetër, në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Curr Gjocaj, njoftojnë se kërkesat për furnizim të rregullt të këtyre manteleve sterilë janë dorëzuar në Ministri të Shëndetësisë qysh në muajin shtator.

MSH: Kemi bërë furnizim me një sasi të caktuar të manteleve

Kërkesat janë bërë për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme. “Presim që AFSH-MSH-ja të furnizojë QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme sipas planifikimit dhe kërkesave. Për të gjitha mungesat e barnave dhe materialit shpenzues MSH-ja informohet edhe përmes kërkesave tjera emergjente nga Barnatorja Qendrore e QKUK-SHSKUK”, thuhet në përgjigjen me shkrim të dhënë nga zyra e drejtorit të përgjithshëm të shërbimit spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Ndërkaq nga Departamenti Farmaceutik i Agjencisë së Financimit Shtetëror të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se kanë shpërndarë një sasi të caktuar të manteleve sterilë gjatë ditës së martë (13 dhjetor 2016) në QKUK.

“Ndërsa pjesa tjetër plotësuese pritet të vijë dhe të shpërndahet në fund të kësaj jave, eventualisht në fillimin e javës tjetër”, thuhet në përgjigjen me shkrim të dhënë nga Divizioni i Komunikimit me Publikun në Ministri të Shëndetësisë.

Gjithashtu njoftohet se Departamenti Farmaceutik ka kërkuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së që një sasi të këtij materiali ta huazojë nga spitalet e përgjithshme derisa të shpërndahet pjesa plotësuese.

Ministria e Shëndetësisë përmes Zyrës së Komunikimit sqaron se huazimi mund të ndodhë për faktin se mantele sterilë kanë në stoqet e tyre disa nga spitalet regjionale.

 

Image